E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzimi i statusit, KE: Politika shqiptare u dominua nga ngërçi

Progres-raporti i Komisionit Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në përmbushjen e kriterit politik për anëtarësimin në BE. “Numërimi i diskutueshëm i votave në zgjedhjet e 8 Majit shtoi polarizimin politik mes mazhorancës dhe opozitës. Ka pasur shqetësime për pengim të hetimit për 21 Janarin”

Skena e politikës shqiptare është dominuar nga vazhdimësia e ngërçit politik dhe e bojkotit parlamentar nga opozita. Ky bllokim e ka zanafillën që prej zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2009. Rezultati i këtyre zgjedhjeve, i konsideruar nga OSBE/ODIHR se përmbushi pjesën më të madhe të standardeve ndërkombëtare, megjithë të metat e evidentuara, u kontestua nga Partia Socialiste. Incidentet e dhunshme të 21 Janarit, të cilat çuan në vdekjen e 4 demonstruesve acaruan klimën e mosbesimit mes dy partive të mëdha politike si dhe në drejtim të institucioneve të caktuara të shtetit. Zgjedhjet lokale të 8 Majit, si pasojë e numërimit të diskutueshëm të votave të hedhura në kutitë e gabuara dhe kontestimit të rezultatit në Tiranë theksoi edhe më tej polarizimin mes mazhorancës në pushtet dhe opozitës. Të gjitha këto ngjarje devijuan vëmendjen nga politikat reformuese, aq shumë të nevojshme të Bashkimit Europian. Përkundër këtij mjedisi, qeveria bëri disa përpjekje për të ecur përpara me axhendën e integrimit në BE, e veçanërisht me përgatitjen e një Plan-Veprimi për të adresuar rekomandimet e vitit 2010 të opinionit të Komisionit. Këto përpjekje u pasqyruan nga një bashkëpunim i mirë mes mazhorancës dhe opozitës për Panin e Veprimit në komisionin parlamentar për Integrimin Europian dhe punën e përbashkët për arritjen e marrëveshjeve mbi reformat e nevojshme. Përpjekjet për të ngritur grupet e punës për reformën elektorale, përfundimisht kanë ngecur. Më 5 shtator, opozita i dha fund bojkotit dhe iu rikthye punimeve parlamentare. Mbi të gjitha, Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në përmbushjen e kriterit politik për anëtarësimin në BE.

Parlamenti

Progres modest është bërë në organizimin e punimeve të Parlamentit. Këtu përfshihet një numër i kufizuar i përmirësimit të rregullave dhe procedurave parlamentare, si për shembull spostimi i debatit të lirë në fund të seancës plenare, një përmirësim ky nga praktikat e kaluara. Përmirësimet e tjera përfshijnë ndryshimet e bëra me urdhër të Kryetares së Kuvendit gjatë muajit janar, për caktimin e axhendës së komisioneve parlamentare nga kryetarët, transkriptimin e plotë e më pas publikimin e procesverbaleve të seancave parlamentare, si dhe të mbledhjeve të komisioneve parlamentare. Gjithsesi, puna parlamentare vazhdon të pengohet seriozisht nga ngërçi politik mes mazhorancës dhe opozitës, nga mungesa e dialogut konstruktiv politik dhe rritjes së retorikës konfrontuese, të ndezur pas ngjarjeve të 21 janarit dhe procesit të diskutueshëm dhe rezultatit të zgjedhjeve për kryebashkiakun e Tiranës. Bojkoti i pjesshwm i opozitws ka penguar punwn e parlamentit. Për shkak të bllokimit politik, mbikëqyrja e funksionimit të ekzekutivit si dhe shqyrtimi legjislativ mbeten në nivele të pamjaftueshme. Miratimi i një numri të nevojshëm ligjesh që kërkojnë një shumicë të cilësuar me 3/5, të cilat efektivisht kërkojnë konsensusin e të dyja palëve, është ende në pritje. Këto ligje janë ndër prioritetet kyçe të rekomandimeve të KE. Në qershor, një vendim i Gjykatës Kushtetuese doli në përfundimin se kriteret për emërimin e anëtarëve të gjykatave duhet të përcaktoheshin në bashkëpunim midis Presidencës dhe Parlamentit. Procesi i seancave dëgjimore dhe ai i votimit të dekreteve të Presidentit, të cilat u morën në shqyrtim pas një periudhe pezullimi, vazhduan të sjellin retorikë të politizuar dhe konfrontuese. Parlamenti nuk ka siguruar ende seancë dëgjimore të rregullt dhe proces votimi për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, e cila është një prioritet kyç i Opinionit.

