E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skemat e lopëve synojnë fermën, jo fermerin

14-11-2012 / Nga Çezar Agimi

“Është pozitive që po rritet numri i fermave me mbi 5 - 6 lopë. Ne me skemat tona synojmë që të arrijmë te numri që e bën të leverdisshme fermën, me mbi 5 - 6 lopë . Madje dhe skemat e IPARD, që do të hyjnë në fuqi vitin që vjen , synojnë krijimin e fermave me mbi 6 lopë. Është pozitive se është rritur rendimenti në prodhimin e qumështit në ferma të përqendruara ....”, tha ministri i bujqësisë Genc Ruli gjatë një vizite që ai zhvilloi në kompleksin e rritjes së viçave për mish “Maçi 2003”. Nga një llogaritje e përafërt rezulton se në këto lloj fermash , rendimenti i qumështit që ato realizojnë , është 1.5 - 2 herë më i lartë se mesatarja e gjithë lopëve në shkallë republike. Pra i takon që në këto ferma të merret mesatarsisht mbi 5-6 mijë litra për çdo lopë foragjere, rendiment i cili bën të mundur ballafaqimin me sukses të kësaj ferme në kushtet e sotme të tregut dhe zhvillimit të blegtorisë në vendin tonë.
Fermeri  austriak/“ ... edhe unë në fillim e shisja qumështin me shishe coca - cola, shkoja në Vjenë me autobusin urban, kur nuk e arrija atë shkoja me biçikletë; para 40 e ca vjetësh kisha vetëm një lopë e një mëshqerrë”. Kështu më deklaronte një koleg austriak para 3 vjetësh, në një seminar me fermerët e shoqatës së lopëve të racës Simental të Shqipërisë në hotel Kontinental në Vorë. Sot ky fermer mbarështon me shumë sukses mbi 150 krerë lopë qumështi Simental dhe është një nga drejtuesit kryesorë të shoqatës së fermerëve të kësaj race shumë të njohur austriake në mbarë botën.
Dukuri kryesore në fermë/Pavarësisht rënies në tërësi të numrit të krerëve në të gjitha llojet e blegtorisë  pas vitit 2005 vihen re mjaft dukuri pozitive si: a- Rritja e numrit të krerëve brenda një ferme si në lopë, të imta, etj. Kjo dukuri ka bërë që ne tashmë të kemi më shumë ferma për treg, të paktën në lopë 3-4 herë. Rritja e numrit të fermave për treg, ka sjellë menaxhimin më të mirë të tyre për mbarështimin në kushte teknike të kohës, duke rritur përgjegjësinë e fermerëve ndaj prodhimit të tyre për treg. b- Tashmë si rezultat i fenomenit të koncentrimit, pavarësisht se është në hapat e para të tij, lopa dhe gjedhi po shkon të mbarështohet në më pak ferma , me tendencë drejt fermerëve të cilët e kanë mbarështuar atë tradicionalisht, e njohin herët atë dhe e kanë rizgjedhur si alternativën e tyre të së ardhmes në rrugën e gjatë të ekonomisë së tregut në vendin tonë .
c- Gjatë 2 - 3 viteve të fundit, ka tendencë të ndryshojë struktura e prodhimeve blegtorale si për qumështin, ashtu edhe për mishin. Më e dukshme kjo vihet re në prodhimin e mishit, në të cilin nuk ka dyshim se ndikojnë dy faktorë kryesorë  që janë prodhimi vendas si dhe importi .Psh sot qumështi i lopës përbën rreth 87 % të sasisë së qumështit gjithsej që prodhohet në vend, në një kohë kur vetëm para disa vitesh ai përbënte 84 % .
d- Sot këto ferma si pasojë e gjetjes së vetvetes në treg, imponohen më me kurajo ndaj tij, gjë e cila ka sjellë rritjen e çmimit të grumbullimit të qumështit direkt në fermë në krahasim me vetëm 4-5vite më parë mesatarisht me 100 %. Kjo ka bërë që fermerët të rrisin ndjeshëm të ardhurat nga shitja, duke i çuar ata drejt njohjes reale të vlerave të  blegtorisë që ata menaxhojnë. e- Krahas kësaj ato tentojnë të përqafojnë teknika të reja të të ushqyerit dhe mbarështimit modern, aplikimit të inseminimit artificial të lopëve nëpërmjet përdorimit të racave intensive e të kultivuara që përdoren sot në Europë në prodhimin e qumështit e të mishit nga gjedhi, si Holshtein, Simental, Bruna, etj. 
