E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistër kombëtar për infermierët

Rregulli Kualifikim dhe specializim për të mbajtur punën

Infermierët, apo siç njihen ndryshe edhe ndihmësmjekët, do të jenë të gjithë të regjistruar brenda një rrjeti të dhënash. Në këtë database do të jenë të shënuar të gjithë infermierët që punojnë aktualisht në sistemin shtetëror apo publik në vendin tonë. Kjo nismë është marrë nga Urdhri i Infermierëve, i cili pak kohë më parë ka publikuar edhe udhëzuesin për të gjithë ndihmësmjekët që aktualisht punojnë në këtë profesion. Rrjeti i të dhënave, që pritet të krijohet, do të ndërtohet për herë të parë, ndërkohë që do të shërbejë për të identifikuar të gjitha kapacitetet që aktualisht ka vendi në këtë fushë, duke krijuar edhe një hapësirë informacioni lidhur me problemet në punë, me shqetësimet e në mënyrë të veçantë me kërkesat që ka kjo kategori punonjësish të shëndetësisë.

Një nga shqetësimet e kohëve të fundit të infermierëve janë kërkesat dhe kriteret e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe strukturat e politikave drejtuese shëndetësore. Sipas kushteve të reja, të cilët u janë parashtruar edhe infermierëve, ndihmësmjekët duhet të kenë specializime, kualifikime dhe shkollimin, arsimin e duhur për të mbajtur vendin e punës. Nëse ndihmësmjekët nuk do të plotësojnë formimin e nevojshëm arsimor deri në vitin 2012, atëherë do të jenë të detyruar të largohen nga vendi i punës, për t’ia lënë atë prurjeve të reja, nga Fakulteti i Infermierisë, pavarësisht përvojës apo kushteve në të cilën kanë punuar në radhët e bluzave të bardha prej vitesh. Pak kohë më parë, Urdhri i Infermierëve ka shpërndarë në të gjithë vendin një udhërrëfyes për infermierët. Në këtë libër të vogël janë paraqitur të gjitha normat që infermierët duhet të zbatojnë në punë, Kodin e Etikës, deontologjik, si dhe të gjitha përgjegjësitë, detyrat dhe të drejtat që ka kjo kategori.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›