Reforma zgjedhore

Nuk është bërë përparim në kuadrin legjislativ për reformën zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR, i cili mbetet një prioritet kyç i KE. Në tetor 2010 qeveria nisi një tryezë të rrumbullakët ndër-partiake për të adresuar nevojën për reformën zgjedhore. Mazhoranca ftoi të gjitha palët që të propozonin të gjitha amendamentet, në respekt me rekomandimet e OSBE ODHIR. Në mars 2011, një marrëveshje politike u nënshkrua nga partitë e mazhorancës, pa opozitën, për të ngritur një komision parlamentar për reformën zgjedhore, pas zgjedhjeve lokale të 8 Majit. Ky komision ende nuk është ngritur. Reforma zgjedhore është bllokuar nga ngërçi politik dhe nga mungesa e dialogut midis partive.

Zgjedhjet e 8 Majit

Zgjedhjet e 8 Majit u zhvilluan në një atmosferë tejet të polarizuar politike, e cila ndikoi në tërësinë e administrimit të procesit. Sipas vlerësimin përfundimtar të OSBE/ODHIR, zgjedhjet ishin transparente dhe konkurruese, megjithëse mosbesimi mbizotëroi midis palëve politike dhe partitë nuk i përmbushën detyrimet e tyre elektorale, në mënyrë të përgjegjshme. Kjo klimë armiqësore ndikoi në administrimin e zgjedhjeve. Konkluzionet e OSBE/ODHIR-it nënvizuan se edhe pse pati një proces konkurrues në drejtimin e fushatës, incidente të shumta njollosën periudhën e saj. Partitë politike nuk përmbushën kuotat, sipas kritereve gjinore, e cila solli një nivel të ulët të pjesëmarrjes së grave. Progres i dukshëm është bërë për përmirësimin e listave të zgjedhësve. Gjithsesi, problemet vazhduan, në lidhje me saktësinë e tyre. Misioni vëzhgues i OSBE/ODHIR-it vuri në dukje se dita e zgjedhjeve ishte relativisht pozitive, probleme domethënëse u shënuan në 10% të qendrave të votimit. U theksua gjithashtu se procesi i numërimit ka qenë përgjithësisht pozitiv, por i zgjatur. Në veçanti, përcaktimi i rezultatit për zgjedhjet në Tiranë u kthye në një proces shumë të debatuar dhe vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u morën përmes linjave partiake, mangësive në argumentime, duke përfshirë edhe mospërputhje. Polemika politike dhe ligjore përshkuan edhe shqyrtimet në Kolegjin Zgjedhor, veçanërisht çështjeve që lidheshin me Tiranën. Pavarësisht aspekteve pozitive, si konkurrueshmëria gjatë procesit dhe përgatitjeve teknike transparente, një sjellje relativisht e mirë në ditën e votimit dhe procesin e numërimit, pluralizimi dhe diversiteti në mbulimet mediatike, administrimi i zgjedhjeve, i cili është një prioritet kyç i Opinionit, vetëm pjesërisht përmbushën standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Gjithsesi, Kodi Elektoral mbetet një bazë e mirë ligjore dhe teknike për procesin elektoral: reforma elektorale është një domosdoshmëri për progresin e mëtejshëm.

Qeveria

Koalicioni qeveritar mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim mbeti në vend, gjatë periudhës së raportimit. Në janar 2011, pas akuzave për korrupsion, zv.kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Ilir Meta dha dorëheqjen. Lulzim Basha, i cili kandidoi për kryebashkiak në Tiranëm hoqi dorë nga posti i tij si ministër i Brendshëm. Përpjekje të konsiderueshme janë bërë nga qeveria dhe komisioni parlamentar për Integrimin europian për të çuar përpara dhe koordinuar reformat mbi integrimin në BE, veçanërisht në përgatitjen e Planit të Veprimit për të adresuar rekomandimet e Opinionit të KE më 2010.

