E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformat e qeverisë për anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian

12-12-2011 / Nga Ilirian Dahri

Në një prej pyetjeve që gazetari Patrick Simon i TV5 Monde, i bënte kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, për mbështetjen që mund të japë Franca për pranimin e vendit tonë në Bashkimin Europian kryeministri shqiptar përgjigjej se: “Franca e ka mbështetur gjithnjë ambicien e Shqipërisë për integrimin europian dhe për anëtarësim në Nato. Ne kemi patur probleme, por ato janë zgjidhur, prandaj kemi nevojë për mbështetje për të përparuar edhe më shumë drejt Bashkimit Europian”. Ndër të tjera përgjatë intervistës në televizioni prestigjoz TV5 Monde, kryeministri Berisha, e ka konsideruar këtë proces si një proces të bazuar në meritë duke përsëritur se qeveria shqiptare është e “angazhuar në realizimin reformave në një shkallë shumë të gjërë, të cilat në realitet po avancojnë shumë”. Por kryeministri Berisha ka vënë në dukje edhe faktin tjetër po aq të rëndësishëm se opozita nuk po ndihmon në integrimin europian të vendit madje “opozita ka bërë gjithçka për të bllokuar procesin e integrimit duke menduar se kjo është mënyra më e mirë për të dëmtuar qeverinë dhe për të ardhur sa më shpejt në pushtet”. Sidoqoftë përgjatë intervistës është theksuar se procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian ka pësuar një ngadalësim por që gjithsesi kemi të bëjmë me një proces të pakthyeshëm. Në fakt edhe në takimin që u zhvillua në Bruksel, kur kërkohej të gjendej një pakt për bilancet, vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë punuar edhe mbi procedurat për zgjerimin e Bashkimit europian duke shtuar se gjithsesi  kjo temë është delikate. Javën e shkuar në Ëall Street Journal, ish-drejtori i përgjithshëm për zgjerimin pranë Komisionit europian Mikael Leigh kishte nënvizuar se: “Mishela eksplozive e Ballkanit është mbajtur nën kontroll vetëm falë ambicies, që shoqëron të gjitha vendet e rajonit, për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Pjesa më e madhe e njerëzve në Ballkan vazhdon të shikojë anëtarësimin në Bashkimin Europian si një rrugëtim shpëtimi për shtetet respektive”. Natyrisht ish - drejtori u referohej vendeve të ish-Jugosllavisë. Nga ana tjetër firmosja e traktaktit të anëtarësimit në Bashkimin Europian nga Kroacia tregon qartë se ky proces i zgjerimit vazhdon edhe pse paksa i ngadaltë. Natyrisht në Kroaci do të ketë edhe një referendum për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe fill pas tij Kroacia do të jetë vendi i 28-të i Bashkimit Europian në korrik të vitit 2013. Por edhe fqinjët tanë të Malit të Zi janë përgëzuar nga Këshilli europian për progreset që kanë kryer deri tani. Sidoqoftë edhe për shtetin e vogël fqinj flitet se do të jetë qershori i vitit 2012, data kur ndoshta Komisioni mund të hapë negociatat për anëtarësimin e Malit të zi në Bashkimin Europian. Një tjetër vend ballkanik, Serbia në këtë rast, duket se shpresonte shumë nga takimi i Brukselit, por në dokumentin final të përgatitur për Serbinë vihej re se “ka progres të konsiderueshëm” madje komisioni “përgëzonte faktin që Serbët kishin filluar dialogun Beograd – Prishtinë”. Sidoqoftë Serbisë  i është mohuar statusi i vendit kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Flitet se Serbia do të merret në konsideratë në shkurt të vitit 2012, gjithsesi komisioni ka shtuar se do të shihet (edhe atëherë) si do të jenë raportet mes Serbisë dhe Kosovës. Sidoqoftë situatë në Serbi nuk është nga më të mirat. Sipas presidentit Boris Tadiç ka parti serbe që janë kundra Europës dhe shohin ende nga Moska duke kultivuar nacionalizmin serb. Sipas disa analistëve perëndimorë pranimi i Serbisë në Bashkimin Europian ka të bëjë kryesisht me Kosovën. Serbia duhet të njohë shtetin e ri të Kosovës dhe nuk duhet të nxisë përleshjet mes serbevë dhe ushtarëve të Nato-s që po ndodhin në veri të Kosovës ku janë plagosur disa ushtarë gjermanë të Kfor-it. Natyrisht këto ngjarje të fundit kanë shtuar edhe më tepër dyshimet e qeverisë gjermane për anëtarësimin e Serbisë në Bashkim Europian.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›