Reformat e Brukselit edhe në 2013-n po përballen me bojkotin e opozitës

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi paraqet në parlament Ligjin për Administratën Gjyqësore
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi e ka cilësuar projektligjin “Për administratën gjyqësore”, një pjesë shumë e rëndësishme të Paketës së Reformës në Drejtësi dhe një rekomandim i BE edhe në Raport Progresin e vitit të kaluar për Shqipërinë, duke shtuar se opozita me bojkotin e seancës i tha “jo” BE-se.
Në një postim në rrjetin social Facebook, duke dhënë detaje rreth asaj që është prezantuar në Komisionin e Ligjeve, Halimi shkruan se për herë të parë reformohet edhe kjo pjesë e rëndësishme e sistemit të Drejtësisë. “Administrata gjyqësore, është kontakti i parë i qytetarit me sistemin gjyqësor, është përballja e parë e qytetarit me sistemin e drejtësisë. Është një pikë thelbësore e krijimit të besimit të qytetarëve tek sistemi. Ekspertët e BE në komision deklaruan se projektligji është me standardet më të mira të BE, dhe se miratimi i tij është rëndësishëm për Reformën e Sistemit të drejtësisë”, theksoi ai.
Sipas tij, edhe sot opozita në mënyre brutale, i tha JO, BE ne komisionin e ligjeve, duke u përpjekur te ngrejë mure bllokimi për reformat.
“Edhe sot deputetët e opozitës bojkotuan seancën duke bojkotuar detyrimin që kanë ndaj votuesve të tyre dhe qytetarëve që paguajnë taksa për rrogat e tyre. Ata sot u larguan dhe morën rrogën nga taksat e qytetarëve, por nuk përmbushën detyrimin që ata kanë ndaj qytetarëve që u kanë dhënë votën të ulen në ato karrige”, shkruan ai, duke shtuar se megjithëse këtë kjo reformë nuk do të ndalet.
Më herët në komisionin e Ligjeve u shqyrtua projektligji për Administratën Gjyqësore. Mbledhja është shoqëruar me debate mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës.
Deputeti socialist Fatmir Xhafaj theksoi se projektligji ka shumë defekte dhe gjykatat mbeten peng i kancelarëve.
Sipas tij, Projektligji kërkon të shmangë Kuvendin dhe t’i japë më shumë kompetenca ministrit.
“Me projektligjin rrezikohet pavarësia e gjykatave, kërkohet urdhërimi i gjykatës nga ekzekutivi” shtoi më tej Xhafaj.
Ndërsa, ministri i drejtësisë Eduard Halimi është shprehur se kjo reformë është shumë e rëndësishme për sistemin e drejtësisë.
“Sot Ministria e drejtësisë në bashkëpunim me Misioni Euralius, sjellin një ndër reformat më të rëndësishme të sistemit gjyqësor, reforma për modernizimin dhe konsolidimit të administratës gjyqësore në Shqipëri. Kjo reformë e këtij projektligji absolutisht të rëndësishëm adreson edhe gjetjet e Komisionit Evropian, sipas të cilit mungesa e një kuadri ligjor gjithëpërfshirës për administratën gjyqësore në përputhje me standardet evropiane, me gjykata dhe staf gjyqësor të organizuar në mënyrë të qartë, pengon transparencën dhe efiçencën në aktivitetet e gjykatave”, theksoi Halimi.