E Shtunë, 31 Tetor 2026

A po përdoret tallava politika?

 
 
Nga Dashnim Hebibi*
Koha e tranzicionit ka gërryer si duket tej për tej artin, iu është futur mu në mes të zemrës një thikë të përgjakur me viruse të ndryshme të pashërueshme, që vështirë të shërohet në vend, e ky shërim ka gjasa të jetë tek artistët e merituar që nuk janë korruptuar.
Artistë të merituar, artistët e popullit, këto merita i gëzojnë disa artistë që i kanë dhënë shumë artit në Shqipëri e në mbarë shqiptarinë, por kur do t’i vijë koha që të praktikohet edhe në Kosovë? Apo ndoshta duhet të ndahen nga kjo jetë shumica e atyre artistëve që e gëzojnë këtë epitet dhe të mbeten disa nga ata artistë që po dalin si këpurdhat në male, pas një shiu të qetë dhe me pak diell. Kështu është edhe me politikanët që kanë vizione, miqësi të madhe dhe dinë të bëjnë politikë, por rrinë si rezerva të lojës. Tallava (s) muzika - s (politika).
Jo vetëm në diasporë që po praktikohet dhe dëgjohet me të madhe kjo lloj muzike, por me të madhe po gjen hapësirë veprimi dhe përkrahje edhe në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri. Mjafton të kujtojnë ata që nuk pajtohen me këtë realitet, të shikojnë në një mbrëmje rinore gjatë verës në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë, Shkup, Tetovë, Tiranë..., dhe do të shohësh se sa vallëzojnë me këto lloje muzikash, apo do të vallëzojnë me muzikën e mirëfilltë. Ia lëmë fajin kohës së tranzicionit. Sepse faji është i madh dhe ai duron shumë dhe tekefundit, faji është jetim dhe ashtu mbetet. Kjo pikë rikujtimi, për kohën e muzikës tallava, kërkon një trajtim tjetër, por kësaj radhe, po ndalemi edhe tek tallava politika. (S) Politika dhe politika e rendit e kohës dhe klasikja.
A ka tallava politikanë?
Gjersa të japim deri diku timonin drejt pikës qëllimore për këtë pyetje, më kujtohet një pikë humori/satirë gjermane.
Politika:
Pyet djali babanë:
-O babë, çka është në të vërtetë politika?
Babai:
-Dëgjo mirë! Unë i sjell të hollat në shtëpi. Pra, unë jam kapitalisti.
-Nëna jote administron të hollat. Pra, ajo është qeveria.
-Gjyshi kujdeset për atë që çdo gjë të shkojë në rregull. Pra, ai është sindikalisti.
-Shërbyesja jonë është klasa punëtore.
-Të gjithë ne së bashku e kemi vetëm një gjë në mend, gjegjësisht mirëvajtja jote. Si rrjedhojë e këtyre, ti je populli. Ndërsa vëllai yt i vogël që është ende në pelena, është ardhmëria.
-A e kuptove këtë o bir???
Vogëlushi mendon pak dhe i lutet babit që të pushojë një natë e pastaj të japë përgjigje.
Natën i del gjumi vogëlushit, meqë vëllai më i vogël i kishte mbushë pelenat plot e qante pa u ndalë.
Ky, meqë nuk e dinte nga t'ia fillojë, shkon në dhomën e fjetjes së prindërve të vet.
Por aty e gjen vetëm nënën e vet, e cila flinte aq thellë në gjumë, saqë nuk mundi ta zgjojë nga gjumi.
Kështu niset për në dhomën e shërbyeses, ku babai i tij posa zbavitej me të, përderisa gjyshi shikonte tinëz nga dritarja.
Të gjithë janë të vënë në punë (!), saqë askush nuk mundi ta hetonte vogëlushin para tyre.
Megjithëse pa kryer punë, vogëlushi ia krisi përsëri gjumit.
Ditën tjetër e pyet babi të birin se a është në gjendje ta shpjegojë me fjalë se çka është Politika.
-Po, ia kthen i biri.
*Kapitalizmi e shpërdoron klasën punëtore.
*Sindikata vetëm shikon ç’po ndodh.
*Përderisa qeveria fle.
*Populli injorohet tërësisht.
*Dhe ardhmëria qëndron në m...t!
