Partitë e vogla: Reformë tërësore dhe të zbatueshme
Partitë e vogla e djathta dhe të majta dolën sot me një qëndrim të përbashkët për reformën zgjedhore. Krerët e dhjetë partive politike një deklaratë të përbashkët i kanë kërkuar dy partive të mëdha PD-PS që të marrin parasysh kërkesat e tyre për ndryshimet në reformën zgjedhore.
Kreu i PDS-së Paskal Milo në emër të partive të vogla theksoi se në tryezën e sotme u diskuta gjerësisht jo vetëm për parametrat që duhet të na udhëheqin në punën tonë por edhe për detajet. “Partitë politike në këtë takim të mbledhura për çështjet e reformës zgjedhore, shprehin gadishmërinë për të kontribuar në realizimin e një reforme tërësore dhe të zbatueshme për zgjedhjet” theksoi Milo.
Gjithashtu partitë e vogla shprehin bindjen se reforma zgjedhore duhet të synojë vendosjen e barazisë ligjore mes partive si dhe barazinë e votës. “Vlerësimi ynë është se sistemi akutaI është zbatuar formalisht dhe cënon barazinë e votës mes qarqeve dhe mes koalicioneve. Këtë e reflekton më së miri zgjedhjet lokale ku partitë tona morën 230 mijë vota të cilat janë përkthyer vetëm në 7 mandate” ka theksuar më tej Milo ndërsa ka kërkuar gjithashtu që të mundësohet numërimi elektronik i votave si dhe lista të hapura.
Sipas tij partitë kërkojnë përmirësimin e sistemit mes korrektimit kombëtar pa pragje eliminuese dhe deformuese, që mundëson që cdo parti të marr mandatet që i takojnë sipas votave, ulur numrin e zonave zgjedhore dhe përmirësimin e procesit të administrimit mes strukturave gjithëpërfshirëse.
“Partitë bien dakord të kërkojnë edhe numërimin elektronik të votave, lista të hapura. Partitë do konsultohen në vazhdimësi për cështje të tjera të reformës për të koordinuar qëndrimet e mëtejshme. Partitë ranë dakord që nga kjo tavolinë të nisë puna për një tryezë tjetër ajo e ekspertëve për të detajuar mendimet që atje ku mundemi të përfaqësohemi dhe të flasim me një zë të vetëm”- tha Milo.