Basha: Diaspora në SHBA, rol të rëndësishëm në arritjet e kombit, që nga shpallja e Pavarësisë e deri më sot

Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha i dhuron komunitetit shqiptar në Uorcester, flamurin kombëtar në 100 vjetorin e Pavarësisë
Në kuadër të festimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë, prej datës 10 nëntor, në sheshin qendror të qytetit Uorcester, Massachusets do të valëvitet flamuri shqiptar, flamur i dhuruar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha. Uorcester është qyteti me më shumë shqiptarë në SHBA. Pikërisht nga ky qytet mori jetë nisma e bashkimit të patriotëve, që përmes presidentit Uodrou Uilson bënë të mundur që në mbarë botën, Shqipëria të njihet si shtet sovran. Përmes një mesazhi të veçantë të lexuar gjatë mbrëmjes gala, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka vlerësuar rolin dhe kontributin e diasporës shqiptare në SHBA, për arritjen në këtë stad të lirisë, zhvillimit dhe integrimit, ku shqiptarët ndodhen sot. “Ky 100 vjetor është edhe një moment, për të kujtuar të gjithë ata që kontribuan për t’ia arritur kësaj dite, miqtë dhe aleatët tanë. Rruga jonë ka qenë e gjatë dhe e mundimshme. Pak kombe kanë përjetuar atë padrejtësi që u është bërë shqiptarëve në shekuj. Ne ia kemi dalë të mbijetojmë, edhe falë një miku të madh, një aleati të përjetshëm e strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në momente të vështira, kur diskutohej ekzistenca jonë, ne u mbështetëm fort nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështetje e cila vazhdoi edhe më pas, me pavarësinë e Kosovës”- shkruan në mesazhin e tij z. Basha. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka theksuar gjithashtu se është i vendosur t’i japë kryeqytetit të shqiptarëve gjithçka që i mungon, për të qëndruar denjësisht mes kryeqendrave të tjera botërore. “Unë jam shumë i lumtur që flamuri ynë kombëtar i cili vjen drejtpërdrejt nga Tirana, nga sheshi “Skënderbej”, posaçërisht për 100 vjetorin e Pavarësisë, do të valëvitet krenar edhe në qytetin tuaj të Ëorcester, Massachusets”- thuhet në mesazhin e z. Basha. Ndërkohë, komiteti Organizativ i Festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, në Uorcester ka falënderuar z. Basha, për vëmendjen që i kushton komunitetit shqiptar, në këtë 100 vjetor të Pavarësisë. “Dhurimi i flamurit është akti më i bukur dhe fisnik i festës që po organizohet në një nga qytetet me komunitetin më të madh dhe më të vjetër shqiptar, në Amerikë. Prej datës 10 nëntor, ai do të valëvitet në sheshin e qytetit, pranë Bashkisë së Uorcesterit, duke ia bërë atdheun më të afërt, 20 mijë shqiptarëve që jetojnë këtu. Për çdo shqiptar të mërguar sot apo dekada më parë, ngritja e flamurit do të thotë nderim ndaj atdheut, nderim ndaj sakrificave të paraardhësve që shpallën Shqipërinë të pavarur, nderim ndaj çdo shqiptari që sot jep kontributin e tij modest për imazhin e Shqipërisë”- thuhet në mesazhin e komunitetit shqiptar të Uorcesterit. Në shenjë mirënjohje, bashkësia e hebrenjve të qytetit, përmes z. Jesse Kaplan dorëzoi një certifikatë për Shqipërinë dhe shqiptarët që ndihmuan hebrenjtë gjatë holokaustit. Me një vendim të veçantë, qyteti i Uorcester e quan 28 Nëntorin, si Dita e Flamurit të Shqipërisë. Një çelës simbolik iu dhurua 100 vjeçarit Savo Gaba, si shenjë e emigrimit të hershëm të shqiptarëve, në Uorcester.
...