Kjo është Politika!
Kësaj ndoshta mundemi t’i themi politikë tallava, apo politika sigurisht është një lloj arti dhe para se gjithash e quajmë art qeverisës. Ky është koncepti mbi përmbajtjen dhe qëllimin e saj real. Politika është edhe instrument për arritjen e qëllimeve programore/partiake/personale. Kështu praktojnë edhe shumë klarinetistë gjatë muzikës tallava, njëri paguan me euro e franga dhe pseudo-këngëtarja i këndon atij apo asaj tallava gjersa të lodhet, pra është instrumenti i qëllimi të një personi apo grupi.
Politika në praktikë paraqitet edhe si art i mashtrimit dhe demagogjisë cinike. Kujto, ato momente argëtuese me tallava. A nuk kanë qenë politikat irracionale dhe demagogjike ato që kanë ushqyer iluzione dhe kanë çuar vende dhe popuj drejt kasaphanave botërore apo drejt diktaturave mizore???
Le të vijmë te realiteti ynë shqiptar. Politika është e barabartë me parà, pushtet, pasuri.
Politika a është njëfarë arti dhe si te gjithë artet e tjera, artistët nuk kanë performanca të njëjta dhe për më tepër, vetë arti si i tillë ka më shumë kultura e rryma të ndryshme.
Politika dhe tallavaja
Flitet shumë për politikën dhe gjithashtu me tallavanë. Shumë duan të jenë politikanë dhe shumë prej tyre t’i mbushin xhepat me tallava. Sa janë të njëjta këto në ditën e sotshme?
Këto që të dyja janë të ngjashme, jo buka, po kulaçi. Kush bënë politikë? Si bëhet politika? Politika ku mësohet? Politika po mendohet nga shumëkush si zanat: ke talent dhe merru me politikë, sikurse një klarinetist me kasetofonë është mësuar t’i bie klarinetës, e ai që ka studiuar katër vite për këtë vegël muzikore nuk ka vend, sepse nuk dinë tallava. Në rregull koha hanë edhe kashtë. Por kur do të ngrihet zëri kundër këtyre gjërave kaq negative.
(S) Politikani dhe politikani, shikohen mes veti, mundohen të mos krahasohen mes veti, por (s) politikani në shumë raste mbush xhepat e politikani rrinë me duart në xhepa. Skena jonë politike, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, ka politikanë që nuk duan të veshin dhe as të tymosen me parazitin politikë tallavaje, por këto kohëra po sjellin viruse të ndryshme, ku shpesh pasojat po janë gjithëpërfshirëse.
Artistët tanë më me zë kanë filluar të këndojnë edhe këngët tallava dhe kur i pyet, pse po i këndon, përgjigja është shumë e thjeshtë: "Kështu po kërkohet dhe ne po i përshtatemi kohës". Të ndalesh dhe t’i flasësh shpirtit të atyre artistëve që këndojnë kështu, shihet qartë, se janë në pozitë të vështirë, sepse kjo po paguhet dhe kjo po shitet më së miri. E tash, kush po shitet më shumë në politikë? Në politikë çmimin duhet ta kenë më të lartë, ata që punojnë shumë, apo ata që duan të vishen bukur? Pra, e njëjtë, po duhet kështu, sepse po kërkohet dhe po shitet.
Mungon kritika në këto raste. Kush i shmanget kritikës, ai në të vërtetë nuk dëshiron të dijë. Tallava politika po ecë dhe mundohet të drejtën të ngufasë, saqë politikani pa këtë virus tallava, shpesh çuditet me profesionin e tij. Sido që të jetë, pasojat i mbanë shoqëria dhe për t'i kaluar kësaj reales, është shumë e vështirë dhe duhen vite, ndoshta edhe dekada, që të pastrohen ekranet tona, nga pseudo politikanët dhe pseudo artistët e pseudo... Kohë tranzicioni, do të kalojë edhe tallava politika...
*Autori është drejtues i Qendrës Mediale Shqiptare në Diasporë
 
 
 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›