E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapja e dosjeve për bashkëpunëtorët e Sigurimit, një angazhim institucional i PD-së

Në emër të mazhorancës, deputetja Mesila Doda ka konfirmuar dje se Ligji për Hapjen e Dosjeve të Sigurimit komunist mbetet një prioritet i së djathtës dhe se pas bllokadës që ngritën gjyqtarët e Kushtetueses - në konflikt interesi - do paraqitet edhe para Gjykatës së Strasburgut Mazhoranca jo vetëm që nuk do të tërhiqet nga një ligj i rëndësishëm si ai i lustracionit, edhe pse Gjykata Kushtetuese e rrëzoi atë, por do të organizojë një referendum popullor për këtë çështje. Deputetja demokrate Mesila Doda deklaron se ligji i ri për të hapur dosjet do të jetë së shpejti në parlament. “Së pari, paraqitja e një ligji të ri në parlament për pastërtinë e figurave të shtetit shqiptar. Së dyti dërgimi i këtij ligji në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ju bëj me dije gjithashtu se së bashku me kolegë të tjerë nuk do ngurojmë që të ndërmarrim nismën e një referendumi popullor për këtë çështje madhore. Do marrim këtë nismë në mënyrë që xhelatët të mos qëndrojnë më në pushtet dhe që Shqipëria të ndahet një herë e përgjithmonë nga e kaluara e saj komuniste”, tha deputetja Mesila Doda. Sipas saj, për mazhorancën vendimi unanim për të shpallur antikushtetues ligjin e lustaracionit, vjen nga një trupë gjykuese tërësisht në konflikt interesi, e cila prekej prej tij. “Gjykatësit që votuan për abrogimin e ligjit janë po ata që kanë marrë vendime për vrasje njerëzish të pafajshëm deri në vitin ‘89. Janë po ata mbi të cilët rëndojnë krimet më të rënda kundër njerëzimit në këtë vend”, tha Doda.Deputetja demokrate vuri në dukje se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është akti më i rëndë që i bëhet mbështetjes së krimeve të rënda kundër njerëzimit të sistemit komunist. Sipas saj, Gjykata Kushtetuese mori një vendim të tillë nën presionin e egër të Edi Ramës.  “Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin për pastërtinë e figurave të shtetit shqiptar, kjo edhe falë presionit politik të opozitës dhe personalisht të Edi Ramës ndaj kësaj trupe gjykuese. E cilësoj këtë si aktin më të rëndë në mbështetje të krimeve të rënda kundër njerëzimit të sistemit komunist, krime të cilat janë kryer sistematikisht në këtë vend për 50 vjet rresht. Vendimi i gjykatës Kushtetuese është në dhunim flagrant të direktivës së 23 qershorit 2008 te Gjykatës së Strasburgut mbi konfliktin e interesit të trupave gjykuese dhe të parimit universal të konfliktit të interesit”, tha ajo. Edhe të përndjekurit politikë kërkojnë hapjen e dosjeve, madje paralajmërojnë dhe protesta. Gjykata Kushtetuese pati pezulluar ligjin e spiunëve deri në një vendim të komisionit të Venecias. Sipas këtij institucioni ndërkombëtar, ligji në fjalë ishte antikushtetues. Të njëjtin verdikt ka dhënë në unanimitet, por disa muaj më vonë dhe Kushtetuesja.Duke dashur të fshihen pas gishtit, socialistët u shprehën se ishin për një ligj të ri për hapjen e dosjeve, duke harruar se ishin ata që e atakuan projektin në Gjykatën Kushtetuese, e stërpopulluar me gjykatës që ishin protagonistë në proceset që kërkonin gjatë diktaturës të zgjasnin jetën e regjimit të Enver Hoxhës, Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›