Zhdukja e të dhënave, qeveria mohon EULEX-in
Drejtuesi i Divizionit për Siguri dhe Operime Qendrore pranë Ministrisë së Administratës Publike, Gani Zogaj, ka mohuar njoftimet e bëra nga EULEX-i për zhdukjen e të dhënave në serverin e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, duke thënë se të dhënat e MTPT-së gjenden në serverë dhe se asnjë e dhënë nuk është fshirë nga këta serverë.
Ministria e Administratës Publike, përmes një njoftimi për media të dielën, ka sqaruar se në bazë të legjislacionit në fuqi në Kosovë, kjo ministri vendos standardet dhe shërbimet e teknologjisë informative, që përdoren nga institucionet e qeverisjes dhe koordinon sigurimin e shërbimeve të teknologjisë informative në këto institucione.
“MAP menaxhon serverët e Qendrës së Teknologjisë Informative Qeveritare, pronar i të cilëve është MAP. Meqenëse MAP, përkatësisht Departamenti për e-Qeverisje dhe Procese Administrative koordinon sigurimin e shërbimeve të teknologjisë informative, konstatojmë se disa institucione kanë sisteme të pavarura të TI-së, e ato janë: Ministria për Ekonomi dhe Financa, Administrata Tatimore e Kosovës, Doganat, Zyra e Auditorit Gjeneral, Policia e Kosovës. Gjithashtu, njoftojmë opinionin publik se Ministria e Transportit dhe Postë–Telekomunikacionit (MTPT) shfrytëzon serverët e Qendrës së Teknologjisë Informative Qeveritare, që menaxhohen nga Ministria e Administratës Publike”, thuhet në sqarim.
Duke iu referuar udhëheqësit të Divizionit për Siguri dhe Operime Qendrore, Gani Zogaj, të dhënat e MTPT-së gjenden në këta serverë dhe asnjë e dhënë nuk është fshirë.
#