Regjistrimet në universitete/ Shkodra dhe Gjirokastra mirëpresin maturantët

Duke nisur nga dita kjo e martë, maturantët që kanë fituar të drejtën e studimit mund të regjistrohen pranë institucioneve të arsimit të lartë.
Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër ka hapur dyert për të mirëpritur maturantët e interesuar.
“Këtë vit akademik është hapur një program i ri për shkencat e ushqimit, që ka 46 kuota, por shohim se ky program i ri ka pasur një interesim të madh nga të rinj, 105 aplikime,” thotë Rozafa Shpuza, zëdhënësja e Universitetit.
Referuar shifrave, kanë aplikuar gjithsej 6 872 maturantë për në degët e universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ndërsa janë 1 840 kuota në dispozicion për 6 fakultetet e tij, përfshirë dhe programet me karakter profesional që ofron ky universitet.
Ndërkohë ky proces ka nisur edhe në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër. Në total në këtë fazë të parë janë shënuar 1 598 aplikime. Sipas zëvendës rektorit, Jaho Canaj, kjo shifër është në rritje, pasi bëhet fjalë për 350 aplikime më shumë se vitin e kaluar. Kërkesat më të mëdha sipas tij, janë për degët e ekonomikut dhe infermierisë.
“Studentët që kanë aplikuar këtë vit akademik kanë përzgjedhur degët e Fakultetit Ekonomik, por rritje të interesit ka pasur edhe në degët e mësuesisë,” shpjegon zv.rektori Canaj.
Vlen të theksohet se raundi i parë i regjistrimit zgjat deri më 11 shtator. Rektorët e universiteteve u kanë bërë thirrje maturantëve që të jenë të duruar, pasi ka ende kuota të lira në shumicën e degëve.
Gazetar: Marjo Merhori
/rtsh.al/