E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekui: Politika të bindet, u ndëshkuan shqiptarët

13/10/2011  Ambasadori i BE në Tiranë

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui, ka prezantuar pasditen e djeshme jo vetëm për median, por edhe gjithë opinionin publik shqiptar, të gjitha arsyet pse Bashkimi Europian refuzoi kërkesën e Shqipërisë për fillimin e negociatave për anëtarësim në familjen evropiane. Gjatë një konference të posaçme për shtyp, ambasadori Sekui, pasi i ka dorëzuar raportin e progresit të Shqipërisë autoriteteve më të larta të vendit, ka deklaruar se shkaku kryesor mbetet ngërçi politik në vend.

Deklarata

Ambasadori i BE-së Etore Sekui ka renditur shkaqet e dështimit të marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria “Për sa i përket demokracisë dhe shtetit ligjor, ngërçi i vazhdueshëm politik dhe zhvillimet e mëtejshme konfliktuale kanë penguar zbatimin e reformave, ndërsa pjesë të rëndësishme të legjislacionit mbeten në pritje për miratim. Kjo klimë polarizimi ka ndikuar gjithashtu edhe zgjedhjet vendore të 8 majit. Pavarësisht një procesi relativisht të mirë ditën e zgjedhjeve dhe një procesi numërimi pozitiv në përgjithësi, zgjedhjet u karakterizuan nga mangësi dhe polemika, veçanërisht për sa i përket gjykimit të apelimeve postzgjedhore për zgjedhjet vendore në Tiranë. Reforma zgjedhore ka ngecur. Hapa thelbësorë në reformën e administratës publike nuk janë përmbyllur dhe funksionimi i sistemit gjyqësor duhet të përmirësohet më tej. Përparimi në luftën kundër korrupsionit ka qenë i kufizuar. Ekzistojnë disa shqetësime për sa i përket presionit për të penguar pavarësinë e medies. Përparimi në miratimin dhe vënien në zbatim të strategjisë për reformë në çështjen e pronave dhe planit të veprimit ka qenë i kufizuar. Vënia në zbatim e mjeteve legjislative dhe politikave në fushën e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së minoriteteve, përfshirë komunitetin rom, ka nevojë për përmirësim të mëtejshëm”, - u shpreh mbrëmjen e djeshme ambasadori Sekui.

Ekonomia

Ekonomia shqiptare ka ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe rritjen pozitive gjatë krizës globale dhe lidhur me pasojat e saj. Shqipëria ka bërë disa përparime drejt transformimit në një ekonomi tregu funksionale. Kapaciteti i saj për t’iu përshtatur presionit konkurrues dhe forcave të tregut brenda Bashkimit Evropian në një aspekt afatmesëm është në rrugën e duhur.

Legjislacioni i BE-së

Shqipëria ka bërë disa përparime në përmirësimin e aftësisë së saj për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit duke përafruar legjislacionin dhe standardet e saj me ato të Bashkimit Evropian, në veçanti në fushat e lëvizjes së lirë të mallrave, në politikat e ndërmarrjeve dhe industrisë, drejtësisë, lirisë, sigurisë dhe kontrollit financiar.

Komisioneri për Zgjerimin dorëzon raportin pranë Komisionit Europian

Fule: “JO” statusit. Nuk keni realizuar rekomandimet

Herion Mesi

Për të dytin vit radhazi Komisioni Europian ka refuzuar t’i japë Shqipërisë statusin e vendit e kandidat për në BE. Ngërçi politik dhe mosrealizimi i 12 rekomandimeve të kërkuara një vit më parë ishin shkaqet kryesore që detyruan KE-në në marrjen e këtij vendimi negativ mbi nisjen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në familjen europiane. Me gjithë përparimin në disa fusha, Komisioni nuk është në gjendje të rekomandojë hapa të mëtejshëm për Shqipërinë këtë vit. Por “mbështetur në sinjalet e fundit pozitive, Komisioni inkurajon forcat politike në Shqipëri të rivendosin dhe mbajnë një nivel dialogu politik që të bëjë të mundur funksionimin e institucioneve kryesore demokratike dhe vënien në jetë të reformave thelbësore”, - tha dje komisionari për Zgjerimin Stefan Fyle

