Teologu Gylen: Dialogu ndërfetar sot përbën një domosdoshmëri
Në një kohë kur bota është e trazuar dhe më shumë se kurrë kemi nevojë për paqe, na vjen në ndihmë përvoja e mendimtarit turk Fethullah Gylen. Përgjatë dy ditëve, dje dhe sot, do të mbahet një simpozium mbi diversitetin dhe dialogun ndërfetar, ku do të marrin pjesë 35 akademikë të njohur nga vendi e rajoni. Referimi bazë do të jetë vepra e Fethullah Gylen-it, mendimtar turk, teolog, opinionist, aktivist në fushën e arsimit dhe avokat i paqes. Ai konsiderohet si nismëtari dhe frymëzuesi i rrjetit shoqëror mbarëbotëror të vlerave njerëzore, të njohur si lëvizja “Gylen”, e cila është e fokusuar në fushën e arsimit, dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor, paqes, drejtësisë dhe harmonisë sociale. Në veprat e tij mendimtari, filozofi dhe shkrimtari i njohur turk Fethullah Gylen shpalos idenë se “Dialogu ndërfetar sot përbën një domosdoshmëri dhe hapi i parë në institucionalizimin e tij është të harruarit e së shkuarës, injorimi i argumenteve ndarës dhe dhënia përparësi e pikave të përbashkëta, të cilat do të flakin tutje polemikat e panumërta”. Gyleni ka publikuar më shumë se 60 libra në gjuhën turke, një pjesë e mirë e të cilave është përkthyer në shumë gjuhë të tjera, mes të cilave dhe në gjuhën shqipe. Në maj të 2008-s Foreign Policy e përfshiu atë në listën e 100 intelektualëve publikë më me ndikim në botë, ndërsa votimi online e shpalli atë të parin.