E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Reformat e qeverisë, histori suksesi - 23 qershori, fitore e merituar e PD”

17-02-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha bashkëbisedon me qytetarë dhe fermerë të Lushnjës mbi projektin e “Shqipërisë së zhvilluar evropiane”.


Deklarata: “Kongresi i Lushnjës e meriton 100 për qind të jetë festë kombëtare”


Kryeministri Sali Berisha ishte dje pranë qytetarëve të Lushnjës, në një bashkëbisedim të zgjeruar me ta, nga ku dëgjoi mendimet, opinionet, vërejtjet dhe sugjerimet të tyre lidhur me problematika të ndryshme në vend, për të cilat, kryeministri u shpreh do të reflektohen për të pasur një program sa më pranë qytetarit, në projektin e madh  “Shqipëria e Zhvilluar Evropiane”. Në takimin, i cili vijoi konsultimet me qytetarët, Kryeministri priti me interesim dhe iu përgjigj një sërë pyetjesh dhe shqetësimesh, nga ana e tyre, me premtimin se mandati i ardhshëm qeverisës do ta bëjë Shqipërinë, ashtu si çdo qytetar e ëndërron atë. Në nisje të fjalës së tij, Berisha ka përmendur reformat e arritura nga qeveria e tij, të cilat përbëjnë histori suksesi, por informoi se ka një projekt të shkëlqyer për zhvillimin e Shqipërisë, i cili do marrë jetë pas pasqyrimit të ideve të qytetarëve. “Ne vijmë, pasi nga viti 2005 e deri më sot ne kemi shënuar së bashku ndryshimet më të thella në historinë e këtij vendi. Ne së bashku arritëm gjatë kësaj periudhe që Shqipërinë ta anëtarësojmë në NATO; së bashku arritëm që sot lëvizim të lirë në mbarë Evropën; së bashku arritëm që në kohën e krizës më të thellë që bota dhe Evropa ka njohur, Shqipëria të mbetet e pa përfshirë nga kriza dhe të mos njohë recensionin; së bashku ne arritëm të mbledhim nga taksat dhe tatimet, falë sistemit të ri fiskal nga ulja e tyre, 9.2 miliard dollarë më shumë se qeveria e mëparshme në 8 vite; së bashku ne arritëm që me këto shuma të mbledhura të ndërmarrim projektin më ambicioz në historinë e vendit, të ndërtojmë dhe rindërtojmë një rrjet rrugor, më modernin, më të mirin në rajon dhe më gjerë. Sot, ju jeni dëshmitarë që mësuesit e fëmijëve tanë paguhen 120 deri në 150 për qind më shumë se sa paguheshin në vitin 2005. U zotuam se do të shpërbleheshin mjeket dhe infermierët për një shërbim shëndetësor më të mirë. Ne kemi rritur rrogat e tyre nga 130 deri në 160 për qind. U zotuam se do të bëjmë gjithçka për të mbështetur fermerët shqiptarë. Unë ju garantoj ju se investimin më kryesor në këto 8 vite është bërë në Shqipërinë rurale, është Shqipëria rurale që ka marrë investimet më kryesore në rrugë, ujësjellës, kanalizime. Reformat tona janë histori suksesi, por le të punojmë së bashku ti bëjmë edhe më të suksesshme ato”, u shpreh Berisha në nisje të takimit me qytetarët dhe fermerët e Lushnjës. I pyetur në lidhje me datën e Kongresit të Lushnjës (21 janar 1920), e cila ende nuk është shpallur festë kombëtare, Berisha u shpreh se do e shqyrtojë këtë propozim të qytetarëve. Sipas tij, Kongresi i Lushnjës është “de facto” jetësimi i pavarësisë së shqiptarëve, themelimi jo vetëm i pluralizmit, por i tërë sistemit demokratik modern i Shqipërisë. Fermerët iu drejtuan kryeministrit, për të mësuar më shumë rreth heqjes së TVSH-së për makineritë e prodhimit bujqësor. Berisha tha se ky vendim i qeverisë nxit rritjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik. Ata morën premtimin nga kreu i qeverisë, për t’i dhënë prioritet prodhimeve vendase, duke gjallëruar kështu tregun shqiptar. 23 qershori, në këndvështrimin e kryeministrit do dita e fitores së madhe të Partisë Demokratike, kjo si meritë për premtimet e mbajtura.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›