Raporti për Shqipërinë

Komisioni Europian në vlerësimin e përgjithshëm të pasqyruar për Shqipërinë nënvizohet se progresi për 2011-n në vendin tonë ka qenë i kufizuar. Zhvillimet politike të ndodhura gjatë këtij viti kanë qenë në qendër të raportit të progresit të hartuar për Shqipërinë. Raporti i KE-së nis me zbatimin e kritereve politike, ku një vend i veçantë u lihet zgjedhjeve të 8 majit për pushtetin vendor, të cilat janë vlerësuar pjesërisht të mira. Në raport shkruhet se “në përgjithësi, me gjithë një numër aspektesh pozitive, si konkurrenca e procesit, përgatitjet teknike transparente, zhvillimi përgjithësisht i mirë në ditën e votimit, një proces pozitiv numërimi, një mbulim pluralist nga mediet, zgjedhjet, të cilat janë përcaktuar si një prioritet kyç në opinion, arritën pjesërisht standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”. Në lidhje me vlerësimet mbi parlamentin shqiptar dhe situatën politike, raporti vlerëson se “megjithëse ka disa përmirësime në praktikat dhe rregullat parlamentare, si dhe një rritjeje të kapaciteteve administrative, aktiviteti i parlamentit në funksionet legjislative dhe të kontrollit, i cili është një nga prioritetet kyçe në opinion, mbetet i pamjaftueshëm”, - thuhet në raport.

Në raport theksohet se “ngërçi politik, ngjarjet e 21 janarit dhe kundërshtitë për zgjedhjet në Tiranë kanë penguar si punën e parlamentit, ashtu dhe dialogun politik të nevojshëm dhe konstruktiv.” Raporti i KE-së për Shqipërinë u lexua dje nga vetë komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle përpara eurodeputetëve të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Evropian. “Progresi është penguar nga ngërçi politik e bojkoti parlamentar. Pavarësisht përpjekjeve tona për të mbështetur progresin. Kohët e fundit kemi pasur sinjale pozitive se palët politike do të rritin bashkëpunimin. Është urgjente të nisin dialogun e të mbajnë një nivel bashkëpunimi që do të lejonte progresin në BE”, - theksoi Fyle.

Reforma zgjedhore

Raporti i KE-së për Shqipërinë thekson se klima e polarizimit politik dhe mosbesimit mes qeverisë dhe opozitës ndikoi në zgjedhjet lokale të 8 majit, por çka është më e rëndësishmja “reforma zgjedhore, si një prioritet kyç i opinionit të KE-së, ka ngecur në vend”, - thuhet në raport.

Parlamenti

“Parlamenti nuk siguroi seanca dëgjimore dhe votim të rregullt në emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, e cila gjithashtu përbën një tjetër prioritet kyç të KE-së. Cilësia e projektligjeve dhe diskutimet me palët e interesuara kërkojnë përmirësime të mëtejshme", - vëren raporti.

Korrupsioni

Reforma të pakompletuara për administratën publike, përparim i kufizuar në reformën gjyqësore, zbatim i pamjaftueshëm i masave antikorrupsion dhe cilësimi se ky fenomen "mbetet një problem veçanërisht serioz", janë disa nga vlerësimet në kapitullin e kritereve politike. “Korrupsioni vazhdon të mbizotërojë në shumë sfera dhe vazhdon të jetë një problem veçanërisht serioz”, - theksohet në raport. Sipas tij, “janë rritur shqetësimet në disa sfera, si liria e medies, ku pavarësia editoriale vazhdon të pengohet nga interesat politike dhe ato të bizneseve”.

Reforma gjyqësore

Shqipëria, sipas opinionit të djeshëm të KE-së, nuk ka plotësuar edhe një tjetër kriter kyç, që ka të bëjë me reformën në administratën publike, përfshirë këtu amendimin e ligjit për shërbimin civil. Raporti vë në dukje faktin se miratimi i legjislacionit të nevojshëm varet nga kapërcimi i ngërçit politik. Raporti shpreh vlerësim jo fort pozitiv edhe sa i përket sistemit gjyqësor, duke vënë në dukje se “Shqipëria ka bërë shumë pak progres sa i takon plotësimit të reformës gjyqësore”.