Administrata publike

Progres i kufizuar mund të raportohet në fushën e reformës për administratën publike, çka është një prioritet kyç për Opinionin. Qeveria ka adoptuar një strategji, duke eksploruar disa ndryshime në kuptimin e një ligji të ri për Shërbimin Civil. Në këtë bazë, amendamentet e ligjit për Shërbimin Civil u përgatitën. Gjithsesi, reforma e administratës publike nuk ka avancuar shumë. Një ndryshim i rëndësishëm legjislativ kërkon 3/5 e votave në Kuvend, njësoj si edhe për procedurat e përgjithshme administrative, ligjin për funksionimin e Administratës Publike dhe Gjykatës Administrative, të cilat janë në pritje për t’u miratuar. E ndërsa amendamentet janë në pritje, Shërbimi Civil vuan nga të meta domethënëse, veçanërisht në respektimin e principit të meritës në procedurat e rekrutimit.

Sistemi Gjyqësor

Është shënuar progres i kufizuar në përmbushjen e sistemit ligjor në reformën gjyqësore. Gjithsesi, ligje të rëndësishme si ato për Gjykatën Administrative dhe amendamentet e Kodit Penal, të cilat kërkojnë 3/5 e votave në Parlament mbeten pezull. Asnjë progres i mëtejshëm nuk është bërë, sa i përket pavarësisë së sistemit gjyqësor. Ka pasur shqetësime mbi ndërhyrjen jo të duhur apo pengim të hetimit të pavarur dhe ndjekjen e veprave të mundshme penale mbi zhvillimet e 21 Janarit, ku u vërejt vdekja e 4 protestuesve. Hapa përpara janë shënuar sa i përket politikave të qeverisë kundër korrupsionit dhe përmirësimin e kuadrit ligjor. Megjithatë, korrupsioni është i pranishëm në shumë fusha dhe mbetet veçanërisht një problem serioz.

KE: Urgjent dialog politik, reformë të plotë zgjedhore

Komisioni Europian u sugjeron forcave politike në Shqipëri që të krijojnë një nivel të tillë dialogu që të lejojë funksionimin e Parlamentit dhe përparimin në rrugën drejt BE-së

Tani është urgjente që forcat politike në Shqipëri të rikrijojnë dhe të mbajnë një nivel të tillë dialogu politik, i cili do të lejojë funksionimin e duhur të institucioneve kryesore demokratike, e veçanërisht Parlamentit dhe përparimin në rrugën drejt Bashkimit Europian. Duhet të identifikohen mangësitë e hasura në dy zgjedhjet e fundit, ato parlamentare dhe lokale, duke realizuar një reformë të plotë zgjedhore konsensuale, duke përfshirë edhe këshilla të jashtme. Të dyja partitë kryesore kanë shprehur si prioritet procesin e integrimit europian. Por është e rëndësishme që partitë politike të angazhohen në një proces të strukturuar dhe të qëndrueshëm, duke punuar së bashku për reformat europiane. Rruga përpara përfshin një proces të shqyrtimit të përbashkët dhe miratimit të planit të veprimit për të adresuar rekomandimet e opinionit me reformat thelbësore, përfshirë punën parlamentare si dhe zgjedhjet. Në përgjithësi, Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në përmbushjen e 12 kritereve të Komisionit, lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit, siç është identifikuar në Opinionin e Komisionit miratuar nga Këshilli në Dhjetor 2010. Ka pasur progres në luftën kundër krimit të organizuar, në përmirësimin e trajtimit të personave të paraburgosur dhe rritjen e të drejtave të fëmijëve, por progresi mbetet i pamjaftueshëm sa i përket sistemit gjyqësor, politikave antikorrupsion, të drejtës së pronës dhe përmirësimit të kushteve të jetesës së komunitetit rom. Shqipëria ka filluar një Plan-Veprimi për të adresuar zbatimin e rekomandimeve të KE, megjithatë duhen përpjekje për të siguruar efektivitetin e veprimeve, përfshirë këtu edhe një bashkëpunim të ngushtë me opozitën. Shqipëria duhet të bëjë një përparim të qëndrueshëm për të ecur në të gjitha çështjet, në mënyrë që komisioni të rekomandojë hapjen e negociatave të pranimit në BE. Shqipëria ka vazhduar të zbatojë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit pa patur probleme. Në dhjetor 2010, ajo përfitoi liberalizimin e vizave me vendet e zonës Shengen, si rezultat i arritjeve të saj të kënaqshme në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për Liberalizimin e Vizave. Komisioni është i angazhuar të vazhdojë mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në BE, duke e orientuar në realizimin e reformave kryesore mbi prioritetet e opinionit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›