E Diel, 1 Nëntor 2026

Reformohet sektori minerar me nje pakete te re ligjore

Ministria e Ekonomisë, ka finalizuar reformimin e sektorit minerar dhe ka shpallur 36 zonat e para konkurruese.

Sipas kësaj ministrie, është përfunduar paketa e re ligjore për zhvillimin e veprimtarive minerare në Shqipëri, në kuadër të reformimit të sektorit minerar.

Risitë e kësaj pakete ligjore konsistojnë në mirë administrimin e pasurive minerare dhe shfrytëzimin racional të tyre, në një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit në respekt të ambientit ku jetojmë dhe të certifikuar nga komuniteti.

Planifikimi minerar, garancitë financiare për realizimin e investimit dhe reabilitimin e zonës minerare, menaxhimi i mbetjeve, transparenca e procesit të lejedhënies dhe dixhitalizimi i të dhënave minerare për promovimin e tyre janë disa nga konceptet e reja që parashikon kjo pakete e re ligjore.

Gjithashtu, mbi bazën e planit vjetor minerar, ministria do të realizojë këtë vit procedurat e konkurrimit për 151 zona minerare si dhe për rreth 20 objekte minerare dhe mbetjesh minerare të ish-ndërmarrjeve shtetërore.

Procedurat konkurruese janë parashikuar të realizohen çdo javë për 20 zona konkuruese.

Aktualisht, janë publikuar 36 zona.

Pjesa tjetër do të publikohet në ditët në vijim.

METE, fton të gjitha subjektet e interesuara të marrin pjesë në këtë proces për t’i dhënë një shtysë zhvillimit të sektorit minerar, si një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së vendit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›