Ngërçi politik

“Ngërçi i gjatë politik, që u përshkallëzua edhe më shumë nga ngjarjet e 21 janarit dhe debatet për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ka penguar seriozisht punën parlamentare dhe dialogun politik. Po kështu “ngërçi ka penguar edhe arritjen e një konsensusi të nevojshëm për implementimin e reformave të nevojshme në rrugën drejt BE-së. Bojkoti i pjesshëm i opozitës pengoi punën në parlament”, - thuhet në raport.

Parlamenti Europian

Pak: Partitë të lënë debatet boshe dhe të bashkëpunojnë

Në një intervistë dhënë për mediet deputetja e Parlamentit Europian Doris Pak ka kritikuar paaftësinë e politikës shqiptare për të kryer reformat e nevojshme. Pak theksoi se Shqipëria ka bërë progres dhe vendi i saj është në familjen europiane, por po humbet mjaft kohë me sherret politike. Disa orë para publikimit të progresraportit të Komisionit Europian për Shqipërinë Pak bëri thirrje për lëshime të dyanshme, me qëllim që dy forcat politike të punojnë për të rimarrë ritmin e duhur në përmbushje të reformave demokratike. “Më në fund duhet të fillojnë ose të vazhdojnë të bëhen ato që duhen bërë. Ka 12 kushte të formuluara nga Komisioni Europian. Këto duhen realizuar, duhen gjetur zgjidhjet e duhura për këto kushte. Por këto nuk mund të bëhen vetëm nga qeveria, nga shumica. Ato kanë nevojë që të bashkëpunojë edhe opozita. Janë shumë ligje që kanë nevojë për shumicë të kualifikuar, pra për votën e opozitës. Këtë kërkesë për bashkëpunim opozitës ia kemi thënë jo vetëm ne, por dhe kolegët tanë socialistë të Parlamentit Europian. Unë kërkoj që edhe qeveria edhe parlamenti të hapin një dialog të vërtetë me opozitën për ato ligje të domosdoshme që kërkojnë edhe votën, dhe bashkëpunimin e saj”, - theksoi Pak. Nga ana tjetër eurodeputetja siguroi shqiptarët se nëse kërkesa e Tiranës zyrtare refuzohet edhe këtë vit, kjo nuk do të thotë se Bashkimi Europian e humb interesin e tij për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

Marrja e statusit, Shqipëria shpreson në dhjetor dhe në mars

Shqipëria dhe marrja e statusit të vendit kandidat për në BE pritet të jetë sërish në vëmendjen e opinionit ndërkombëtar në muajt e ardhshëm. Kështu, Shqipëria do të tentojë për marrjen e statusit nga ana e Këshillit të Europës, i cili pritet të mblidhet më 23 dhjetor të këtij viti, ku temë e diskutimit do të jetë sërish zgjerimi i eurozonës me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në rast refuzimi pranvera e ardhshme rezervon një tjetër shans për vendin tonë sa i përket integrimit në familjen europiane. Në mars të vitit të ardhshëm Komisioni Europian, i cili publikoi një ditë më parë progresraportin e vendeve aspirante, ku përfshihet edhe Shqipëria, pritet të zhvillojë një tjetër takim. Në këtë seancë vëmendja kryesore do të fokusohet tek implementimi dhe realizimi i rekomandimeve të bëra në progresraportin e djeshëm. Pavarësisht progresit të bërë gjatë këtij viti, Komisioni Europian nuk ishte dje në gjendje të rekomandonte hapa të mëtejshëm për Shqipërinë, duke lënë në fuqi realizimin e 12 rekomandimeve të bëra në opinionin e 2010-s. Ishte ky konkluzioni i paraqitur një ditë më parë në raportin e KE-së për Shqipërinë ku analizohet përparimi i vendit tonë në drejtim të përmbushjes së 12 kritereve të paraqitura në opinionin e nëntorit të vitit të kaluar. Pengesë për mosrealizimin e axhendës europiane nga ana e Shqipërisë që pritej nga Bashkimi Europian janë bërë problemet e brendshme, si ngërçi politik dhe mungesa e kompromisit për integrimin europian mes mazhorancës dhe opozitës. Nga 12 detyrimet që kanë kërkuar europianët në progresraportin e vitit të kaluar për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë të vetmet që nuk janë prekur është votimi i ligjeve me 3/5, për të cilat mazhoranca aktuale nuk i ka 84 votat që përbëjnë dhe shumicën e cilësuar. Për realizimin e këtyre detyrimeve është i nevojshëm vullneti politik i opozitës për të votuar një sërë ligjesh dhe kodesh. Deri më tani Kuvendi ka shtyrë votimin e projektligjeve të cilat duhen miratuar me 84 vota dhe për të cilat opozita kërkon rishqyrtimin në komisione.

