E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore apo vazhdimi i Katovicës

Të gjithëve na kujtohet Katovica, mbledhja e famshme e liderit të bllokut komunist Gorbaçov me të gjithë politikanët e lindjes ku ai këshillonte se një Rend i Ri Botëror do të krijohej së shpejti, ku bota nuk do të mbahej më nga dy ‘atlaset’ e dalë pas Luftës së II Botërore, dy superfuqitë e perëndimit (SHBA-të) dhe të lindjes (BRSS), por vetëm nga e para. Pas një eksperimenti me një rend ekonomiko-politik të dështuar socialist në themelet e të cilit u derdh paradoksalisht shumë gjak në kohë paqeje ndërkombëtare, klasa sunduese komuniste mendonte të adaptohej politikisht dhe ekonomikisht për të ruajtur përsëri pushtetin real në vendet ish-komuniste, pas ndryshimit të sistemit totalitarist komunist e kalimit në sistemin pluralist të tregut. Pra, u duk qartë se eksperimenti i mbështetur financiarisht me sekret prej Wall Street-it për të rrëzuar dinastinë Romanov dhe për të sjellë në pushtet kriminelët bolshevikë të Leninit dhe Trockit e më pas për të mbajtur Stalinin në krye të kësaj kasaphane inorganike, kishte dështuar. Duke u ndërtuar një sistem ekonomik që do të kishte si bazë pronën shoqërore dhe një superstrukturë të ngritur mbi konceptet e shtetit etatist totalitarist, ku si shitës edhe blerës do të ishte në “tregun’ e munguar vetëm shteti komunist, u vu re se eksperimenti kishte dështuar. Natyrisht që nga një rend botëror me dy superfuqi gjigande, më tepër kishin fituar manjatët dhe industrialistët ushtarakë, të cilët me gogolin e formulës së Luftës së Ftohtë mbajtën gjithë botën nën ankthin e një ‘paqeje të ftohtë’, nën narkozën tmerruese të një lufte nukleare të super kushtueshme.
Dihet se edhe në Shqipëri, komunistët shqiptarë që ishin de jure dhe de facto nën suzerenitetin e Moskës (nën fuqinë dhe urdhrin e së cilës E.Hoxha vetvrau kryeministrin e tij M.Shehu, 9 vjet para rënies së komunizmit), pasardhësi i lartë komunist R.Alia filloi skemën e tërheqjes taktike sipas mësimeve të Katovicës. Ai e kuptoi se duheshin lejuar parti të reja, të cilat duhej të kapeshin nga njerëzit e Partisë komuniste të Punës, si dhe kuptoi që ekonomia do të kthehej në një ekonomi me pronë private dhe prandaj udhëzonte që të gjithë ish-komunistët duhej të kapeshin edhe pas aktiviteteve ekonomike e tregtare. Kjo simbiozë objektivash do të mundësonte vazhdimin e sundimit të vendit prej tyre, në një sistem që deri më dje ideologjikisht kishte qenë i anatemuar nga PPSH. R.Alia sugjeronte që ne duhet të kapim nëpërmjet partive, Kuvendin dhe Qeverinë (dy pushtetet e para) dhe me njerëzit tanë të shkolluar të mbajmë në dorë sistemin gjyqësor (pushtetin e tretë). Klasës së përmbysur pas viteve të Luftës do t’u liheshin kësisoj vetëm ca tapi të vjetra nëpër duar, me të cilat do të vërtiteshin me vite pa i mbyllur asnjëherë odisetë e tyre në gjykatat dhe zyrat e komanduara nga ish-komunistët. R.Alia e dinte që shumica e antikomunistëve dhe nacionalistëve që shpëtuan jetët e tyre nga lufta civile në Shqipëri, të larguar nga vendi pas Luftës dhe të organizuar rreth Komitetit Shqipëria e Lirë, u dërguan si mish për top, gjoja për të çliruar Shqipërinë nga komunistët, me qëllim që ata të shfaroseshin prej tyre, në mënyrë që Stalini të lihej i qetë në qeverisjen e gjithë kampit komunist dhe