Haxhinasto, tur pesëditor në Japoni, Kore dhe Vietnam
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto ka nisur një tur pesëditor vizitash zyrtare në Japoni, në Republikën e Koresë dhe në Vietnam. Kjo vizitë, sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme, do t’i shërbejë promovimit dhe forcimit të marrëdhënieve të Republikës së Shqipërisë me këto shtete, duke inkurajuar zgjerimin e marrëdhënieve ekonomiko- tregtare, vendosjen e kontakteve me institucionet akademike midis vendeve dhe popujve të këtij rajoni. Në Japoni, bisedimet që do të zhvillojë Haxhinasto me homologët e tij, si dhe takimet me autoritetet e tjera të këtyre vendeve do të fokusohen në rritjen e dialogut të mëtejshëm politik me këtë shtet, për t’i ngritur tashmë marrëdhëniet në një stad të ri. Ndërsa do të synojë vendosjen gjithashtu të këtij dialogu në baza më të qëndrueshme me Korenë dhe Vietnamin dhe plotësimin e kuadrit të nevojshëm institucional për ngritjen në një nivel të ri të marrëdhënieve të Republikës së Shqipërisë me këto shtete.