Refuzimi nga BE, Rama: do të jetësojmë axhendën europiane

Pas publikimit të progresraportit të KE-së për vendin tonë, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka përsëritur vullnetin e opozitës shqiptare në ushtrimin e përgjegjësive që i takojnë në jetësimin e axhendës europiane të Shqipërisë. Pas takimit me ambsadorin e BE-së në Tiranë, Etore Sekui, mbrëmjen e djeshme Rama deklaroi se ai u njoh me progresraportin e Komisionit Europian për vendin tonë, publikuar dje së bashku me strategjinë e zgjerimit. “Si drejtues i opozitës, Edi Rama përfiton nga rasti për të rinënvizuar vullnetin e opozitës shqiptare për të ushtruar përgjegjësinë që i takon në jetësimin e axhendës shtetndërtuese dhe europianizuese të Shqipërisë”, - theksoi Rama. Në një njoftim për shtyp zyra për shtyp e PS-së ka zbardhur qëndrimin e saj në lidhje me këtë çështje. “Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, z. Edi Rama, u njoh me progresraportin e Komisionit Europian për vendin tonë publikuar sot së bashku me strategjinë e zgjerimit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e konsideron progresraportin si një instrument të rëndësishëm për demokratizimin e shoqërisë dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë. Kryetari Rama falënderon shërbimet e Komisionit Europian për analizën e kthjellët në këtë raport, që është një vazhdimësi e detyrave të lëna për vendin tonë nga opinioni i vitit të kaluar”, - thuhet në njoftimin për shtyp.

Topi: Mungesa e dialogut politik solli vlerësimin negativ nga BE

Pak orë pas publikimit të progresraportit për Shqipërinë nga KE-ja, Presidenti i Republikës zhvilloi një takim pune me kreun e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Etore Sekui, i cili i dorëzoi zyrtarisht raportin e përparimit për Shqipërinë për vitin 2010–2011. Sipas njoftimit të Presidencës, nga ana e tij Presidenti Topi e garantoi diplomatin e BE-së në Tiranë se “ne do ta lexojmë raportin e përparimit me kujdes e me shumë vëmendje, duke qenë të vendosur të ecim përpara në këtë rrugëtim integrues”, - theksoi Topi. Ndërsa më pas shtoi se do “të vazhdojmë t’i inkurajojmë e t’i nxitim aktorët politikë që të adoptojnë një sjellje të vërtetë evropiane”. Kreu i shtetit i tha përfaqësuesit të lartë të BE-së se “këta aktorë kryesorë politikë duhet të gjejnë rrugën e komunikimit normal politik dhe dialogut të duhur institucional, që mungon prej kohësh, duke u bërë edhe arsyeja kryesore për mosarritjen e objektivit të marrjes së një vlerësimi pozitiv nga Bashkimi Evropian”. Nga ana e tij ambasadori e Sekui vuri në dukje edhe një herë se raporti i përparimit 2011 i Komisionit Evropian do të shërbejë si një mjet i rëndësishëm për rrugëtimin e ardhshëm integrues të Shqipërisë dhe plotësimin e standardeve nga ana e saj.

