E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Është e pazbatueshme, dëmtohet prodhimi vendas

13/10/2011  Refuzohet zyrtarisht nga mazhoranca heqja e TVSH-së për ushqimet

Kryeministri Sali Berisha i ka thënë dje “jo” propozimit të Partisë Socialiste për heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë të shportës të ushqimeve. Arsyetimi i kryeministrit është se kjo praktikë, pra heqja ose ulja e TVSH-së për këta artikuj, do të dëmtonte prodhimin vendas e sidomos të atyre fermerëve që prodhojnë grurë. E njëjta gjë, tha kryeministri, do të ndodhte edhe në rast se hiqej TVSH-ja për qumështin, e cila do të godiste direkt aktivitetin blegtoral. “Në rast se ti propozon të heqësh TVSH-në e miellit, Ukraina apo Serbia këtu në rajon, që është një prodhues i konsiderueshëm, prodhojnë grurë për këdo. Por problemi është se duhet të prodhojnë edhe fermerët tanë, sepse gruri është një kulturë që nuk kërkon kaq shumë mundim dhe sofistikime në mekanikë. Duhet të mendojmë se kemi 50% të popullsisë në fshat. Po të heqim TVSH-në për qumështin, nuk do të merret kush me bagëtinë në Shqipëri, paçka se të tjerët marrin nga 3 euro për lopë në ditë si subvencion, kurse këta i bien Shqipërisë kryq e tërthor për të kullotur bagëtinë sipas stinëve, ndërsa këta thonë të heqim TVSH-në dhe të vijë qumështi me cisterna. Unë e kuptoj dhe do të qëndroj prapa secilit që ka vështirësi për bukën e gojës, dhe ka njerëz që kanë vështirësi, por sipas statistikave shumica nuk kanë vështirësi për bukën e gojës; dhe përderisa nuk kanë, duhet të pranojmë një shpërndarje, duhet të pranojmë që edhe ai që jeton atje në Myzeqe, në Berat, në Shkodër apo kudo të ketë mundësi të shesë me një çmim për të siguruar një fitim”, - tha Kryeministri. Sipas tij, revolucioni fiskal (siç i quajti reformat e qeverisë) do të vazhdojë, por në asnjë rast nuk do të merren vendime që dëmtojnë 50 për qind të popullsisë. Vetëm para pak ditësh Partia Socialiste dorëzoi në Kuvend draftin që parashikonte uljen dhe në disa raste heqjen e TVSH-së për artikujt ushqimorë. “Vështirë që, nëse nuk e mban parasysh, përfundon me të ardhura 3-4%. Zotëria e tij citon partinë, dhe është e vërtetë. 5% në partinë e tij kanë të gjithë pasurinë e PS-së, se ajo mbante partinë. Në Shqipëri ka tregues ndërkombëtarë. Ginesi i PS-së është ai që thotë kryetari i saj: 5 kompani janë 10 herë më të pasura se anëtarësia e partisë dhe i gjithë elektorati i saj. Biznesmenët zakonisht nuk kanë parti, prandaj po e them këtë, janë partia e biznesit ata. Ndaj dhe ta vazhdojmë revolucionin fiskal, por të kemi parasysh se si të nxitim biznesin, të kemi parasysh se si të ndikojmë një shpërndarje më të ndershme. Shpërndarja nuk bëhet kurrë duke menduar se si të dëmtojmë të pasurit. Ajo praktikë është faktuar në Shqipëri si praktika më katastrofale. Shpërndarja bëhet duke u kujdesur për të gjithë faktorët socialë, duke u kujdesur për rregullat. Është 9% e GDP-së fatura sociale që kemi ne, më e larta. E kemi gjetur 6 %. Tani ai thotë ta lëmë grurin në fushë, të mos mbjellim, të mos prodhojmë vezë, ndërkohë që ne mund të eksportojmë vezë. Tani na thuhet të heqim TVSH-në. Revolucioni fiskal vazhdon, por asgjë që dëmton interesat e 50% të shqiptarëve, që janë prodhues, nuk mund të pranohet nga kjo qeveri”, - tha kryeministri.

Shpërndarja e të ardhurave

Sipas Berishës, shpërndarja nuk bëhet në kurriz të një klase sociale. “Shpërndarja nuk bëhet kurrë duke menduar se si të dëmtojmë të pasurit. Ajo praktikë është faktuar në Shqipëri si praktika më katastrofale. Shpërndarja bëhet duke u kujdesur për të gjithë faktorët socialë, duke u kujdesur për rregullat. Është 9% e GDP-së fatura sociale që kemi ne, më e larta. E kemi gjetur 6%. Tani ai thotë ta lëmë grurin në fushë, të mos mbjellim, të mos prodhojmë vezë.”

Taksat në zonat malore

Kryeministri foli për përjashtimin nga taksat të zonave malore. “Në udhëtimin që bëmë në Dardhë, mund t’u them se u konsolidua bindja më e thellë se në zonat malore të vendit investimet të përjashtohen nga taksat për 8 vjet, dhe kjo nuk cenon aspak të ardhurat. Kjo vetëm ndihmon një shpërndarje më të ndershme dhe më të drejtë të tyre. Kjo bën që malet, deri dje vende mundimi, të shndërrohen në vende dëfrimi, të shndërrohen në vende mëkëmbjeje.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›