E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet skema e kontrabandës, 3 të arrestuar

Tre persona janë arrestuar dhe tre të tjerë janë në kërkim nga Njësia e Përbashkët e Hetimit në dogana, pasi akuzohen për të paktën 16 milionë lekë të vjetra kontrabandë. Ka qenë një oficer i Policisë Gjyqësore në doganën e Durrësit që ka denoncuar në Njësinë e Përbashkët Hetimore të këtij qyteti, se gjatë kontrollit të një automjeti tip ‘trajler’ nga autoritetet doganore të degës së doganës Durrës më 13 shtator, ka rezultuar se në këtë automjet kane qenë të ngarkuar mallra të një natyre dhe sasie të ndryshme nga ato të deklaruara për zhdoganim. Menjëherë për këtë kanë filluar hetimet nga njësia speciale mes prokurorisë, doganave dhe policisë së qytetit dhe dje janë ndaluar 3 persona dhe shpallur në kërkim 3 të tjerë, dy prej të cilëve mendohen në arrati. Subjekti kishte deklaruar për import, ujë dhe pije me gaz jo alkoolike, ndërsa në mjet ndodheshin mallra të tjera. Mallrat ishin me prejardhje nga Bari, Itali dhe ishin porositur në disa subjekte tregtare italiane nga tre persona. “Pas kontrollit fizik të mjetit transportues ka rezultuar se, përveç ujit mineral dhe pijeve freskuese, (të deklaruara për zhdoganim), në trajler ishin ngarkuar gjithashtu: zbutës rrobash, çaj i ftohtë, shampo, makarona, letër duarsh, ilaç rrobash, qumësht, ilaç enësh, dhe birra, të cilat nuk ishin deklaruar për zhdoganim”, thuhet në deklaratën për shtyp të prokurorisë së rrethit. Policia dhe prokuroria kanë ndaluar një nga personat që priste mallin dhe ka qenë ky i fundit që ka “spiunuar” skemën dhe dorëzuar edhe 5 personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet. Prokuroria ka identifikuar një grua me iniciale I.K e cila bënte falsifikimin e dokumenteve për tregtarët e mësipërm. “Kështu, dokumentet dhe formularët shoqërues të mallit, (fatura, deklarata eksporti, fatura transporti, dokumente CMR, etj., ), falsifikoheshin (me të dhëna fiktive për çmimin dhe llojin e mallit) nga shtetasja I.K. dhe dorëzoheshin në agjencinë doganore nga tre pronarët”, njofton prokuroria. Këto veprime sipas hetuesve bëheshin para se malli të mbërrinte në portin e Durrësit. Pas këtyre të dhenave, nga Gjykata e Durrësit janë autorizuar kontrollet e ambienteve të: Agjencisë doganore, banesës së shtetases I.K., shoqërisë së transportit dhe gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur: vula, formularë të faturave të shitjes nga shoqëri italiane, deklarata eksporti, fatura transporti, dokumente CMR, të falsifikuara, dokumente që u përkasin shoqërive të ndryshme shqiptare dhe të huaja, si dhe janë gjetur të dhëna me interés, të ruajtura në celularët e personave, kompjuterat personalë dhe në adresat e-mail. Menjëherë pas kësaj u bë ndalimi i tre personave ndërsa janë shpallur në kërkim 3 të tjerë, të akuzuar për kontrabandë dhe falsifikim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›