Më pas ambasadori Sekui zhvilloi një tjetër takim me kreun e PS-së, të cilit i dorëzoi progresraportin e KE-së për Shqipërinë. Ndërsa sot Sekui do t’ia dorëzojë raportin edhe kryeparlamentares Topalli.

Europarlamentarët

Sydow: Partitë të kalojnë veprime konkrete

Pas miratimit të një rezolute për situatën në Ballkanin Perëndimor nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, hartuesi i raportit dhe kryetari për Çështjet Politike, Björn von Sydow, analizon gjendjen në Ballkan. “Në Kosovë Këshilli i Europës është i shqetësuar sidomos në pikat e kontrollit në kufi me Serbinë dhe vazhdimin e dhunës, gjë që bllokon progresin e bisedimeve Prishtinë–Beograd të ndërmjetësuara nga BE-ja. Në Shqipëri skena politike dominohet nga polarizimi partiak, i cili ka zhgënjyer shqiptarët në dekadat e fundit. Zhvillim pozitiv është anëtarësimi i afërt i Kroacisë në BE, stabiliteti politik në përgjithësi i rajonit”, – tha dje në një intervistë për “Dojëe Vellen” Sydow. Duke u ndalur në situatën në Shqipëri, hartuesi i progresraportit të KE-së theksoi: “Situata politike shfaqet e ngrirë në pamjen e saj për pothuaj 20 vjet. Dy partitë kryesore politike nuk kanë treguar vullnet politik për të arritur konsensus për çështje thelbësore. Që të dyja lidhur me demokracinë e brendshme në parti kanë ende ndikime nga sistemi i vjetër politik në Shqipëri.” Në intervistën e tij Sydow zbardh dhe disa detaje nga debati në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në lidhje me Shqipërinë. “Ajo që kam theksuar në raportin tim është angazhimi i dy partive kryesore dominante për të kryer reformën elektorale. Por në debatin e mbrëmshëm në Asamblenë Parlamentare pati edhe nga ata që u shprehën se nuk janë optimistë para se të shohin realizimin e këtij angazhimi. Nga angazhimet të dyja partitë duhet të kalojnë në veprime konkrete”, - tha Sydow. Në përfundim hartuesi i raportit të KE-së u shpreh: “Sistemi elektoral duhet të mundësojë praninë e më shumë partive politike në parlament. Atëherë nuk do të ketë një konkurrim të dëmshëm, jo të shëndetshëm, si tani, vetëm mes dy partive. Natyrisht, dy partitë e vjetra politike duhet të reformojnë veten, ndërkohë që partitë e reja duhet të promovohen nga sistemi i ri i reformuar sipas rekomandimeve të shumta të Komisionit të Venecies, duke eliminuar ato rregulla që vijnë nga sistemi i vjetër autoritarist në Shqipëri.”

Konsensusi

“Shkaku kryesor është mungesa e konsensusit për çështje bazë, themelore mes dy partive kryesore, gjë që është e domosdoshme në një sistem politik dypartiak. Kjo është shqetësuese. Për Këshillin e Europës, Komisionin Europian dhe institucionet e tjera të BE-së është shumë shqetësues fenomeni i bojkotit të Parlamentit nga njëra prej partive kryesore”, - tha dje Sydow.

Sinjalet pozitive

I pyetur në lidhje me sinjalet që vijnë nga politikanët shqiptarë, Sydow theksoi: “Ka sinjale, por ende nuk i kemi parë ato të realizohen. Presim që opozita në Parlament të marrë përgjegjësi dhe të bëjë punë. Në radhë të parë të punojë për reformimin e sistemit elektoral në përputhje të plotë me axhendën e Komisionit të Venecies. Zbatimi i saj është një domosdoshmëri, nëse Shqipëria është për demokracinë.”

