E Diel, 1 Nëntor 2026

Rehabilitimi i pyjeve të djegura, ADZM Shkodër ndërhyn në zonat malore dhe bregdetare

Rastet e zjarreve në zonat e mbrojtura të qarkut Shkodër gjatë verës së këtij viti kanë shënuar një ulje të ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme, por pavarësisht kësaj, dëmet e shkaktuara ndër vite në masivet pyjore vijojnë të mbeten serioze.

Territore të gjera janë ende të zhveshura nga gjelbërimi, ndërsa tokat e djegura rrezikojnë të shndërrohen në zona të ekspozuara ndaj erozionit dhe rrëshqitjeve të dherave.

Rehabilitimi i këtyre sipërfaqeve të dëmtuara është tashmë një nga objektivat kryesorë të Administratës së Zonave të Mbrojtura të Qarkut Shkodër.

“Hyjmë në periudhën që do realizohen posiume të ndryshme në sipërfaqe të degraduara apo sipërfaqe që në vitet e kaluara janë djegur”, u shpreh Tonin Macaj, Përgjegjës i Shërbimit të Menaxhimit, ADZM Shkodër.

Ndërhyrja e ADZM për pyllëzimit do të përfshijë si zonat malore ashtu edhe territoret bregdetare, ku ndikimi i zjarreve dhe faktorëve natyrorë është më i dukshëm.

“Duke marrë parasysh zona të reja si lugina e Shalës që është park natyror apo parkun e Alpeve mendohet që ndërhyrjet do të jenë më të mëdha”, tha ai.

Vetëm në territorin e Bashkisë Shkodër, janë mbi 1000 hektarë sipërfaqe që kërkojnë mbjellje të reja, pas dëmtimeve të shkaktuara nga zjarret e përsëritura gjatë viteve të fundit, prerjeve të paligjshme të drurëve dhe proceseve të erozionit që po përkeqësojnë gjendjen e ekosistemit pyjor.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›