Kushi takim me maturantët që fituan “Mjekësinë e Përgjithshme”: Ata që qëndrojnë në Shqipëri do kenë trajtim të veçantë

Maturantët me rezultatet më të mira në provimin hyrës në programin “Mjekësi e Përgjithshme”, një testim ky i zhvilluar për herë të parë këtë vit, u pritën nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.
Gjatë bashkëbisedimit me ta, Kushi u shpreh se vendi ynë përballet me problemin e nevojave për mjekë dhe specialistë në sistemin shëndetësor.
“Problemi që ne kemi është plotësimi i nevojave për mjekë dhe specialistë të sistemit shëndetësor në të gjithë vendin. Dhe duke vlerësuar të gjitha alternativat, të gjithë mekanizmat, duke u konsultuar edhe me vendet e tjera, ne miratuam ligjin që pati shumë debate në fakt shumë diskutime”, tha Kushi.
Kushi shtoi se për të gjithë studentët e mjekësisë që plotësojnë detyrimin për të qëndruar 5 vite në Shqipëri, do të kenë një trajtim të veçantë si në punësim edhe në politikat e strehimit me kredi të buta.
“Për të gjithë studentët që nga viti i parë deri në vitin e gjashtë sigurisht në mënyrë të përshkallëzuar, ndryshe për vitet e ndryshme parashikon një periudhë të caktuar qëndrimi dhe kontributi në institucionet shqiptare dhe për të gjithë ata që pranojë këtë detyrim, do të ketë në fund një trajtim të veçantë edhe në punësim edhe në politikat e strehimit, kredi të buta për shtëpi”, u shpreh Kushi.
/rtsh.al/