E Diel, 1 Nëntor 2026

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, fryt i sukseseve të qeverisë “Berisha”

Deputetët e së djathtës vlerësojnë procesin e aderimit të Shqipërisë në Aleancën Atlantike

TIRANE - “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi falë rezultateve që qeveria arriti në implementimin e reformave dhe standardeve të kërkuara”.
Kështu është shprehur dje në Kuvendin e Shqipërisë zëdhënësi i grupit parlamentar demokrat, Aldo Bumçi, duke hedhur kështu poshtë qëndrime cinike të një pjese të lidershipit opozitar të majtë.
“Shqipëria ka qenë vendi i parë në Evropën Juglindore që kërkoi anëtarësimin në NATO. Nuk na anëtarësuan as në vitin 1993 dhe as në vitin 1994, as në 2003 dhe as në 2004. Sot ne jemi anëtar me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Nëse Shqipëria do të ishte vendi që nuk lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar. A do të anëtarësoheshin në NATO. Përgjigjja është jo. Nëse Shqipëria ashtu siç thotë opozita është vendi ku nuk respektohen të drejtat e njeriut ku mbizotëron pasiguria për jetën. A do të anëtarësoheshin në NATO. Nuk do të anëtarësoheshim. Nëse Shqipëria është vendi ku qeveria vë nën kontroll institucionet e pavarura sërish nuk do të anëtarësoheshim në NATO”, u shpreh Bumçi.
Ndër të tjera ai theksoi se kjo është Shqipëria sipas besimit të opozitës sipas së cilës edhe vlerësimet e zyrtarëve më të lartë të BE dhe NATO janë të pabaza. Gjithashtu Bumçi theksoi se nëse Uashingtoni, Berlini, Roma, Parisi etj do ta shikonin Shqipërinë me sytë e opozitës ne sot nuk do të ishin në NATO. NATO, theksoi më tej deputeti demokrat, është përgjigja më e mirë për nivelin që ekziston si alternativë opozitare.
“Dëgjojmë nga opozita që thuhet se NATO ishte për shkak të arsyeve gjeostrategjike, ishte arsye kohe që Shqipëria të anëtarësohej. Koha nuk vë asgjë në lëvizje nëse nuk lëvizim ne që të vendosim gjerat në lëvizje. Shqipëria është ftuar nga vendet e NATO, dhe NATO është prezente në rajon e në Kosovë. S’kishte asnjë arsye që të nxiste anëtarësimin tonë”, nënvizoi zëdhënësi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Gjithashtu Bumçi tha se NATO nuk është një dhuratë dhe Shqipëria është sot në NATO pasi “ndryshe nga viti ’93 ne e meritojmë anëtarësimin në NATO”.
“Ne bëhemi pjesë e organizatës që ka ndryshuar historinë e Evropës, Evropa Perëndimore ka përjetuar dy luftëra botërore. Ata që lindën në luftën e parë botërore u bënë ushtarë në luftën e dytë, gjithçka ndryshoi pas vitit 44 sepse në themelet e asaj që është Evropa e re është NATO. Është NATO mrekullia e ndryshimit të Evropës dhe sot ne bëhemi pjesë e kësaj organizate që siç ndryshoi Evropën perëndimore po ndryshon edhe Evropën lindore. Një shembull i mirë jemi ne shqiptarët. Shqipëria lë mbrapa një histori dhe hap një histori në një vend më të sigurt”, përfundoi Bumçi.
 
Ferdinand Xhaferri: Opozita të dalë nga paniku i zgjedhjeve të 28 qershorit
Deputeti demokrat, njëherazi Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun në selinë blu, Ferdinand Xhaferri, i bëri dje thirrje opozitës së majtë dhe kryesisht deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Socialiste që të largojë panikun e zgjedhjeve dhe të festojë hyrjen e Shqipërisë në NATO.
“Për vetëm dy ditë hiqni panikun e zgjedhjeve. Nuk është mirë që edhe këto dy ditë të dëshmoni që jeni në panik”, është shprehur dje në seancë plenare Xhaferri.
Gjithashtu ai theksoi se nuk është mirë për askënd që opozita po rreshtohet te 5 përqindëshi që është antiNATO.
“Ju, nuk jeni tek 5 përqindëshi, ju jeni opozita kryesore në vend dhe nuk e meritoni të jeni aty”, tha Xhaferri më tej.
Duke theksuar se anëtarësimi në NATO është vlerësim për reformat e thella të qeverisë gjatë katër viteve, deputeti demokrat nënvizoi se mazhoranca në këtë proces dha garanci për të ardhmen e vendit.
“Edhe pak orë na ndajnë nga ngjarja e madhe e madhe dhe nga realizimi i dëshirës së 95 për qind të shqiptarëve kudo ku janë brenda dhe jashtë kufijve. Sot Shqipëria është e aftë për të qenë anëtare me të plota në NATO. Për 18 vite kemi qenë të aftë të bëjmë një politikë të mirë në rajon, së bashku për këto vjet kemi qenë të aftë të japim kontribute për luftën anti terrorizëm. Ne këto tre vite dëshmuam se jemi të aftë të ndërtojmë një shtet dhe të luftojmë krimin e organizuar. Edhe pse nuk kemi pajisjet ne kishim vullnetin që ta luftonim krimin njëlloj si vendet anëtare të NATO dhe ndaj ne sot po anëtarësohemi”, theksoi më tej deputeti demokrat.
Ndërkaq Xhaferri nënvizoi se kjo ngjarje tregon qartë se kjo qeveri është e aftë të kthejë besimin tek qytetarët shqiptarët se mund të luftojë korrupsionin.
“Këtë e ka pohuar në raportin e tij të fundit edhe Departamenti amerikan i Shtetit. Ne këto 3 vite dëshmuam që të kemi një qeveri dora e së cilës ndihet nga biznesi e deri te pensionisti”, tha Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›