në politikat e tij të Luftës së Ftohtë. Nisur nga ky fakt, ndryshe nga kokëforti Çaushesku, R.Alia e dinte se nuk ishte çudi që perëndimi të ishte me më të fortët dhe më të organizuarit në terren, për shkak të startit favorizues organizativ e arsimor që kishin ish-komunistët në garën e re për sistemin e ri kapitalist pas viteve ‘90 dhe të mos pyeste për ish ‘aleatët’ e vet antikomunistë. Çuditërisht, edhe sot pas 22 vjetësh demokraci, kjo klasë e vrarë dhe e masakruar për 45 vjet, ndodhet dyerve të gjykatave, sipas planit gjenial të Katovicës dhe të R.Alisë. Por, më e rëndësishmja është se në krye të partive kryesore të ‘djathta’, sidomos në krye të partisë më të madhe të ‘opozitës’ (PD) dhe atyre që mbronin gjoja të drejtat e ‘ish-pronarëve’, erdhën ish-komunistët ose bashkëpunëtorët e tyre gjoja reformatorë, ndërsa në PS ngelën enveristët. Po të shikosh me kujdes, në fillim të tranzicionit, në lidershipin blu erdhën edhe disa pinjollë të spikatur të klasave të përmbysura, të cilët kishin një rol dekorativ dhe jo një pushtet real. Me kalimin e kohës, pas trimërimit të katovicianëve shqiptarë, këta u larguan fare nga ky mozaik i trishtë. Po kështu, u luftuan e u përçanë nga dy bijat e PPSH-së disa parti historike me theks nacionalist si Balli dhe Legaliteti, parti të cilat nuk kanë pasur as lidershipin e as mjetet e duhura për të ndikuar mbi ekuilibra të rinj shoqërorë, nëpërmjet ngritjes së peshës së tyre, ndaj dhe misioni i këtij lidershipi tashmë duket si një mision i pamundur e i dështuar që të kryhet siç duhet nga trashëgimtarët e Mit’hatit dhe A.Zogut. Aspiratat e tyre nacionaliste duket se sot po realizohen nga planet strategjike të ndërkombëtarëve dhe nacionalizmi i zjarrtë i shqiptarëve jashtë Shqipërisë politike në ish-Jugosllavi.
Për ilustrim të Katovicës, ne e dimë se ekonomikisht në fshat u gjet si e mesme e artë reforma agrare me ligjin famëkeq 7501, ku me një gur ish-punistët R.Alia, S.Berisha dhe F.Nano vranë disa zogj: a) Nuk lejuan ‘klasat e përmbysura’ që të bëheshin pronare të tokave të tyre të trashëguara si fshatarë me pak tokë, të mesëm apo të pasur që kishin qenë në shumicë absolute (në fakt kjo reformë agrare e kryer nga ish-komunistët tek ne ishte e pavend mbi fondin e tokës prej 700 mijë ha, pasi 87% e popullsisë në fshat kanë pasur dhe kërkonin 300 mijë hektar tokë private të tyre dhe tashmë shteti kishte 400 mijë ha ku mund të sistemohej 13% e pasardhësve fshatarë që nuk kishin pasur tokë apo e atyre me pak tokë); b) I falën tokat e shqiptarëve të Libohovës, Gjirokastrës dhe Delvinës tek banorët grekofonë të Dropullit dhe Vurgut, duke u përshëndetur për këtë tradhti kombëtare me dashamirësi nga Athina (te ky ligj u mbështet fitorja e R.Alisë në zgjedhjet e vitit ’91 dhe S.Berishës në zgjedhjet e vitit ’92); c) z.Berisha me këtë ligj lejoi që të uzurpoheshin nga migrues të ndryshëm të ardhur nga zonat veriore e verilindore, tokat periferike në qendra të tilla urbane si Tirana e Durrësi, pasi ata që kishin tapitë e reja nuk mund ta mbronin tokën e ‘askujt’, ndërsa ata me tapi të vjetra s’kishin legjitimitet ta bënin një gjë të tillë. Në këtë mënyrë u krijuan edhe premisa për të fituar një elektorat të gjerë personal prej liderit blu, ashtu siç i joshte dikur bashkëkrahinorët e vet Bajram Curri, A.Zogu, E.Isufi (gjenerali