Regjistrimi i popullatës në Bosnje dhe në Tobagovinë
Më telefonoi para ca ditësh në orën dy pas mesnate, Kozho. E ka ai atë ves, thërret në orët e vona të natës nga kafeneja, për të më treguar një barsoletë. Thotë, e pyet mësuesja në shkollë Ivicën e vogël se si quhen banorët e Trinidad dhe Tobagos. “Ku ta di unë?” përgjigjet Ivica. “Janë plot një milion e njëqind mijë sosh!!” Mirë, i thashë, barsoletë e bukur, por si në të vërtetë quhen banorët e Trinidad dhe Tobagos? “Si quhen? Por kjo është e lehtë”, më thotë Kozho. "Aaron Abalaka, Aidan Abalaka, Audrey Abalaka, Anthony Aban, Annamaria Aban, mandej Adana Abasali, Aluna Abasali, Antonia Abasali, pastaj një tjetër Antonia Abasali, Alan G. Abbott, Ann-Marie Abbott, Ailian Aigbokhan, Abdul Ahamad, Aisha Ahamad, Ansar Ahamad, Assad Ahamad, Azhem Ahamad, pastaj Addam Acavero, Alecia Acavero, Anand Anamalay, Anya Ayoung, atë e njeh, ka qenë Miss Trinidad dhe Tobago në vitin 2008, më pas vjen Alicia Awai, Aman Awai, Baidwatee Awai....". “Jo, vërtet”, e ndërpreva unë. Kush jeton në Trinidad dhe Tobago? Kjo megjithatë është një çështje komplekse linguistike. Trinidadasit dhe Tobagosit? Trinidadotobagosit?
Kështu, nëse disa emërtime shtazarake i kemi për ves t’i përkthejmë, e kështu kemi bërë, le të themi, kur e kemi përkthyer Bregun e Fildishtë – atëherë, si do të duhej të quheshin banorët e Bregut të Fildishtë? Po mirë, përveç Didier Drogbas? Do të duhej ta përkthenim ndoshta edhe Trinidad dhe Tobagon. Njëherësh këtij ishulli, dikur, kolonizatorët evropianë ia kishin dhënë emrin perëndimoro-spanjoll – Trinidad, Trinia e Shenjtë – derisa ishullin tjetër e kanë emërtuar sipas një bime të pazakontë “Tabagua”, apo më saktësisht “Tobago”, apo “tabacco”, që do të thotë duhan. Mjaftueshëm fer apo jo?
Pra Trinia e Shenjtë dhe Duhani. Trinioshenjtorët dhe duhanxhinjtë? Trinioshenjtoroduhanxhinjtë? Flas budallallëqe, e di, por ka edhe më të mëdha. Për shembull, si quhen banorët e Bosnje e Hercegovinës? Pyetja nuk është fare e marrë siç duket. Banorët e Trinidad dhe Tobagos, për shembull, deklarohen si trinidadotobagas, apo më saktësisht – siç ata e kanë shpikur shkurtesën – trinbago, apo tinbagasit. Trinbagasit nuk janë përjashtim: edhe në shtetet e tjera kultivohet vesi i çmendur që në regjistrimet e popullatave, qytetarët të deklarohen sipas emërimit të shtetit që kanë. Kjo nuk është ndonjë çudi e madhe, në shumicën e rasteve bëhet fjalë për shtetet kombëtare – pra në rastet kur shteti ka marrë emrin sipas tyre, e jo ata sipas shtetit – e kur nuk janë të tillë në aspektin kushtetues të shekullit nëntëmbëdhjetë, atëherë janë në atë kolonizues.
Nuk dua ta them, por në secilin shtet gjendet nga ndonjë që kombëtarisht ndihet ndryshe – ka edhe në Trinidad e Tobago katër mijë kinezë – mirëpo ky ves është vërtetuar disi, kështu që askund nuk është lajm që në regjistrimin e popullatës në Portugali, Moldavi apo, po mirë, në Trinidad dhe Tobago, të dalë se gjendet një numër i madh i portugezëve, moldavianëve apo trinidadotobagosve. Vështirë se regjistrimi në Australi do të shkaktonte tërmet kushtetues, duke treguar në mënyrë sensacionale se shumica e qytetarëve deklarohen si australianë. Vështirë se regjistrimi i popullatës pritet me ndonjë lloj nervozizmi dhe paqartësie, me të cilën, si për shembull, priten rezultatet e zgjedhjeve parlamentare.
