E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja si onomatope

17-02-2013 / Nga Alban Bokshi

Çfarë kuptimi ka Evropa për ne? Çfarë kuptimi ka ajo për ne, shqiptarët e Kosovës? Sepse realisht, Evropa ka të bëjë me ne shqiptarët, jemi ne ata që i jemi lyer asaj nga prapa si shotat e vogla që i vihen prapa mëmës shotë. Sepse më duket që vetëm ne shqiptarët nga e tërë popullata e Kosovës kemi një lloj dashurie të veçantë për të e që në fakt nuk është fare dashuri. Ç’është e vërteta, një observim i këtillë mund të zgjerohet për të përfshirë edhe Shqipërinë, e cila me sa duket është zëvendësuar nga Evropa në rolin e mëmës shotë. Në kontekst rajonal kjo dashuri për Evropën përbën veçantinë shqiptare mes popujve të Ballkanit, atë origjinalitetin tonë të munguar. Kjo pyetje nuk ka të bëjë me integrimin në Bashkimin Evropian (BE), me plotësim kriteresh kopenhage; as me artikulim idealesh “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” apo me “Rikthimin në Evropë”, siç e kishin artikuluar dëshirën e tyre për “rikthim” popujt e lindjes apo rilindësit tanë gati dy shekuj më parë. Kjo pyetje ka të bëjë me ne që e duam Evropën dhe jo me të, së cilës ne i kemi rënë në qafë. Është pyetje njëdrejtimëshe. Çfarë është Evropa? Kush është Evropa? Çfarë do të thotë Evropë? Çfarë themi kur themi Evropë? Çfarë mendojmë dhe çka kemi parasysh kur themi Evropë? Jemi ne ata nxënësit e dobët (se rebelë zor që jemi) që përsërisim BE pa pushim. Për ne BE-ja duket se është vetëm onomatope. Ne blegërijmë e blegërijmë, pa pushim. Nuk është se kërkojmë diçka nga ajo. Jo, se delja nuk është se kërkon diçka kur blegërin, kur lëshon zëra të paartikuluar. Për të ata zëra janë gjendja e saj. Nuk është duke kërkuar asgjë të veçantë kur bën ‘beee’, thjesht ashtu ajo është në gjendjen e saj natyrale. Ndërsa kur bën BE shqiptari, çfarë kërkon ai? A është edhe ai në gjendjen e tij natyrale kur e nxjerr ngoje rrokjen BE? A blegërin apo thotë diçka më shumë? Apo ndoshta ai kërkon mu si delja, pa e ditur as vetë përse, veç të bëhet pjesë e turmës? Pra të jetë thjesht një dele me lesh që nxjerr zëra të paartikuluar. Kam përshtypjen se ai ndihet i vetmuar, i mjerë në stallën e tij, prandaj kërkon të ikë nga ajo dhe të bëhet një dele qyteti. Një dele evropiane.
Në një artikull në gazetën “The Guardian” shkrimtari turk Orhan Pamuk jo shumë kohë më parë ngrinte pyetjen “Çfarë do të thotë, me të vërtetë Evropë?”. Pamuk e ngrinte këtë pyetje në kontekst të aspiratës turke për t’u integruar në BE duke ngritur në të njëjtën kohë pyetjen e dytë që në kontekstin turk lind vetvetiu nga pyetja e parë ‘A është BE-ja një klub i krishterë?’. Një pyetje kjo që duket se përbën thelbin e marrëdhënies së ndërlikuar Turqi – BE, që prek thelbin e tensioneve të kohëpaskohshme mes shtetit turk dhe BE-së. Turqia kërkon të bëhet pjesë e Evropës, të pranohet si e tillë. Por në proces ajo e ngre pyetjen “Çfarë do të thotë me të vërtetë Evropë?”.
Ky përkufizim i Evropës e këto kërkesa për rinegociim të këtij nocioni, këto pyetje për Evropën nuk janë të reja dhe as nuk po shtrohen për herë të parë. Intelektualë e politikanë polakë, hungarezë e çekë vazhdimisht janë marrë e merren me pyetje rreth Evropës. Ish-presidenti çek Vaclav Klaus, një euroskeptik famëkeq, ka shkruar disa libra mbi Evropën ku ka elaboruar pikëpamjet e tij mbi kontinentin politik. Ata nuk janë marrë me të vetëm si ideal të artikuluar përmes parullës së mirënjohur “Rikthim në Evropë”, nuk e kanë kërkuar Evropën vetëm si mirëqenie, si liberalizim vizash e siguri kolektive. Ata kanë kërkuar diçka nga ajo, kanë kërkuar jo vetëm të jenë pjesë e saj, por edhe ta ripërkufizojnë; kanë kërkuar ta kuptojnë, ta njohin, kanë shtruar pyetje thelbësore mbi qenien e saj, mbi fondamentet e saj. Kanë kërkuar ta sjellin Evropën në shtëpi, e jo vetëm të “hyjnë” në të. Ata janë bërë pjesë e Evropës jo duke u “evropianizuar”, por duke e krijuar edhe një copëz Evrope në shtëpitë e tyre, duke e ripërkufizuar dhe zgjeruar kuptimin e saj.
