Dekreti, grupi i PD-së drejt votimit pro të kandidaturës së Leskajt
Për emrin e Leskajt ekziston një prirje pozitive për t’u votuar nga deputetët e grupit parlamentar demokrat, edhe pse pritet mungesa e ndonjërit prej deputetëve të kësaj partie.
TIRANË Vizita e kryeministrit Sali Berisha në Izrael ka shtyrë vendimin zyrtar që grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të merrte për votimin e dekretit të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për Bujar Leskajn në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Por edhe pse nuk ka ende një vendim të tillë, burime nga PD-ja deklaruan dje për gazetën “Mapo” se për emrin e Leskajt ekziston një prirje pozitive për t’u votuar nga deputetët e grupit parlamentar demokrat, edhe pse pritet mungesa e ndonjërit prej deputetëve të kësaj partie. Për këtë arsye, në plan të parë do të dalin edhe partitë e tjera të vogla në koalicion me qeverinë, që deri më tash kanë paralajmëruar votën pro kësaj kandidature. Në anën tjetër, Partia Socialiste e ka marrë vendimin. Kryesia e grupit parlamentar të PS-së vendosi që të votojë kundër kandidaturës së Leskajt me argumentin se ai është figurë partiake. Bujar Leskaj u votua pak kohë më parë nga Presidenti i Republikës për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit. Leskaj është emri i dytë që depozitohet në Kuvend, në një kohë kur kandidatura e parë, ajo e Sali Shehut, mori vetëm një votë nga deputetët e mazhorancës, edhe pse ai vinte nga radhët e PD-së. Në një nga mbledhjet e grupit parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha deklaroi se Shehu nuk mund të votohej me arsyen se ai nuk ishte ekonomist. Ndërkohë, Bujar Leskaj nuk u përfshi në listën e deputetëve fitues në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, edhe për ndonjë mbështetje të mundshme që asokohe ai kishte ndaj figurës së Topit. Leskaj gëzon mbështetje në radhët e grupit parlamentar të PD-së, për shkak edhe të një mandati katërvjeçar që ai ka pasur në Kuvend legjislaturën e kaluar. Bujar Leskaj mban gradën shkencore “Doktor i Shkencave Ekonomike”. Ai ka mbaruar tri fakultete: fakulteti Gjeologji-Miniera në vitin 1990; fakulteti i Ekonomisë, dega Financë në vitin 1998, dhe fakultetin e Drejtësisë më 2002. Në CV-në e Leskajt renditen edhe disa specializime pasuniversitare. Ai ka botuar disa libra, ndërkohë që prej vitit 1997 Leskaj është anëtar i PD-së. Më 2001-2005, anëtar i Bordit financiar të PD-së dhe prej disa vitesh anëtar i Këshillit Kombëtar. Në periudhën 2005-2009 Leskaj ka qenë deputet i PD-së në zonën zgjedhore 49 në qarkun e Vlorës, ku mori 6272 vota. Për periudhën shtator 2005–mars 2007 Leskaj ka mbajtur edhe postin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.