E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistri i hyrjeve në ministri shpëton Gazmend Oketën

Antena brenda familjes

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, më në fund ia doli të bëhet aktiv dhe i dobishëm për qeverinë. Në një takim që pati dje me ambasadorët e vendeve perëndimore në Tiranë, Oketa foli mbi nevojën e demontimit zyrtar të municioneve për të shmangur përsëritjen e Gërdecit. Ai iu shpjegoi me hollësi problemet që ekzistojnë me 25 depo municionesh në Shqipëri, të cilat janë në çdo çast rrezik për vendin dhe popullsinë.

Por ambasadorët, të cilët mbanin shënim gjatë gjithë takimit, sikur ta kishin bërë me fjalë, kishin të gjithë një pyetje dhe ajo vërtitej rreth së vërtetës që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit.

Oketa i siguroi se prokuroria do të bëjë ç’është e mundur të zbulojë të vërtetën. Oketa tha se “ministria e tij po bashkëpunon me prokurorinë dhe deri tani nuk i kemi fshehur asnjë të dhënë”. Korrespondenti i Antenës në takim u gëzua pa masë, kur dëgjoi deklaratën e Oketës dhe i kërkoi atij t’i tregonte librin e hyrje-daljeve në ministri gjatë kohës që janë nënshkruar kontratat për Gërdecin. Më konkretisht i kërkoi cilët kanë qenë vizitorët në zyrën e ministrit të Mbrojtjes gjatë atyre dy muajve. Oketa, krejt i qetë dhe neutral ndaj kësaj ngjarjeje, premtoi se do të pyeste, nëse kishte një kopje të regjistrit të hyrje-daljeve, pasi origjinalin e ka marrë prokuroria dhe i premtoi korrespondentit tonë se do t’i jepte të dhënat.

Një orë më pas, korrespondenti ynë nuk arriti të kishte një përgjigje të qartë. Një njeri afër Oketës i tha Antenës se ministri është shumë i gëzuar që arriti ta shohë regjistrin, por dhe më i gëzuar që nuk do ta tregojë atë.

Kjo përgjigje e çuditi shumë korrespondentin tonë dhe e pyeti se ku është sekreti i këtij gëzimi.

- Deri tani ministri ishte në siklet, se mund ta hiqnin me ndryshimet e reja, - tha burimi i Antenës. - Tani është i sigurt që nuk e heq njeri, pasi tani ka dhe ai një gjë në dorë. Siç e mban mend, - tha, - të gjithë e kishin harruar Aldo Bumçin dhe nuk po kujtoheshin për të. Por, siç e shihni, ai është bërë i gjallë dhe i rëndësishëm vetëm se një faks është nisur nga zyra e tij për në Ministri të Mbrojtjes. Po ashtu, Alibeaj dukej sikur po shkonte për lesh, ngaqë daljet publike i ka skandaloze dhe qesharake, por falë faktit që ai ka dorëzuar pa dashje ca dokumente të rëndësishme në prokurori do të mbetet ministër. Oketa, - tha, - s’kishte asgjë në dorë. Faleminderit ju të Antenës që e kujtuat të shikonte regjistrin e hyrje-daljeve. Tani di dhe ai diçka dhe s’kanë për ta hequr.

I hutuar nga ky shpjegim kinez, për një ngjarje që ka të bëjë me fishekët kinezë, korrespondenti ynë nuk i jepte dot shpjegim situatës. Dhe në këto raste gjithmonë ai gjen ngushëllim te Flamuri. Pyeti atë dhe i dha rrugëzgjidhje.

- E di un ç’ka parë ai pisi, po mos ca kokë, se janë llafe. Kam fol unë me atë për atë çështje, është kot. Duan të sajojnë ... e di unë, e di, po s’e ha njeri atë. Po ky Oketa e di unë pse e bën, se ky hiqet sikur është me Bamirin që të mos e heqin. Por nuk e di që i ka rënë bixha kot, se Bamiri as që ka çarë kokë për të. Nejse, e di unë, e di. Po e ka fajin ai oficeri që i ka dhënë regjistrin. I kam thënë atij burrit, mo ta shoh më atje atë oficerin, po nuk e heq, nuk di ç’ka. Po nuk është ashtu si mendon ti o mixhë. Është punë e thellë kjo.

Pas kësaj korrespondenti ynë mbeti dhe më i paqartë sesa para pyetjes sqaruese. Flamuri, i cili në këto raste ka nevojë të pyesë dikë për të qenë më i qartë, nuk i kërkoi kohë për ta sqaruar. Thjesht i la të kuptonte se kjo gjë mund të mos e shpëtojë Oketën.

- I kam thënë atij burrit, kot e mban atë vetëm se duket si djalë i urtë. Po këta të urtët janë të hidhur në fund, se kështu dukej dhe Bamiri. Po nuk më dëgjon o mixhë, ça t’i bësh. Na ka zënë me këta të urtët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›