E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiperisë i pezullohen votat në KE

 Të enjten, rezolutë për kredencialet dhe për krizën e institucioneve
 
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës pritet të përfshihet në debate të forta mbi rastin e Shqipërisë në seancën e ditës së enjte. Referuar burimeve zyrtare të APKE-së, axhenda e punimeve parashikon dy pika kryesore që do të shtohen për diskutim. çështja e parë është pikërisht ajo e mundësisë së sfidimit të kredencialeve të delegacionit shqiptar, i cili ka shkuar i përgjysmuar, për shkak të mungesës së opozitës në delegacion. çështja në fjalë është parashikuar që të diskutohet pikërisht në orën 15 të pasdites. Për këtë çështje do të raportojnë reporterët e Këshillit të Rregullores dhe Imunitetit dhe në fund të raportimit do të ketë debat dhe një rezolutë që do të votohet pikërisht për çështjen e kredencialeve, ku vendi ynë përsërit për të dytën herë të njëjtin veprim. Ndërkohë, në pjesën e dytë të diskutimeve mbi Shqipërinë, Asambleja do të diskutojë deri në orën 18:30 të pasdites së të enjtes pikërisht raportin mbi situatën e funksionimit të institucioneve demokratike në Shqipëri. Dy reporterët e Këshillit të Europës kanë paraqitur situatën në Shqipëri për sa i përket periudhës paszgjedhore, ku pretendimet për manipulim dhe mungesa e transparencës kanë sjellë funksionim të cunguar të institucioneve. Në fund të diskutimeve do të ketë një votim për rezolutën e dy reporterëve për Shqipërinë, rezolutë e cila parashikon angazhimin e Këshillit të Europës për zgjidhjen e krizës politike në vend.
 
 
 
Formimi i delegacionit, debate për listën e deputetëve dhe procedurat
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i dërgoi pak ditë më parë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës listën e delegacionit shqiptar që duhej të ratifikohej. Mungesa e opozitës në Parlamentin Shqiptar u reflektua edhe në listën që kryetarja Topalli i dërgoi APKE-së, edhe pse në atë listë vërehej tentativa për të plotësuar vendet e mbetura bosh. Referuar listës që Parlamenti Shqiptar i ka dërguar Asamblesë Parlamentare të KE-së, delegacioni shqiptar që do të merrte pjesë në seancën e djeshme do të kishte në përbërje deputetët e Partisë Demokratike Ilir Rusmali e Lajla Përnaska dhe në vend të opozitës, anëtar me të drejta të plota do të ishte kreu i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi. Në këtë rast, Parlamenti Shqiptar nuk arriti të përmbushte kriterin e përfaqësimit politik të barabartë, ku dy anëtarë duhet të jenë të opozitës dhe dy anëtarë të mazhorancës. Në këtë rast, deputeti dhe kreu i PDU-së u caktua në delegacion si përfaqësues i opozitës, edhe pse nuk ishte kryetar i ndonjë grupi parlamentar. Po ashtu, në listën e dërguar nga Parlamenti Shqiptar një vend u la bosh, për shkak se Partia Socialiste nuk është futur akoma në parlament dhe deputetët nuk kanë bërë betimin. Ndërkaq, në listën e anëtarëve zëvendësues, parlamenti shqiptar përfshiu edhe deputetët e PD-së, Mesila Dode e Arenca Troshani, si dhe deputetin e Partisë Socialiste, Kastriot Islamin. Për sa i përket deputetit Islami, ai akoma nuk ka bërë betimin në parlament dhe referuar asaj çfarë ka deklaruar kryeparlamentarja Jozefina Topalli, deputetët që nuk kanë bërë betimin nuk cilësohen as si deputetë dhe as si ish-deputetë. Pavarësisht kësaj, deputeti Islami mund të marrë pjesë si anëtar pa të drejta të plota në mbledhjet e Asamblesë për një periudhë 6-mujore, për shkak të qenies së tij si anëtar me të drejta të plota gjatë legjislaturës së kaluar. Megjithatë, vetë Islami ka refuzuar që të marrë pjesë në punimet e Asamblesë, me argumentin se nuk ka bërë betimin në Kuvend. Dhe pikërisht duket se prania e Islamit në listë, ku ai cilësohej thjeshtë si “socialist” dhe jo si deputet i Partisë Socialiste, ka qenë një argument tjetër, që përforconte mosrespektimin e procedurave nga delegacioni shqiptar. Ndërkohë, referuar rregullores së Kuvendit, në nenin 7-të të saj thuhet se lista e anëtarëve të delegacioneve të përhershme pranë organizatave ndërkombëtare përcaktohet nga kryetarja e Kuvendit, në këshillim me kryetarët e grupeve parlamentare. Në pikën 3 të këtij neni parashikohet që përbërja e delegacioneve pasqyron për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit. Dhe në këtë rast duket se kryeparlamentarja Topalli e ka respektuar për aq sa ka qenë e mundur rregulloren, edhe pse në delegacion mund të ishte Vangjel Dule i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, i cili ka bërë betimin në parlament dhe është në aleancë të qartë opozitare me Partinë Socialiste. Ndërkohë, Kuvendi tha dje, se Islami u përfshi në listë, për vetë faktin se ka qenë deputet dhe anëtar i delegacionit shqiptar në APKE gjatë legjislaturës së kaluar. Referuar rregullores së APKE-së, Islami mund të marrë pjesë, pa të drejtë vote në seancat e Asamblesë, ashtu si çdo ish-deputet tjetër i delegacionit të vjetër, si Taulant Dedja, Paskal Milo apo Diana çuli. Megjithatë, Topalli ka zgjedhur të vendosë në listë vetëm deputetin Islami, duke lënë bosh dy vendet e tjera në listën e anëtarëve zëvendësues, ku ashtu si deputeti socialist, mund të përfshiheshin edhe ish-deputetët çuli, Milo apo Dedja. Po ashtu, Topalli nuk e ka njoftuar publikisht në seancë parlamentare listën e delegacionit, ashtu sikurse parashikohet në rregullore. Kjo rrugë e ndjekur nga kryeparlamentarja Topalli ka hasur në kundërshtimet e forta të Partisë Socialiste, pasi kjo e fundit një ditë më pas e akuzoi atë për diversion politik dhe për emërim të opozitës. Referuar deklaratës së deputetes Arta Dade, kryeparlamentarja ka bërë diversion, duke emëruar Islamin në listën e delegacionit shqiptar.
 

