Maqedoni, opozita e vlerëson të dështuar regjistrimin
Partitë politike shqiptare dhe maqedonase të opozitës kanë dhënë vlerësime negative lidhur me procesin e regjistrimit, duke e quajtur operacion të dështuar.
LSDM ka vlerësuar se regjistrimi po shkon drejtim dështimit. Kjo tregon se Qeveria në tërësi ka dështuar në organizimin e tij. Është e pa tolerueshme në një vend kandidat për anëtarësim në BE, që regjistrimi të karakterizohet me incidente në terren. Nëse regjistrimi vazhdon kështu, ose rezultati do të jetë i pa besueshëm, ka vlerësuar kjo parti, duke shprehur mëdyshje edhe për falsifikim.
PDSH ka reaguar lidhur me këtë proces, duke shprehur qëndrimin se mund të mos njoh rezultatin e këtij regjistrimi.
Kemi konstatuar se janë dëshmuar dyshime se procesi i regjistrimit po zhvillohet me shumë manipulime. Këtë çështje do ta alarmojmë para faktorit ndërkombëtar. Njëkohësisht jemi shumë afër qëndrimit të prerë se rezultatet e këtij regjistrimi për ne si parti dhe si shqiptarë do të jenë të papranueshme, theksoi sekretari i përgjithshëm i PDSH-së, Metin Izeti.
RDK gjithashtu ka shprehur dyshime mbi operacionin e regjistrimit të popullsisë duke shprehur shqetësimet edhe para përfaqësuesve ndërkombëtar.
Pozicioni inferior i përfaqësuesve shqiptarë në këtë komision regjistrimi, shndërrohet në një temë të nxehtë debatesh dhe pikëpamjesh të ndryshme dhe si një operacion që mund të prodhojë efekte shumë negative për stabilitetin e vendit dhe që cenon themelet e Marrëveshjes së Ohrit , vlerëson kjo parti, duke shprehur mëdyshje se do të ketë epilogun real të pritur, si numër i popullsisë dhe si strukturë etnike e popullsisë.
Partitë e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI deri tani nuk kanë dhënë vlerësime lidhur me procesin e deritanishëm të regjistrimit. Këto dy parti ditë më parë shqyrtuan mundësinë e shtyrjes së procesit, me qëllim të evitimit të problemeve dhe realizimit të plotë të regjistrimit të popullsisë.
Eurostat që po ndjek operacionin e regjistrimit në fillim ka dhënë vlerësime pozitive, ndërsa ditëve të fundit pritet edhe vlerësimi i radhës për ecurinë e këtij procesi, që sipas afateve ligjore duhet të përfundojë më 15 tetor. (INA)