Udhëzimi i ri, shpresë për njerëzit pa asnjë shtetësi që jetojnë në Amerikë

Zhvillimet gjeopolitike, siç janë luftërat apo shpërbërja e shteteve, si në rastin e rënies së Bashkimit Sovjetik, mund t’i lënë njerëzit pa shtet. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Aline Barros, mbi 200 mijë vetë në Shtetet e Bashkuara, nuk kanë asnjë shtetësi.
Njerëzit që nuk kanë shtet, nuk kanë dokumente ligjore apo të identifikimit për të dëshmuar se kush janë dhe nga vijnë. Ndonëse disa mund të kenë një çertifikatë të pavlefshme të lindjes.
Sipas njoftimit, Departamenti për Siguri Kombëtare, premton se do të ofrojë shembuj rreth informatave dhe dëshmive që mund t’u tregohen zyrtarëve të emigracionit për të ndihmuar njerëzit që nuk kanë shtet të sigurojnë dokumente, siç është karta e gjelbër amerikane.
Me njerëzit që nuk kanë shtet, vazhdimisht hasim në probleme madhore, sepse ata thjesht nuk mund të dëshmojnë se përmbushin parimet për kartën e gjelbër ngase nuk mund të marrin dokumentet e nevojshme nga vendi i tyre.
Por, njerëzit pa shtet nuk mund të dëbohen, sepse nuk kanë shtet se ku mund të kthehen.
Njëkohësisht, nuk ka ligj ndërkombëtar që i detyron njerëzit të kenë shtetësi në një vend të caktuar. Disa shtete ofrojnë shtetësinë nëse ke lindur aty. Disa shtete jo.
Mbetet e paqartë nëse rregullat e reja amerikane do të lejojnë, që një pjesë e këtyre njerëzve të marrin dokumente identifikimi të lëshuara nga qeveria amerikane, apo autorizim për të punuar në këtë shtet.
Udhëzimi i Departamentit të Sigurisë Kombëtare do të ndihmojë njerëzit e lënë pezull.
( Sipas Zërit të Amerikës )
/ rtsh.al /