Reforma zgjedhore, të vegjlit: Komisioni duhet të ndryshojë sistemin
Kryetari i PSV 91, Petro Koçi, dhe ai i LZHK-së, Dashamir Shehi, theksojnë domosdoshmërinë e ndryshimit të sistemit zgjedhor në vend
TIRANË Ngritja e komisionit për reformën zgjedhore është vetëm fillimi i një pune dhe debati të gjatë, që do të shoqërojnë jo pak partitë pjesëmarrëse në këtë komision. Ato që do të luftojnë me fort do të jenë partitë e vogla, të cilat deri më tash janë djegur jo vetëm nga procesi i numërimit të votave, por edhe nga vetë sistemi zgjedhor. Drejtuesit e dy partive PSV 91 dhe LZHK, parti pjesëmarrëse në diskutimet për reformën në këtë komision, kanë dhënë dje qëndrimet e tyre për sistemin e ardhshëm zgjedhor. Kryetari i PSV 91, Petro Koçi, sheh si avantazh sistemin e mëparshëm zgjedhor, që është aplikuar në Shqipëri, mazhoritar me korrektim proporcional. ‘‘Për më shumë pushtet dhe kontroll të qytetarit mbi politikën, për më shumë demokraci dhe për të garantuar stabilitet qeverisës, duhet të kthehemi te sistemi i përzier mazhoritar + proporcional, me formulën 100 me 40 ose të mendojnë formulë tjetër’’,- tha kryetari i PSV 91, Petro Koçi. Por i vetëdijshëm se për ndryshimin e sistemit duhet edhe ndryshim kushtetute, çka nuk po i leverdis dy partive të mëdha, Koçi sheh si mundësi edhe ruajtjen e bazës së sistemit aktual. ‘‘Atëhere brenda kontekstit të sistemit aktual proporcional rajonal, të punojmë për një korrektim kombëtar’’,- theksoi Koçi. Ndryshe nga kryetari i PSV 91, kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, deklaroi dje domosdoshmërinë e ndryshimit të Kushtetutës. “Ne jemi për proporcional kombëtar dhe Kushtetuta të ndryshohet, sepse kur deshën e ndryshuan brenda natës, për të keqen e Shqipërisë. Kurse tani, për të mirën e vendit, nuk duan ta ndryshojn뒒,- tha Dashamir Shehi. Seancën e fundit parlamentare Kuvendi miratoi vendimin për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Komisioni do të ketë për detyrë hartimin e amendamenteve për kuadrin ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe ato lokale të vitit 2011. Komisioni do të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me partitë politike jo parlamentare të interesuara për reformën zgjedhore, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1% të votave në shkallë vendi, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile që kanë ekspertizë dhe eksperiencë në procesin zgjedhor. Konsultime e dëgjesa publike do zhvillohen me kërkesën e palëve edhe me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, KQZ-së, si dhe institucione shtetërore që kanë rol në procesin zgjedhor. Komisioni do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga partia Demokratike dhe një nga Partia Socialiste. Për çështje të veçanta, për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus, konsensusi do të kërkohet me asistencën e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias. Mbledhjet e Komisionit do të jenë të vlefshme kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të Komisionit.