“Reformimi i SHISH-it dhe i Policisë Gjyqësore - prioritetet e mazhorancës”

Kryeministri Berisha rithekson progresin reformator dhe përcakton objektivat e ardhshme Shumica parlamentare është e vendosur për ecurinë e reformave në vend, në veçanti kjo në disa prej institucioneve të rëndësishme të vendit. Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kryeministri Berisha tha se ndërmarrja e një nisme të re në lidhje me Shërbimin Informativ Kombëtar synon një përcaktim më të qartë të detyrave të këtij institucioni dhe në mënyrë të veçantë mandatin për kreun e këtij dikasteri dhe numrin dy të tij. “Ligji i dytë që ju keni në shqyrtim është ligji i disa ndryshimeve në ‘Ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror’. Me këto ndryshime synohet së pari, përcaktim më i qartë i detyrave të Shërbimit Informativ Shtetëror në kushtet aktuale. Cilësore do të thosha unë është vendosja e veprës së korrupsionit për personin publik. Nuk është një kjo një inventim i imi apo i qeverisë; kjo është një praktikë, të cilën e kanë vendosur në ligj vende të tilla Polonia dhe vende të tjera. Kështu që mendoj se kjo është e domosdoshme. Së dyti, dua të theksoj se midis Shërbimit Informativ dhe Policisë ekziston një bashkëpunim i frytshëm dhe unë dua t’ju garantoj ju se kontributi i Shërbimit në luftën kundër trafiqeve, është shumë i rëndësishëm. Në ligj përcaktohet më qartë detyrimi ligjor i bashkëpunimit, por në këtë nen, vetë shërbimi ka sjellë disa propozime, pasi u miratua ligji në qeveri. Unë ju ftoj që ato t’i shqyrtoni, sepse shërbimi ka bërë propozime, gjykoj të dobishme, si në këtë nen, ashtu edhe në ndërhyje në nenin 14, si dhe propozime të tjera”, u shpreh kryeministri Berisha.Gjatë mbledhjes kryeministri tha se një tjetër risi që vjen në këtë ligj është dhe angazhimi për herë të parë i Parlamentit në emërimin e drejtuesve të SHISH-it.“Një risi tjetër e këtij ligji, është risia e angazhimit të parlamentin në procesin e emërimit të drejtuesve kryesorë. është një standard normal, që parlamenti duhet të ketë një fjalë, që komisioni për sigurinë duhet të ketë një fjalë, për kandidaturat që propozohen për drejtimin e Shërbimit Informativ Shtetëror. U ruajt sërish, ndonëse Kushtetua parashikon vetëm për drejtorin, e njëjta procedurë edhe për zëvendësdrejtorin. Ligji përcakton që në rrethana të caktuara zëvendësdrejtori kryen detyrat e drejtorit, kur ky mungon për arsye shëndetësore, ose për arsye tjetër dhe këtu bëhet një qartësim: ligji përcakton mandatin. Nuk mund të ketë vend të lirë, në të cilin Shërbimi Informativ Shtetëror, nuk ka një mandat të përcaktuar”, vuri në dukje Berisha duke theksuar se “pa mandat, shërbimet janë vetëm në regjimet totalitare”. Sipas kryeministrit, “në këtë kontekst është zgjedhur një mesatare, ka vende që e kanë e 3 vjet, 4 vjet, ka vende që e kanë 7 vjet, ne preferuam që të caktojmë mandatin 5-vjeçar, si një mandat me të drejtë përsëritje për herë të dytë. U ruajt e njëjta procedurë siç theksova për drejtorin dhe zëvendësdrejtorin, pra kryeministri para se t’i propozojë presidentit emrat, merr pëlqimin e komisionit të sigurisë dhe procedon më tej”, tha Berisha.Kreu i ekzekutivit u ndal në mënyrë të veçantë dhe tek projektligji kundër diskriminimit. Këto praktika, tha numri një i qeverisë, që përcaktojnë një qëndrim të ri të mazhorancës ndaj fenomeneve diskriminuese në shoqëri.Një tjetër nismë me rëndësi të veçantë është “Ligji për Policinë Gjyqësore”, i cili pritet t’i nënshtrohet një reformimi të gjerë. Sipas kryeministrit, disa aspekte të veprimtarisë së këtij institucioni do të vendosen mbi baza ligjore të reja.“Edhe ky ligj synon një reformim të mëtejshëm, të veprimtarisë të Policisë Gjyqësore, vendosjes në baza ligjore të reja të disa aspekteve të kësaj veprimtarie. Natyrisht, kushtetuta e vendit, drejtimin e hetimit ia ka dhënë prokurorit. Ky është varianti që ekziston në Shqipëri, besoj se duhet të ekzistojë edhe në vende të tjera, disa vende të tjera e kanë vetëm policia. Ne do t’i përmbahemi plotësisht prerogative kushtetuese, një memorandum është firmosur më përpara midis prokurores së përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme. Memorandumi gjykoj se përbën një bazë solide për t’u amenduar ligji mbi frymën dhe parimet e vendosur në këtë memorandum, duke pasur parasysh se kushtetuta e vendit, hetimin ia njeh si detyrë prokurorit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, si udhëheqje”, deklaroi kryeministri Sali Berisha.
...