E Diel, 1 Nëntor 2026

OST: Nuk importojmë dot me anë të këtij kablli

Operatori i Sistemit të Transmetimit në KESH bën të ditur se me anë të kësaj linje nuk transmetohet dot energji, nëse parku energjitik është në punë
Sipas OST, kapaciteti prej 20% i lënë në përdorim të palës shqiptare është praktikisht i pashfrytëzueshëm
Projekti i miratuar gjatë ditës së djeshme nga ana e qeverisë shqiptare, sipas Operatorit të Transmetimit të Energjisë, nuk sjell asnjë përfitim apo përkeqësim në sistemin energjitik shqiptar. "Linja e Interkonjeksionit me rrymë të vazhduar nuk mund të shërbejë për transmetimin e energjisë elektrike midis dy sistemeve tona, të paktën gjatë kohës që parku është në punë",- sqarohet në relacionin e Operatorit të Transmetimit në KESH. Sipas OST, problemi kryesor që duhet të zgjidhet nga ana e palës shqiptare është fakti që 20% e kapacitetit të kësaj linje që do të vihet në dispozicion të OST është praktikisht i pamundur që të shfrytëzohet nga ana e këtij operatori. "Ky kapacitet do të jetë i nevojshëm për t'u shfrytëzuar për transmetimin e energjisë së prodhuar nga centrali eolik vetëm për ato orë të vitit ku prodhimi i këtij centrali do të jetë më i madh se 80% e kapacitetit të instaluar të tij, pra, praktikisht kapaciteti që mund të vihet në dispozicion të OST do të jetë i papërfillshëm, çka do të thotë që edhe përfitimi do të jetë i papërfillshëm",- sqaron OST.
Në përfundimin e raportit të saj, për këtë projekt, Operatori i Sistemit të Transmetimit të KESH sqaron se, nga ana e këtij institucioni nuk mund të jepet një vlerësim teknik për këtë projekt, pasi ai nuk paraqet ndikime në sistemin e transmetimit shqiptar. Projekti i miratuar gjatë ditës së djeshme nuk mund të sjellë asnjë përmirësim në furnizimin me energji të vendit, megjithëse ai parashikohet që të ndërtohet në territorin shqiptar. Në kontratën e lidhur me qeverinë shqiptare nuk ka asnjë klauzolë, që të detyrojë këtë kompani që energjinë e prodhuar nga era, ta shesë në tregun vendës të energjisë. Por edhe nëse do të ishte e nevojshme që Shqipëria të importonte energji nga Italia, atëherë nuk mund ta realizojë këtë proces në kushtet kur parku energjitik të jetë në punë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›