E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i pronës te noteri brenda pak minutave

13/10/2011  Qeveria miraton ndryshimet e ligjit, që hyn në fuqi në janar 2012

Nga janari i vitit të ardhshëm regjistrim i pasurive të paluajtshme do të bëhet jo më pranë hipotekave, por pranë zyrave noteriale. Qeveria miratoi dje disa ndryshime në ligjin “Për noterinë”, të cilat sjellin një lehtësim real të barrës burokratike mbi biznesin, duke i dhënë këtij institucioni detyrimin për të përmbushur përgjegjësinë e tij. Këto ndryshime janë të zbatueshme për zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ku funksionon regjistri elektronik i pasurive të paluajtshme. Deri në krijimin dhe funksionimin e regjistrit elektronik tjetërsimi i pasurive të paluajtshme kryhet sipas procedurave ligjore të mëparshme. Kryeministri i vendit, Sali Berisha, u shpreh se me këto ndryshime institucioni i noterisë synon modernizimin dhe vendosjen e veprimtarisë së tij on-line për të bërë një transparencë të plotë të punës së tij. “Unë i përgëzoj të gjithë noterët që e mbështesin këtë nismë, por edhe ndryshimi që bëmë këtu në këtë ligj ndihmon në thjeshtimin e disa procedurave. Kështu, disa funksione që i kishte më parë zyra e regjistrimit të pasurive tani, për të shkurtuar kohën për biznesin dhe qytetarët, i merr përsipër institucioni i noterisë, i cili është i lidhur on-line me të gjitha institucionet e tjera, duke reduktuar nga 5 hallka dhe 21 ditë kohë në dy hallka dhe një punë të kryer brenda një kohe të shkurtër”, - tha kryeministri. Sipas ndryshimeve të propozuara nga ministri i Drejtësisë, noteri ka për detyrë të bëjë regjistrimin, ruajtjen, shfrytëzimin, përdorimin dhe transmetimin e të dhënave personale të palëve në përputhje me kërkesat dhe kriteret e përcaktuara në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale; të paraqesë për regjistrim, brenda afatit të përcaktuar me ligj, me pëlqimin e palëve, aktin noterial për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme pranë zyrës që administron regjistrin elektronik, ku ndodhet pasuria e paluajtshme. Akti noterial për tjetërsimin ose njohjen e pronësisë mbi sendet e paluajtshme apo të një të drejte reale mbi to bëhet nga noteri, pasi të ketë verifikuar pronësinë e palës mbi sendin e paluajtshëm. Për këtë qëllim pala i paraqet noterit dokumentet e pronësisë dhe noteri, me pëlqimin e saj, verifikon gjendjen juridike të pronësisë në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme. Noteri duhet të shënojë në aktin noterial për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme verifikimin e bërë dhe t’i bashkëlidhë rezultatin e verifikimit. Sa u takon tarifave, subjekti do të paguajë edhe për shërbimin noterial të regjistrimit të akteve për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Akti noterial hartohet nga noteri në prani të palëve dhe veç të tjerash duhet të përmbajë edhe tregimin e qartë të sendeve që përbëjnë objektin e aktit me gjithë cilësitë dhe shenjat dalluese të tyre. Kur sendet janë të paluajtshme, tregohen në përbërje të tyre vendi i ndodhjes dhe kufijtë e saktë. Në rastet e tjetërsimit të pasurisë së paluajtshme tregohen verifikimi i noterit në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme, si dhe mënyra e derdhjes së çmimit të tjetërsimit në llogarinë bankare të tij.

Tarifat

Për kryerjen e akteve e të veprimeve noteriale si dhe për shërbimin noterial të regjistrimit të akteve për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme paguhet një tarifë, e cila caktohet nga Ministria e Drejtësisë. Tarifa afishohet në çdo zyrë noteriale. Këshilli i Ministrave, kur e sheh të arsyeshme, mund t’i liberalizojë këto tarifa.

Akti noterial

Sa i takon përmbajtjes së aktit noterial, në rastet e tjetërsimit të pasurisë së paluajtshme tregohen verifikimi i noterit në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme, si dhe mënyra e derdhjes së çmimit të tjetërsimit në llogarinë bankare të tij. Procedura teknike për derdhjen e pagesës përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave.

Dispozitë tranzitore

Ndryshimet e ligjit për noterinë shoqërohen edhe me dispozita tranzitore. Sipas tyre, dispozitat e këtij ligji janë të zbatueshme për zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ku funksionon regjistri elektronik i pasurive të paluajtshme. Deri në krijimin dhe funksionimin e regjistrit elektronik tjetërsimi i pasurive të paluajtshme kryhet sipas procedurave ligjore të mëparshme.

Ndalimi

Ligji “Për noterinë” parashikon edhe dispozita ligjore që e ndalojnë noterin të ndërmarrë veprime noteriale. Në këtë mënyrë, në nenin 42 të tij noteri nuk mund të kryejë aktin noterial kur merr pjesë vetë ose është i interesuar në çështje, si dhe kur marrin pjesë në akt ose janë të interesuar bashkëshortja, fëmijët dhe të afërmit e tjerë deri në shkallën e tretë të birësuarit prej tij, krushqia e afërt si dhe kur është i interesuar personi ndaj të cilit ai kryen detyrën e kujdestarit. Një përcaktim tjetër ligjor thotë se aktet noteriale të hartuara në pajtim me ligjin kanë fuqinë e akteve autentike. Gjatë redaktimit të një akti ose kryerjes së një veprimi noterial noteri u bën të qartë palëve kërkesat e ligjit për rastin konkret dhe brenda kufijve të tij ruan si interesat e palëve, ashtu dhe ato të të tretëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›