Oketa kërkon fonde për demontim, ambasadorët: Zbardhni Gërdecin
Por, më shumë se te shifra dhe vetë procesi i demontimit, ambasadorët janë interesuar për një proces tjetër, zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit, duke e kushtëzuar ndihmën e tyre me këtë gjë.
Duke folur në fillim të takimit, Oketa ka bërë një panoramë të situatës. “Shqipëria ka aktualisht më shumë se 25 depo municioni, të cilat mbajnë brenda tyre rreth 98.000 tonë municione të llojeve të ndryshme, për demontimin e të cilave duhen të paktën 4 miliardë lekë”, - u shpreh ministri Oketa, gjatë tryezës së rrumbullakët me temë “Asgjësimi i municioneve të tepërta - Rritja e sigurisë Kombëtare”, organizuar paraditen e sotme në ambientet e hotel “Sheraton”, me pjesëmarrjen e ambasadorëve të huaj të NATO-s dhe BE në Tiranë.
Nga ana e tyre, ambasadorët kërkuan një raport të hollësishëm mbi tragjedinë e Gërdecit. “Jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë duke ju siguruar mbështetje financiare për demontimin e armëve, por në fillim duhet të zbardhet ngjarja e Gërdecit”, - tha në takim ambasadori danez, Niels Severin Munk, mendimi i të cilit u mbështet edhe nga ambasadori i Holandës, Sweder van Voorst Tot Voorst.
Në përgjigje të kësaj, ministri Oketa tha se “ashtu sikurse Ministria e Mbrojtjes, edhe parlamenti janë në pritje të hetimeve përfundimtare lidhur me këtë ngjarje”.
Demontimi i municioneve, siç informoi ministri Oketa, do të bëhet në Mjekës dhe Poliçan, të cilat pritet të licencohen dhe certifikohen së shpejti sipas të gjitha rregullave për të kryer operacione të tilla. Nga të dhënat e deritanishme mësohet se do të jenë të paktën 5 poligone demontimi në të gjithë Shqipërinë që do të certifikohen për të kryer këtë veprim. Ky planveprimi parashikon që në vitin 2010 të jetë reduktuar në zero rreziku nga municionet për popullatën, ndërsa brenda vitit 2015 e gjithë sasia e municioneve të tepërta të jetë eliminuar.
Në këtë tryezë merrte pjesë edhe ambasadori Amerikan, John Withers.
Ndërkombëtarët, të ndjeshëm ndaj fjalës “Gërdec”
Ngjarja e Gërdecit i ka bërë më të ndjeshëm se kurrë përfaqësuesit ndërkombëtare në vendin tonë. Sa herë ka një tryezë, ku dhe qoftë indirekt çështja lidhet me Gërdecin, apo gjithmonë kur bëhet fjalë për ngërçe në drejtim të kësaj ngjarjeje, ndërkombëtarët kanë reaguar, duke u treguar të prerë në lidhje me zbardhjen e ngjarjes dhe nxjerrjen e përgjegjësve.
Ka ndodhur kështu, kur mazhoranca e djathtë në parlament po zvarriste, tentoi të bllokojë e madje shantazhoi Prokurorinë e Përgjithshme në lidhje me Gërdecin. Ambasadori amerikan në vendin tonë reagoi prerazi, duke kërkuar që të mos ketë ndërhyrje e presione dhe që ngjarja të zbardhet deri në fund.
Edhe në Konferencën e Donatorëve për Gërdecin, përgjigjja e palës së huaj ndaj qeverisë ishte e ashpër, duke nxjerrë në pah një tjetër problem, mungesën e seriozitetit më të cilën po e trajton qeveria këtë ngjarje dhe pasojat e saj.
Së fundi, ambasadorët e vendeve nordike kanë qenë zërat që kanë kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe këtë kërkesë nuk ia kanë bërë organit të prokurorisë, që e ka për detyrë, por qeverisë, duke aluduar për tentativa për të mos lejuar zbardhjen e saj.