Ambasadori i BE-së, Sekui, i dorëzon kryeministri raportin për progresin e Shqipërisë

Berisha: I gatshëm për dialog me opozitën sipas Kushtetutës”

Kryeministri Sali Berisha, pasi mori në dorëzim nga ambasadori i BE-së, Etore Sekui, raportin Komisionit Evropian për progresin e Shqipërisë deklaroi se është gati për dialog me opozitën. Kreu i qeverisë tha se nuk e ka lexuar raportin, por garantoi ambasadorin e BE-së se, sikundër dhe vitet e tjera, raporti përbën një program të vërtetë pune për sa u përket reformave të qeverisë dhe se çdo sektor do ta shqyrtojë atë dhe do ta shndërrojë në plan pune. “Siguroj se procesi i integrimit Europian mbetet për qeverinë shqiptare një proces i një rëndësie themelore, në të cilin në bindjen time më të madhe nëpërmjet një universi të tërë reformash qytetarët shqiptarë bëhen më të lirë dhe më të sigurt. Kjo është një përcaktim i pandryshueshëm yni ndaj këtij procesi, sikundër mbetem i bindjes më të thellë se ky proces në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë nuk mund tjetër veçse i bazuar në meritë dhe performancë”, - u shpreh Berisha. Pas kësaj ai i bëri apel liderit të opozitës Edi Rama për bashkëpunim. “I thashë dhe ambasadorit se është një traditë fatkeqe që problemet i shohim tek të tjerët dhe jo te vetja. Unë u them shqiptarëve se problemet janë te vetja jonë, se nuk ekziston asnjë vend tjetër ku nuk votohen kërkesat e BE-së, por në Shqipëri nuk votohen. Mbetem tërësisht i hapur për dialog sipas Kushtetutës, por nuk mundem t’i shkelmoj parimet e saj. Jam i gatshëm të shoh përpara, që nesër të adresojmë reformën zgjedhore, por rivali im propozon inskenim qesharak: të ulemi në tavolinë me konsensus dhe, kur të ketë të drejtë vote, ta japë pa konsensus. Unë i them me konsensus të votoj, adreso amendamentet dhe silli t’i votojmë”, - deklaroi Berisha. Berisha shtoi se për Shqipërinë mendimi vjen negativ për sa i përket statusit të vendit kandidat, pasi një vit më parë KE-ja ka renditur 12 kërkesa, nga të cilat disa kanë avancuar, por një pjesë e tyre kanë ngelur në vend-numëro, sepse kanë kërkuar një votim me 3/5. Për këtë ai akuzoi opozitën se po pengon integrimin e vendit. “Kërkesat e komisionit janë të drejta. Është e njohur gjithashtu fuqia e votës për të bllokuar. Ligjet që duhet të votohen, përmirësojnë vendin”, - tha kryeministri. Ndërsa ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Etore Sekui, në komentin e tij për raportin e publikuar lidhur me integrimin, e cilësoi raportin si realist, ndërsa shtoi se kryeministri Berisha ka shprehur përkushtimin e tij për integrimin në BE. “Ne besojmë se Shqipëria i ka kapacitetet e duhura për të plotësuar standardet për të hapur negociatat për integrimin në BE, por për këtë duhet besueshmëri dhe përkushtim”, - tha Sekui.

Dialogu

Duke folur për paktin e Ramës, kryeministri tha se nga 10 pikat e paraqitura prej tij vetëm ajo për reformën zgjedhore është e pranueshme. “Zoti Rama, pasi humbi zgjedhjet me një humbje të thellë me 140 mijë vota, u tha qytetarëve shqiptarë se nuk do të pengonte procesin e integrimit dhe se do të votonte për ligjet për integrimin. Pas kësaj kryetari i opozitës ndërroi pllakën në mënyrë të zakonshme dhe paraqiti 10 pika, nga të cilat më e pranueshme ishte kërkesa për reformën zgjedhore”, - tha ai.

Ambasadori i BE-së, Sekui, rishprehu bindjen se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të jetë një objektiv mbarëkombëtar. Ai tha se mori nga qeveria shqiptare angazhimin për plotësimin e 12 prioriteteve. “Kam besim se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet e duhura për të realizuar hapjen e negociatave me BE-në për integrimin. Kjo duhet bërë me vendosmëri, angazhim, mobilizim dhe përpjekje të të gjithëve”, - tha ambasadori.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›