Biberaj: Vendimi, antireklamë për vendin dhe mazhorancën
 
Ish-zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Aleksandër Biberaj, e cilësoi vendimin e djeshëm si një “antireklamë” për Shqipërinë dhe për mazhorancën aktuale që drejton vendin. Sipas tij, me delegacionin shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE-së, po përsëritet e njëjta situatë në harkun kohor të një viti. Biberaj iu referua shkarkimin të tij nga kryesimi i delegacionit shqiptar në APKE në janarin e vitit të kaluar nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli, vendim i cili solli pezullimin e përkohshëm të kredencialeve të delegacionit shqiptar. Po ashtu, Biberaj tha se në kompozimin e delegacionit shqiptar, Asambleja ka vërejtur se nuk është respektuar kriteri i përfaqësimit të balancuar politik mes mazhorancës dhe opozitës. “është e njëjta situatë si vitin e kaluar, kur përbërja e delegacionit nuk u diskutua as në Konferencën e Kryetarëve e as nuk është miratuar në Kuvend. Në raport me Strasburgun, ato shohin balancën pozitë dhe opozitë, dhe ato kanë vënë re se në këtë pikë Shqipëria nuk ka zbatuar këtë rregull. Vendimmarrja politike gjithmonë ka parasysh dhe situatën politike në një vend të caktuar. Unë do të uroja që Asambleja gjatë kësaj jave të intensifikonte kredencialet e delegacionit shqiptar, në mënyrë që Shqipëria të jetë në njëfarë mënyre pjesë e vendimmarrjes së Këshillit të Europës”, tha Biberaj në një reagim për median vizive. Ndërkohë, pritet që Biberaj të ketë një reagim tjetër gjatë ditës së sotme. Ndërkohë, në janarin e vitit të kaluar, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vendosi që të zëvendësojë kreun e delegacionit, Aleksandër Biberajn, pa kaluar më parë në votim në parlament. Kjo solli debate të forta dhe kundërshtime jo vetëm nga deputeti i atëhershëm i PD-së, Biberaj, por edhe nga vetë deputetët e huaj të Asamblesë së KE-së. Njëri nga deputetët “sfidoi” kredencialet e delegacionit shqiptar, për të shqyrtuar më tej nëse janë respektuar procedurat apo jo. Pas kësaj, dy reporterët e Këshillit të Europës, Jako Lakso dhe Dejvid Uillshajër, vizituan Shqipërinë dhe u njohën në vend me situatën e krijuar mes kryetares së Kuvendit dhe kreut të shkarkuar të delegacionit. Referuar qëndrimit që mbajtën dy reporterët e KE-së pas takimeve që zhvilluan me krerët e shtetit shqiptar, përfshirë kreun e shkarkuar Biberaj dhe kryetaren e Kuvendit, Topalli, ata dolën me një qëndrim të përbashkët, duke thënë se kjo ishte një çështje e zbatimit të procedurave të brendshme të vendit tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›