E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformat e qeverisë Berisha mundësuan anëtarësimin e Shqipërisë në NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hoop Schefer, flet një ditë pas anëtarësimit zyrtar të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke vlerësuar kontributin e reformave në përmbushjen e standardeve, por edhe mbështetjen masive të shqiptarëve për kursin euroatlantist të qeverisjes

TIRANE - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hoop Schefer ka vlerësuar një ditë pas anëtarësimit të Shqipërisë në organizatën e Atlantikut të Veriut, reformat e bëra në vendin tonë gjatë viteve të fundit, si një kusht i përmbushur që mundësuan këtë anëtarësim.
Me këtë rast ai ju ka drejtuar një mesazh gjithë qytetarëve të Shqipërisë, duke thënë se janë ata që bashkë me qeverinë e kryeministrit Berisha kanë bërë të mundur që reformat të realizohen me sukses.
Sipas kreut të NATO-s, anëtarësimi është një rezultat shumë i madh i arritur nga Shqipëria dhe se reformat duhet të vazhdojnë me intensitet më të madh.
“Para së gjithash besoj se rruga drejt anëtarësimit në NATO është e gjatë dhe e stuhishme dhe Shqipëria ka pasur shumë për të bërë në reformimin e shoqërisë së saj. Shqipëria nuk e bëri këtë vetëm për hir të NATO-s por edhe për veten e saj. Ratifikimi i traktatit tregon se parlamentet e aleateve mendojnë se Shqipëria ka shënuar progres në reforma, por reformat duhet të vazhdojnë”, tha Schefer.
Në vijim Schefer, përqendrua në sfidën më të madhe të vitit, zgjedhjet parlamentare.
“Zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë të lira dhe transparente. Zgjedhjet do të vëzhgohen me lupë te madhe, a janë të lira dhe transparente”, shtoi kreu i NATO-s.
Schefer foli edhe për ngjarjen tragjike të Gërdecit.
“Ai shpërthim ishte një ngjarje dramatike dhe të shpresojmë se nuk do të ndodhë kurrë më”, u shpreh Schefer.
Në lidhje me pjesëmarrjen e mundshme të Shqipërisë në misionin në Kosovë, Schefer deklaroi se vendimin nuk e merr NATO por vetë qeveria dhe Parlamenti Shqiptar.
“Nuk e vendos unë që Shqipëria të marrë pjesë në misionin në Kosovë, por qeveria dhe Parlamenti Shqiptar. E lavdëroj Shqipërinë për zërin moderues që është dëgjuar fortë dhe qartë në rajon. Shqipëria është e rëndësishme si zonë paraprake për trupat e NATO-s në Kosovë”, nënvizoi sekretari Schefer.
Në vijim të intervistës dhënë gazetares së “Top Channel” në Bruksel, shefi i NATO-s tha se, në Samitin e Strasburgut dhe Kehlit, në krye të tryezës do të ulen përfaqësuesit e vendeve pritëse, Nikola Sarkozi e Angela Merkel dhe më pas Shqipëria.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jap de Hoop Schefer, nuk përjashtoi edhe mundësinë e një vizite në Shqipëri, në ditët e fundit të mandatit të tij në këtë post.
 “Fillimisht do fokusohem në Samit dhe më pas do nis një turne lamtumire ku do të vizitoj dhe Tiranën e Shqipërinë”, përfundoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hoop Schefer.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›