Sequi për Raportin: Shqipëria ka një shans të fundit në dhjetor
Ambasadori i BE-së: Ngërçi dhe mungesa e dialogut, arsyet kryesore të refuzimit. Mund të hamendësoj se vendet e BE-së do të merrnin në konsideratë çdo përmirësim
Shqipëria ka dështuar të përmbushë prioritetet e vendosura nga BE 1 vit më parë dhe statusi i vendit kandidat është refuzuar, ndërsa vendi ka marrë notë kaluese vetëm në 3 nga 12 kriteret e përcaktuara. Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë (KE), Ettore Sequi, theksoi dje në konferencë për shtyp mbi Progres Raportin se "Ecuria e Shqipërisë drejt BE-së është ngadalësuar nga ngërçi politik". Sequi ka dorëzuar raportin Presidencës, Kryeministrisë e selisë së PS, ndërsa sot do ta paraqesë atë edhe në Parlament. Përpara gazetarëve ai ka folur me optimizëm për “shenja të dialogut” dhe ka hamendësuar një mundësi rivlerësimi të situatës në vend kur raporti të shqyrtohej nga vendet anëtare në dhjetor, ndërsa ka bërë thirrje për ta vendosur integrimin si prioritet të parë.
Rrëzimi
Bllokimi i ligjeve me shumicë të cilësuar, përparimi i cunguar në reformat e planifikuara, një jetë politike konfliktuale dhe problemet në zgjedhjet e fundit, janë edhe pikat më të dobëta të Shqipërisë, që kanë sjellë edhe rrëzimin e kandidaturës. Kjo është pak a shumë përmbledhja e problematikës së Raportit të Progresit që bëri ambasadori Sequi. Ndërsa në krahun tjetër të peshores ai vendosi vetëm tri nga 12 pikat, në të cilat priteshin përmirësime. Të drejtat e njeriut, të drejtat e të burgosurve dhe trajtimi i tyre dhe lufta kundër krimit të organizuar, ishin edhe pluset e Shqipërisë në këtë raport.
Ndërkohë, i mësuar me interpretime të ndryshme të raporteve nga BE nga palët në vend, ambasadori i BE ka sugjeruar që raporti të mos shihej si mundësi ndarjeje, por si mundësi bashkimi dhe bashkëpunimi. Sequi tha: “Raporti i progresit duhet parë si element bashkues dhe jo si element ndarës”. Në pikën që sqaronte arsyet e refuzimit ambasadori u ndal më gjatë, duke vënë theksin në domosdoshmërinë e dialogut dhe përcaktimit e procesit të integrimit në BE si prioritet të parë për vendin. “Pse nuk u pranua Shqipëria. Ngërçi politik ka ngadalësuar proceset. Viti i kaluar ka shënuar mungesë të dialogut politik në Kuvend”, tha Sequi.
Një dritare e fundit
Ai ndërkohë ka theksuar se vendi dukej se po i kthehej jetës normale politike dhe se nga kontaktet me palët ishte vënë re jo vetëm qëndrimi i njëjtë ndaj procesit të integrimit, por edhe shenja, siç i quajti ai, të fillimit të dialogut që do i duhej shumë Shqipërisë në procesin e integrimit. Ambasadori ka theksuar se prej 5 shtatorit situata ishte duke ecur drejt përmirësimit dhe se kishte shpresa që kjo të vazhdonte e tillë. I pyetur nëse do të konsiderohej sërish kandidatura e Shqipërisë nëse vendi përparonte, arrihej konsesus politik mes palëve mbi çështjet e 12 prioriteteve dhe jeta parlamentare i kthehej normalitetit, Sequi ka thënë se ai nuk mund të jepte një përgjigje të qartë për këtë, por mund të hamendësonte se kjo ishte e mundur dhe çdo përparim i vendit do të merrej në konsideratë nga vendet anëtare të BE, të cilat e shqyrtojnë progres raportin në dhjetor. Kjo mund të ishte një dritare e fundit e Shqipërisë, për të bërë përpara në ato pika plotësimi i të cilave nuk kërkon shumë kohë.
S’ka diskriminim
Shqipëria ishte në të njëjtin vagon me Serbinë, por vendi ynë tashmë ka zbritur dhe duhet të presë një tren më të vonë për në BE. Sequi ka siguruar se nuk ka asnjë dallim dhe asnjë diskriminim në këtë fakt. “Por janë kushtet dhe këto kushte janë të njëjta për të gjitha vendet që aspirojnë në BE”, shpjegoi ai arsyet e refuzimit, duke vënë theksin në plotësimin e 12 kritereve të përcaktuar për Shqipërinë 1 vit më parë. Duke lexuar pjesë të raportit, ambasadori vuri theksin në të gjitha pikat ku duhej të fillonte menjëherë puna. Ndërkohë edhe pse thuajse në të gjitha pikat e përmendura sipas tij ishte vënë re përparim, në mjaft prej tyre kishte bllokim për shkak të mos miratimit të ligjeve. Ai ka përshëndetur strategjitë dhe planet afatgjata për reformimin në disa fusha, por njëkohësisht ka vënë theksin në pika të veçanta ku reformat kishin ngecur apo nuk ishin nisur.
