Pushon dialogu teknik,pritet dialog i vërtetë
PRISHTINE- Dialogu teknik mes Prishtinës dhe Beogradit do të pushojë. Ndermjetesi i BE-së, Robert Cooper, nuk ka arritur që ta bindë Borislav Stefanovicin që të takohet me Edita Tahirin në Bruksel, më 18 tetor, për të biseduar për energjetikën, telekomin dhe përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës.
Megjithëse është treguar konstruktiv në të tria temat, Stefanovic ka pasur vetëm një kërkesë gjatë vizitës së Cooperit në Beograd. Para se të zyrtarizohen konkluzionet në të tria temat, ai ka kërkuar që të bisedohet edhe për çështjen e pikëkalimeve kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Duke e bërë rolin e lehtësuesit dhe jo të ndërmjetësuesit, burimet diplomatike kanë shpjeguar se Robert Cooper nuk i ka kthyer kurrfarë përgjigjeje shefit të delegacionit serb të bisedimeve. Këshilltari i baroneshës Ashton vetëm i ka treguar Beogradit se Brukseli pret që palët të rifillojnë bisedimet aty ku kanë mbetur.
Zoti Cooper do t`i shpjegojë Qeverisë së Kosovës qëndrimet e Beogradit dhe do të marrë qëndrimet e Qeverisë së Kosovës. Roli i lehtësuesit është ky: që të dëgjojë palët dhe të shohë mundësitë që ato të afrohen, i ka thënë gazetës “Koha Ditore”në kushte anonimiteti një zyrtar i lartë ndërkombëtar.
Burime të tjera diplomatike kanë shpjeguar se ngërçi në dialogun teknik nuk do të tejkalohet dhe se në këtë mënyrë procesi i takimeve të përbashkëta mes Borislav Stefanovicit dhe Edita Tahirit e Robert Cooperit do të pushojë. Sipas të njëjtave burimeve, palëve do t`u lihet mundësia që kur të jenë të gatshme të rifillojnë procesin, por sipas të njëjtave burime ka pak gjasa që bisedimet të ndodhin në të njëjtin format.
Sipas diplomatëve evropianë, dialogu teknik e ka arritur efektin që është planifikuar që në fillim e që është thyerja e akullit të bisedimeve. Pas zgjedhjeve në Serbi, diplomatët presin që mes Kosovës dhe Serbisë të nisë dialogu i vërtetë ose dialogu me D të madhe. (Koha Ditore)