Pse duhen mbështetur këto lloj fermash/Personalisht mendoj se duhet punuar edhe për një kohë të gjatë në këtë drejtim, sidomos në mbështetjen e fermave me 6 - 20 lopë, sepse ende numri i tyre vazhdon të jetë i ulët pavarësisht tendencave pozitive që vihen re. E kjo ka mjaft arsye për të qenë në radhën e parë të objektivave tona, ndër të cilat mund të përmendim: Së pari këto ferma janë më të prirura të përqafojnë e aplikojnë më shpejt politikat e Ministrisë së Bujqësisë dhe të zbatojnë skemat e mbështetjes financiare të ofruara prej saj. Gjithashtu rritet më tej efektiviteti i fondeve të parashikuara nga Ministria e Bujqësisë, të cilat gjithsesi ende janë të pamjaftueshme, për këtë kategori fermash blegtorale. Së dyti në përgjithësi këto lloj fermash kanë tendencë të zgjerojnë aktivitetin e tyre jo vetëm duke investuar në teknologji, por edhe në infrastrukturë; ç’ka i bën ato më të suksesshme ndaj konkurrencës së tregut. Kjo e bën më të lehtë arritjen në kohë e me cilësi të objektivave të vendosura. Këto lloj fermash shumë shpejt do të bëjnë të mundur shtimin e prodhimit të formalizuar në treg, një komponent më se i domosdoshëm për të evidentuar së pari zhvillimet statistikore e më pas standardizimin e prodhimit të tyre në bazë të kushteve të Bashkimit Europian. Së treti me pranimin e Shqipërisë si vend - kandidat i BE, prej nga mendohet se do të rriten fondet e BE për mbështetjen financiare të bujqësisë sonë; lipset që të kemi ferma me prodhim të specializuar edhe akses në tregun vendas. Po kështu ekzistenca e sa më shumë fermave të tilla të konsoliduara me blegtori, gjithsesi është një garanci më shumë se fondet që do të jepen nga BE, do të kenë efektivitet të lartë. Së katërti është e kuptueshme se rritja e këtyre fondeve në shkallë vendi do të varet shumë nga shtimi i fermave të tilla, njëherësh edhe të formalizuara në tregun e prodhimit blegtoral në të gjitha zonat gjeo-klimatike të vendit. Gjithashtu mendoj se kjo politikë duhet zbatuar me përparësi sidomos në llojet kryesore të blegtorisë që kanë traditë si dhe peshë specifike të lartë në strukturën e prodhimit blegtoral të vendit. 
Lopë sa Europa, por rendiment i ulët/Një arsye shumë e fortë se përse duhet të jetë bazë skema për mbështetjen e fermave me 6 - 20 lopë, është edhe fakti tjetër se në Shqipëri numri i krerëve të lopëve të qumështit për çdo 1000 banorë, është i barabartë me atë të Europës, por me një ndryshim shumë të madh dhe esencial …. Kjo ka të bëjë me organizimin e fermës së lopëve, ku numri i fermave me 6 - 30 lopë brenda një ferme në Europë, si psh në Austri përbën rreth 70-73 % të fermave të qumështit. Kujtoj këtu se rendimenti i qumështit për lopë foragjere në Austri kalon mbi 8000 litra, në një numër prej rreth 350 mijë krerë. Mos harrojmë se Austria është vend mjaft i ngjashëm me vendin tonë për nga relievi, edhe ajo si Shqipëria ka gati 75 %  të sipërfaqes terren malor. Si rezultat i këtij organizimi të fermës së lopëve, rendimenti i qumështit nga viti në vit ka njohur rritje të konsiderueshme, duke arritur shpesh në dyfishimin e tij brenda 15-20 vjetësh. Ndërkohë që rendimenti i qumështit në Europë, në vendet e Bashkimit Europian, në vitet 90 arriti mesatarisht në mbi 7000 litra për krerë në rreth 4.5 milion lopë të shënuara në librin gjenealogjik, në vendin tonë ende ai është rreth 2700 litra, e cila nuk ka dyshim se para së gjithash lidhet me shkallën e ulët të organizimit të fermës. Ende sot në vendin tonë mbi 80 % e  lopëve mbarështohen në ferma me 1-2 lopë.
Personalisht mendoj se në blegtorinë shqiptare, forma e pagesave direkte për krerë tek fermeri duhet përdorur edhe për disa kohë duke aplikuar politika të pagesave me koefiçentëve të ndryshueshëm. Përdorimi i tyre në skemat e subvencioneve falas në mënyrë të ndryshueshme në kohë e hapësirë në vartësi të rezultateve, ndryshimit të strukturës dhe perspektivës së ecurisë së prodhimit blegtoral, do të jetë një masë tepër efikase në mbështetjen e fermerëve të blegtorisë. Kjo mënyrë pagesash për fermerët do të lejojë Ministrinë e Bujqësisë që nëpërmjet studimeve e strukturave të saj, t’i orientojë ata më drejtë në politikat afatmesme dhe afatgjata për zhvillimin e blegtorisë. Përdorimi i pagesave me koefiçentë të ndryshueshëm do të na lejojë përdorimin e racave të kultivuara sipas drejtimit të tyre të prodhimit në vartësi të kërkesave të tregut. Pra kjo gjë do ta bënte më fleksibël e më të lehtë mbarështimin e tyre në raport me zhvillimin e fermës. Vendosja e pagesave të ndryshueshme të nivelit “dysheme” e “tavan” në korelacion  pozitiv me numrin e krerëve do të ishte mjaft interesante për diferencimin e fermave blegtorale jo vetëm në përfitimin financiar prej fondeve shtetërore, por edhe perspektivën e zhvillimit të tyre. Pagesat me koefiçentë të ndryshueshëm mund të përdoren edhe brenda një qarku, në veçanti për bagëtitë e imta, të cilat do të diferencojnë jo vetëm fermerët, por edhe qarqet në traditën e tyre të zhvillimit. Këto do të përforcojnë konceptin se ai që ka më shumë krerë në blegtori të imët, është më i prirur edhe ndaj investimeve kapitale jo vetëm me fondet e veta , por veçanërisht me fondet që do të përfitojë nga mbështetja financiare shtetërore dhe në perspektivë nga fondet e BE. Pagesat me koefiçentë të ndryshueshëm do ti detyrojnë fermerët vendas që të luftojnë më fort se më parë për realizimin e standardeve të prodhimit dhe mbarështimit të lopëve në raport me kushtet që ka fermeri europian. Këto ishin disa mendime dhe ide lidhur me stadin aktual të zhvillimit të blegtorisë në shkallë vendi dhe projekt - strategjinë e drejtimit të saj në vitet e ardhshme.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›