me shajak), Halit Lleshi, Marka Gjoni e F.Dine-ja. Po kështu edhe Partia Socialiste siguronte një mbështetje elektorale nga uzurpatorët e tokave shtetërore prej rreth 400 mijë ha në fshat. Pikërisht ky ligj e la bujqësinë në një gjendje shumë të vështirë, çka uli në mënyrë drastike peshën e saj në GDP-në e vendit. Gjithashtu, u privatizuan në vitet e para shumica e investimeve rentabël shtetërore të bëra për 40 vitet e kohës së komunizmit në industri, në favor të ish-klasës sunduese komuniste nëpërmjet manovrimeve të ndryshme ligjore dhe kalimeve të ndërmarrjeve në shoqëri aksionere me pronarë administratorët e kohës së komunizmit. Gjithashtu u shitën të gjitha dyqanet e objektet tregtare shtetërore me vlerë në zonat urbane në favor të ish-klasës komuniste, duke i lënë klasat e përmbysura e ish-pronarët në qytet dhe fshat me gisht në gojë. Gjithsesi, dy partitë kryesore, pavarësisht luftës së egër për pushtet brenda llojit, ishin në një emërues të përbashkët për mbajtjen larg pushtetit, sidomos atij politik, të ish-klasave të përmbysura. Krahas dr.Berishës, në partinë e tij zunë vend pinjollët e komisarëve të çetës së Pezës, fëmijët e hierarkëve të lartë të komunizmit, të cilët sot kanë mbushur cyt parlamentin shqiptar, në ‘luftë’ për pushtet me bijtë legjitimë të punistëve. Njëkohësisht, të dyja partitë u interesuan të mos vendosnin një ligj real mbi lustracionin dhe kështu shumë minj ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit, edhe sot vazhdojnë të jenë në poste drejtuese të shtetit shqiptar.
Kështu, si në një film uestern filloi rendi i ri dhe faza e tranzicionit drejt shtetit ligjor dhe shtetit kapitalist gjoja të së drejtës që synohej të ndërtohej te ne nga punistët. Shqipëria u orientua pa dashjen e tyre në politikën e jashtme drejt fitimtarëve - perëndimit. Në retrospektivë mund të themi se, që nga krijimi i shtetit shqiptar e deri në vitet ‘40 kishte pasur një influencë mbi udhëheqjen e brendshme dhe opozitën e vendit në emigracion kryesisht Jugosllavia, Austria, Italia, Franca dhe Greqia, ndërsa pas viteve ’44, klasa politike udhëheqëse e komunistëve ishte kontrolluar kryesisht nga Jugosllavia dhe BRSS-ja. Edhe pas viteve ’90, natyrisht që klasa politike e re e kohës së demokracisë në nivelet e saj më të larta ka pasur dhe e gëzon ende mbështetjen e disa shteteve të huaja antishqiptare, nëpërmjet të cilave ajo vazhdon ta mbajë dhe sigurojë këtë pushtet, në këmbim të favoreve strategjike dhe ekonomike që bën për këta mbështetës të saj, në kundërshtim me interesat ekonomike të shtetit dhe popullit shqiptar. Disa nga këta drejtues nuk janë partnerë dinjitozë në bashkëpunimin me të huajt, por lakenj të tyre për shkak të së shkuarës, të dobësive të tyre të sotme në qeverisje dhe për shkak të korrupsionit dhe vjedhjeve të ekonomisë kombëtare. Kjo ka sjellë që te ne të mos ketë një klasë të mesme ekonomike. Këtë e tregoi edhe deklarimi i fundit zyrtar ku 5% e popullsisë zotëron rreth 65% të depozitave (gati 4,3 miliardë dollarë) dhe 95% zotëron vetëm rreth 2,5 miliardë $ depozita nëpër bankat tona. Natyrisht, që me përjashtime të rralla, 5% i parë i takon ish-sunduesve të dikurshëm komunistë të cilët kanë ende një pushtet real mbi politikën e të dyja krahëve, pushtet i cili ka dhënë këto frute të ëmbla ekonomiko-financiare për ta.
