Regjistrimi, mosmarrëveshje etnike në terren
MAQEDONI- Regjistruesit maqedonas dhe shqiptarë kanë mosmarrëveshje dhe përplasje në terren lidhur me realizimin e regjistrimit të popullsisë.
Ka probleme në terren lidhur me zbatimin e këtij operacioni, duke marrë si bazë për mosmarrëveshjet interpretimin e Ligjit për Regjistrim.
Regjistruesit maqedonas në disa zonë shkaktojnë probleme dhe nuk firmosin formularët, duke refuzuar të regjistrohen qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Mirëpo, regjistruesit shqiptarë regjistrojnë çdo qytetarë që jeton jashtë vendit, pasi që operacioni përmbledh regjistrimin e të gjithë qytetarëve, edhe ata që jetojnë jashtë vendit më pak se një vit, por edhe pjesa tjetër që ka prona dhe pasuri të tjera në vendlindje.
Nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Regjistrimit (KSHR), Bujar Osmani ka deklaruar se Ligji parasheh regjistrimin e të gjithë qytetarëve që përkohësisht janë jashtë vendit.
Ligji është i qartë në këtë drejtim, do të regjistrohen të gjithë qytetarët që janë jashtë vendit më pak se 12 muaj. Ato regjistrohen përmes familjarëve të tyre të cilët i japin të dhënat dhe dokumentacionet personale, theksoi Osmani.
Ai ka apeluar se regjistruesit duhet të zbatojë detyrimet e tij dhe nuk është i obliguar që të verifikojë se cili qytetarë është në shtëpi apo jashtë vendit. Sipas tij, valide është deklarata e dhënë nga familjarët.
Kryetarja e KSHR-së, Sllobodanka Gievska ka theksuar se regjistruesit duhet të kenë kujdes dhe të respektojnë ligjin. Sipas saj, do të ndiqen penalisht të gjithë regjistruesit që nuk respektojnë ligjin apo bëjnë regjistrimin në mungesë të dokumentacioneve apo dëshmive valide.
Regjistrimi i qytetarëve që përkohësisht janë jashtë vendit, refuzimi i qytetarëve që të regjistrohen me dokumente të kopjuara, mungesa e regjistruesve në disa zona dhe vonesat e shumta në aspektin organizativ, janë disa nga problemet që po ndjekin procesin e regjistrimit të popullsisë.
KSHR mbrëmë ka mbajtur një mbledhje të posaçme për të vlerësuar procesin e deritanishëm të regjistrimit dhe se sot pritet të publikohen vlerësimet e para. (INA)