BE s’ka hequr dorë nga Shqipëria
Sequi theksoi se Komisioni Europian ishte i angazhuar të përkrahte Shqipërinë në rrugën e integrimit. Pas refuzimit të kandidaturës dhe një progres raporti që fajëson më së shumti sjelljen politike të palëve si shkaktar të këtij refuzimi, ambasadori i BE ka ritheksuar mbështetjen për Shqipërinë. Sequi vuri në dukje se vendi ynë i ka të gjitha kapacitetet për të plotësuar standardet për marrjen e statusit të vendit kandidat. “Ne jemi të sigurt se Shqipëria i ka kapacitetet të arrijë standarde të larta për çeljen e negociatave për anëtarësim. Kërkohet përgatitje rigoroze për disa fusha ku duhet të arrihet konsensusi. Më lejoni të them se raport-progresi është mjet i rëndësishëm për rrugën drejt BE. Jo vetëm që na krijoi një panoramë të vendit në gjendjen ku jemi, por në fakt tregon rrugën që duhet për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit europian”, theksoi ambasadori Sequi.
Vendet sipas progresit
KROACIA: vend kandidat – aplikoi në vitin 2003. Negociatat për anëtarësim kanë përfunduar në qershor 2011. Në përputhje me nenin 49 TEU, Komisioni sot paraqet Opinionin e tij në favor të pranimit të Kroacisë në Bashkimin Europian. Pas përfundimit të procesit të ratifikimit, Kroacia do të bëhet një shtet anëtar i Bashkimit Europian më 1 korrik 2013.
TURQIA: vend kandidat – aplikoi në vitin 1987. Negociatat e anëtarësimit u hapën në tetor 2005. 13 kapituj janë të hapur dhe një i mbyllur përkohësisht. Zbatimi i plotë i detyrimeve të Bashkimit Doganor dhe progresi drejt normalizimit të marrëdhënieve me Qipron janë të nevojshme para se vendi të mund të përparojë më fuqishëm në negociatat e pranimit.
ISLANDA: vend kandidat – aplikoi për anëtarësim në vitin 2009 dhe filloi negociatat për anëtarësim në qershor 2010, me 4 kapituj hapur nga të cilat 2 janë mbyllur përkohësisht. Meqenëse Islanda është tashmë një anëtare e ZEE dhe e zonës Shengen, një pjesë e madhe e legjislacionit të saj është tashmë në përputhje me atë të BE-së.
ISH-REPUBLIKA JUGOSLLAVE E MAQEDONISË: vend kandidat – aplikoi në vitin 2004. Vendi vazhdon të përmbushë mjaftueshëm kriteret politike dhe Komisioni rinovoi rekomandimin e tij të 2009-ës për hapjen e negociatave për anëtarësim. Meqenëse një vendim unanim i Shteteve Anëtare është i nevojshëm, një zgjidhje për çështjen e emrit është thelbësore.
MALI i ZI: vend kandidat – aplikoi në vitin 2008. Në vitin 2010, BE-ja i dha statusin e kandidatit dhe përcaktoi shtatë prioritetet kryesore të cilat vendi duhet të përmbushë në mënyrë që të arrijë hapjen e negociatave për anëtarësim. Sot, Komisioni rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësim.
SHQIPERIA: potencialisht kandidat – aplikoi në vitin 2009. Në vitin 2010 BE-ja përcaktoi dymbëdhjetë prioritet kyçe të cilat vendi duhet të plotësojë për të arritur hapjen e negociatave për anëtarësim. Edhe pse është bërë progres në disa nga këto fusha, Komisioni nuk ishte në gjendje të rekomandojë hapa të mëtejshëm për Shqipërinë këtë vit. Duke u bazuar në sinjalet pozitive të kohëve të fundit, Komisioni inkurajon forcat politike në Shqipëri për të rivendosur dhe mbajtur një nivel të dialogut politik, duke lejuar funksionimin e institucioneve kryesore demokratike dhe zbatimin e reformave thelbësore.
SERBIA: potencialisht kandidat – aplikoi në vitin 2009. Komisioni prezantoi sot opinionin e tij mbi kërkesën e Serbisë për anëtarësim. Bazuar në gjendjen e saj, ai rekomandon që Këshilli të japë statusin kandidat për Serbinë.
BOSNJA dhe HERCEGOVINA: potencialisht kandidat – nuk ka aplikuar për anëtarësim në BE; pas zgjedhjeve parlamentare të 2010-ës, vendi nuk ka formuar ende një qeveri në nivel shtetëror dhe mungesa e një vizioni të përbashkët nga liderat politikë për drejtimin e vendit vazhdoi të bllokojë reformat kyçe lidhur me BE-në.
KOSOVA: potencialisht kandidat – Dallimet mbi statusin e Kosovës mbeten një pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve kontraktuale midis BE-së dhe Kosovës. BE-ja mbështet përpjekjet e Kosovës për të përmbushur perspektivën e saj europiane.