Natyrisht që një nga mjetet e para më të efektshme për të ruajtur sundimin politik dhe atë ekonomik në vend është reforma zgjedhore. Nëpërmjet Kodeve të shumta zgjedhore klasa politike shqiptare në fuqi synon të komplotojë kundër aspiratave të tjera politike për një shtet të së drejtës, me qëllim që Katovica të vazhdojë të paktën edhe për një dekadë tjetër dhe rrotacioni të kryhet nga të dy krahët e punistëve. Ramiz Alia i sotëm duket që është Sali Berisha i cili kërkon të lërë dy liderë të tjerë që të vazhdojnë nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve, vazhdimin e qeverisjes së qetë prej ish-komunistëve apo miksturës me ngjyra blu e rozë në politikë dhe ekonomi. Nëpërmjet manovrimeve të ndryshme dhe duke e hedhur topin me hile sa nga njëri te tjetri, nën vështrimin e ndërkombëtarëve po synohet kalimi i kreut të KQZ dhe një anëtari të saj në favor të njërës nga dy partitë e mëdha, çka do të jetë një shenjë se nga do të shkojë pushteti qendror vitin tjetër. Gjithashtu, me nxitjen e ndërkombëtarëve duket se synohet të lejohet manipulimi i rezultateve të votimit dhe votimi familjar, nëpërmjet refuzimit të procesit elektronik të votimit. Po kështu, synohet të mos lejohet ndonjë parti e re e djathtë që të forcohet e të tronditë pozitat e fuqisë absolute të dy partive të majta shemra të pushtetit si PD dhe PS, duke mos lejuar votimin me korrektim kombëtar. Ky Kod i ri mund të fusë shumë parti në Kuvend dhe mund ta dobësonte një mazhorancë shumë të diversifikuar, siç kishte ndodhur deri në vitin 2009, edhe pse tashmë ka shumë mekanizma të tjerë ligjorë, si pragu elektoral dhe amendimet në Rregulloren e Kuvendit, që të mos lejohen shumë Grupe Parlamentare dhe shumë ‘gjela’ në Kuvend.
Pas gjithë këtij përshkrimi pesimist mund të shtrojmë disa pyetje: A mund të gjejë shoqëria shqiptare disa mekanizma që të çlirohet nga dy duart blu e rozë që e kanë kapur nga fyti prej 22 vjetësh dhe që synojnë ta mbajnë të gozhduar edhe disa vjet të tjera nën çizmet e keqqeverisjes arrogante e egoiste? A mund të kemi ekuilibra më të drejtë socialë e shoqërorë për të gjitha shtresat? A mund të ndërtojmë një klasë qeverisëse më të moralshme e të aftë që të luftojë pangopësinë në administratën e lartë dhe që aftësinë për tu korruptuar deri në thonj të mos e quajë si vlerë e si model për tu ndjekur nga të rinjtë? A mund të krijojmë kushte më të mira për të rritur prodhimin në vend duke rritur peshën e shpërndarjes së të ardhurave te kategoria e 95% që përmendëm e duke rritur kësisoj konsumin? Të gjitha këto kanë lidhje me klasën qeverisëse aktuale e cila synon të ruajë statuskuonë e përfitimeve nëpërmjet Kodit të ri zgjedhor, duke u përpjekur të godasë me të çdo forcë të re politike që synon ta ndryshojë sado pak këtë realitet të pa drejtë shoqëror të shqiptarëve, në vazhdim të skemës së Katovicës, e cila në Shqipëri po funksionon ende përsosmërisht.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›