E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzohet, qytetarët spranojnë as vaksinën ndaj hepatitit B

 
Frika ndaj efekteve anësore ka bërë që qytetarët të mos e pranojnë vaksinën e gripit A, madje as atë të verdhëzës
 
Marsel LELA
TIRANë – Pas rrezikshmërisë së lartë që po tregon gripi i derrit, mjekët këshillojnë vaksinimin e të gjithë personave që vuajnë nga sëmundje kronike, pasi ata janë edhe kategoria më e rrezikuar nga ky virus.
Pas mbërritjes së dozave të para të vaksinës që lufton gripin e tipit A, në vendin tonë nisi fushata e vaksinimit të këtyre kategorive në të gjitha poliklinikat e kryeqytetit. Megjithatë, vaksina nuk është pritur aspak mirë nga qytetarët, të cilët e kanë refuzuar këtë medikament, për shkak të frikës së efekteve anësore që mund të ketë. Gjendja aktuale e vaksinimit vazhdon të jetë po ajo, madje edhe më e rënduar, pasi qytetarët nuk kanë pranuar të marrin as vaksinën e hepatitit B, për të njëjtat arsye si për vaksinën e gripit të derrit.
Kategoria e vetme që i është nënshtruar vaksinimit kundër virusit vdekjeprurës janë mjekët, megjithëse vetëm pak prej tyre kanë pranuar ta marrin vaksinën. Mjekët specialistë të sëmundjeve infektive bëjnë të ditur se, nga 10 mijë vaksinat e ardhura kontingjentin e parë, as 10 për qind e tyre nuk kanë arritur të merren.
Sipas tyre, në shumicën e rasteve edhe personeli mjekësor nuk është vaksinuar, megjithëse ata janë një prej kategorive që duhet të vaksinohen të parët.
Mjekët dhe drejtuesit e qendrave shëndetësore kanë pohuar se janë duke seleksionuar numrin e pacientëve kronikë, të cilët duhet të vaksinohen të parët kundër gripit vdekjeprurës. Megjithatë, mjekët sërish kanë bërë apel që të gjithë personat, të cilët kanë temperaturë të lartë dhe vuajnë nga sëmundje kronike, të paraqiten menjëherë në spital, në mënyrë që të marrin trajtimin në kohën e duhur. Gripi i derrit gjatë muajit dhjetor të vitit që shkoi ka qenë në fazën e tij më të egër dhe ka prekur zyrtarisht mbi 370 persona dhe ka shkaktuar nëntë viktima. Edhe muaji janar favorizoi përhapjen e këtij virusi, duke e çuar numrin e të prekurve deri në 470 persona të infektuar.
Mjekët pohuan se gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike janë të më rrezikuarit për jetën nga virusi i tipit A, sidomos ato me tumore dhe sëmundje të zemrës apo mushkërive. Dhe viktimat e tjera të shënuara nga gripi i derrit kanë qenë më parë të diagnostikuara nga sëmundje të rënda, si zemra apo mushkëritë.
Për sa i përket periudhës deri në javën e fundit të dhjetorit, numri i personave zyrtarisht të infektuar në vendin tonë kapi shifrën e rreth 400 personave, ndërsa shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në Tiranë.
Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 15 deri 24 vjeç, ku vihet re edhe numri më i madh i rasteve të konfirmuara. Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se survejanca në të gjithë vendin është plotësuar me informacionin mbi shtrimet në të gjithë spitalet e vendit, si dhe është përforcuar për zbulimin dhe monitorimin e rasteve me sëmundje të rëndë respiratore.
Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve që janë pjesë e këtyre kategorive të rriskuara dhe prindërve, që të vaksinojnë fëmijët e tyre, sepse vaksina nuk ka efekte të mëdha anësore.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›