Përveç, natyrisht, në Bosnje e Hercegovinë. Aty vërtet ka qenë një lajm sensacional zbulimi shumë pak kohë më parë i faktit se ka njerëz që deklarohen si “bosanas” dhe si hercegovas. Vetëm në Bosnje e Hercegovinë, në të vërtetë, një anomali e tillë demografike – pra që në Australi ka australianë – ka mundur të shkaktojë një tërmet të vërtetë kushtetues. Në disa qytete dhe fshatra të Bosnje e Hercegovinës gjatë këtyre ditëve – keni lexuar për këtë – në gjashtëdhjetë qarqe votuese janë kryer regjistrimet testuese të popullatës, provë kjo e përgjithshme për regjistrimin e vërtetë, i caktuar për muajin prill të vitit të ardhshëm dhe që pritet me një nervozizëm të madh, për shkak se gjithë këto vite asnjë i gjallë nuk e di se sa banorë ka vërtet Bosnje e Hercegovina. “Ivica i vogël”, më thotë Kozho, “merr pesë nga gjeografia. E pyet mësuesja nëse e di dikush sesa banorë ka Bosnje e Hercegovina? Qetësi shurdhuese mbizotëron në klasë, vetëm Ivica ngre dorë me padurim. Unë e di, unë e di?”. ”Sa?”, e pyet mësuesja. “Nuk e di”, ia beh Uvica. “Bravo”, i thotë mësuesja dhe e kënaqur ia jep pesë. “Përgjigjja është e saktë. Si e dite?” Nuk dihet, pra, sesa banorë ka Bosnje e Hercegovina, nuk dihet se sa banorë kanë Sarajeva, Bijelina apo Banjalluka, nuk dihet sesa ka në Sarajevë serbë, në Banjallukë boshnjakë, apo në Banjallukë kroatë. E vetmja gjë që dihet për të gjitha këto vite është ajo se nuk ka “bosanas” dhe “hercegovas”.
Sipas regjistrimit të banorëve në BH ka boshnjakë, ka serbë dhe kroatë, ka madje edhe banorë misteriozë të tjerë, vetëm nuk ka “bosanas” dhe “hercegovas”. Opsioni bizar që dikush në regjistrimin e popullatës në Bosnje e Hercegovinë të deklarohet si “bosanas” apo “hercegovas” është shtuar në këtë mënyrë në momentin e fundit, sipas të gjitha gjasave në shaka, e nuk e di fare pse përndryshe do të duhej. Dhe pastaj vjen sensacioni: më shumë se një e treta e të evidentuarve në regjistrimin testues janë deklaruar si “bosanas”, “hercegovas” apo “bosanaso-hercegovas”! Njerëzit në Komision numëruan dhe verifikuan shtatë herë dhe secilën herë u doli njëjtë: plot tridhjetë e pesë për qind e njerëzve janë deklaruar si “bosanas” apo “hercegovas”! Tash një nervozizëm i madh ka kapluar strukturat etnocentrike politike, pas plot njëzet vjetësh luhatje në bindjen e rehatshme dhe të nxehtë se Bosnje e Hercegovina është një pllakë e rrafshët që shtrihet në shpinën e një breshke të madhe, të cilën e bartin tre elefantë në Presidencë: një boshnjak, një serb dhe një kroat. Kjo është një Bosnje e Treshes së Shenjtë – Trinisë – e tillë është kushtetuta, i tillë është Daytoni, të tilla janë edhe Parlamenti dhe Qeveria, dhe shkollat dhe këshillat drejtuese, i gjithë koncepti i shtetit është i bazuar në faktin se në Bosnje e Hercegovinë jetojnë – siç vetëm emri i thotë – kroatët, serbët dhe boshnjakët.
E tash, përnjëherë del se ka “bosanas” dhe hercegovas! Prej ku dolën ata, prej ku erdhën? pyeten etnocentrikët nga trinia e shenjtë, e gjithnjë kërkojnë nëpër hartë për të parë se ku saktësisht është ajo, si thuhet, Bosnje e Hercegovinë, prej ku u vijnë të gjithë ata “bosanas” dhe “hercegovas” të fuqishëm. E çfarë, tani? Më saktë, çfarë në prill? Çfarë nëse edhe regjistrimi i vërtetë i popullatës zbulon se, përveç tre popujve nga trinia e shenjtë, në Bosnje e Hercegovinë ka edhe “bosanas” dhe “hercegovas”, apo – edhe më keq – se ka të tillë edhe për Odën e popujve e edhe për presidencë? Në djall të gjithë, po doli vërtet se në Bosnje e Hercegovinë ka tridhjetë e pesë për qind – e ndoshta edhe më shumë! – “bosanas” dhe “hercegovas”, atëherë do të na duhej të ndryshojmë kushtetutën. Sado e marrë që të duket, shteti do të duhet të quhet Bosnje e Hercegovinë. Apo ndoshta – në mënyrë që të shmangeshin mosmarrëveshjet që do të mund të dilnin nga paradoksi se në Bosnje e Hercegovinë jetojnë “bosanas” dhe “hercegovas” – do të duhej që bashkësia ndërkombëtare thjesht ta përkthejë emrin e shtetit. Që Bosnja, për shembull, ta marrë emrin sipas trinisë së vet të shenjtë, ndërsa Hercegovina – veç më po imponohet – sipas duhanit.
Trinidad dhe Tobago. Që sipas gjuhës së autoktonëve do të nënkuptonte, në përkthimin e lirë, “Në djall Trinia e Shenjtë”.