Evropa si organizëm dhe si identitet politiko-kulturor përbëhet nga materie të lëngshme, të cilat si të tilla kurrë nuk marrin një formë përfundimtare, por janë vazhdimisht në formësim e sipër. Po them Evropë sepse projekti europerëndimor për BE-në ka uzurpuar “Evropën” si nocion jo vetëm gjeografik që kap tërë kontinentin, por veçanërisht si nocion kulturor e politik. Debati mbi Evropën po zien në Evropë, i cili ka marrë hov nga kriza financiare në BE ku secili shtet po kërkon ta formësojë atë sipas nevojave dhe interesave të veta. Pyetjet dhe dilemat që shtrohen janë fondamentale, disa prej tyre parashikohet se mund të çojnë edhe deri te shkatërrimi i unionit. Kryeministri britanik David Cameron paralajmëroi mundësinë e një referendumi mbi Evropën në Britani nëse partia e tij fiton në zgjedhjet e ardhshme kombëtare. Britanikët njihen për euroskepticizmin e tyre dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me ekonominë. Ata gjithmonë e kanë parë Evropën me skepticizëm dhe pragmatizëm, duke e rinegociuar vazhdimisht marrëdhënien e tyre me të.
Në anën tjetër, në një cep të Evropës, një copë vend i varur për kontinent si qengji i therur në çengel vazhdon qorrazi “integrimin evropian”, duke e kuptuar këtë “proces” si të vërtetin për reformim shoqëror. Ç’është e vërteta, çështjet e “integrimit evropian” janë çështje teknike që kërkojnë një vullnet të caktuar politik dhe veçanërisht një administratë civile të kualifikuar. Në Kosovë është shkolluar një armatë e tërë teknikësh me dije të specializuar administrative mbi procesin e integrimit në BE si juristë, ekonomistë, studiues shkencash politike, gazetarë, ekspertë të energjisë dhe mjedisit, etj. Dhe kjo është e tëra që i duhet një vendi për integrim në BE: një armatë specializantësh, ca thithës fondesh nga shoqëria civile, nja dy-tre ministra entuziastë për BE-në dhe një kryeministër që pëlqen të fotografohet.
Zaten rrugëtimi i Kosovës në të ashtuquajturin proces të “integrimit evropian” ndjek një rrugë të rrahur më parë nga ne. Pothuajse të gjitha proceset e mëdha politiko-shoqërore nëpër të cilat ka kaluar Kosova viteve të fundit janë karakterizuar nga mungesa e debatit. Shpallja e Pavarësisë dhe miratimi i Kushtetutës së vendit u dirigjuan në mënyrë të centralizuar të përcjella me mohim të plotë debati, bile edhe shtypje të tij me dhunë. Qytetarët nuk e kishin idenë se çfarë pavarësie po shpallej e as çfarë kushtetute po miratohej, askush nuk ngrinte asnjë pyetje por të gjithë ishin të lumtur. Zhgënjimi erdhi më vonë. Një ditë do të jemi të lumtur pse kemi hyrë në BE, sepse do të hyjmë disi (duke supozuar se ajo do të vazhdojë së ekzistuari). Se pse duam të hyjmë në BE, se çfarë duam nga ajo, se si do të hyjmë, se çfarë përfaqëson ajo, se kush do të jemi pasi të hyjmë, se kush duam të jemi ne në vetvete në radhë të parë, janë pyetje që konsiderohen irrilevante në ambientin tonë krahinor. Përgjigjet e këtyre pyetjeve merren si të mirëqena dhe rrjedhimisht nuk ekzistojnë. Evropa është ideali ynë që simbolizon lirinë, mirëqenien dhe sigurinë kolektive dhe ne duam të hyjmë në të sido që të mundemi, kështu qorrazi. E një ditë kur të hyjmë, në tërë budallallëkun e lumturisë sonë ndoshta do të kujtohemi të pyetemi sikurse Estragoni i Beckettit: tani që jemi të lumtur, çfarë do të bëjmë?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›