Trump shkarkon mbikëqyrësin e brendshëm të FHFA-së mes dyshimeve për ndërhyrje politike

Inspektori i përgjithshëm në detyrë i Agjencisë Federale të Financimit të Strehimit të Shteteve të Bashkuara (FHFA), Joe Allen, është shkarkuar nga detyra. Largimi i tij ndodh në një periudhë kur agjencia po përfshihet në veprime që kritikët i konsiderojnë si të motivuara politikisht nga administrata e Presidentit Donald Trump.
Sipas burimeve për Reuters, Allen mori njoftimin për shkarkim nga Shtëpia e Bardhë, pasi kishte tentuar t’u dorëzonte prokurorëve federalë në Virxhinia informacione që konsideroheshin të rëndësishme për një hetim në zhvillim. Dy burime thanë se informacioni kishte bazë kushtetuese, ndërsa një tjetër e përshkroi atë si potencialisht të rëndësishëm për procesin e zbulimit.
Burime të tjera thanë se shkarkimi ndodhi në momentin kur Allen po përgatitej t’i dërgonte një letër Kongresit, duke e njoftuar se FHFA nuk po bashkëpunonte me zyrën e tij. Drejtori i agjencisë, Bill Pulte – (mbështetës i hapur i Trump) ishte në dijeni të kësaj nisme.
Që kur mori drejtimin e FHFA-së, Pulte e ka kthyer agjencinë ( zakonisht ka një profil të ulët) në qendër të vëmendjes publike. Ai ka ngritur një linjë denoncimesh për mashtrime me kredi hipotekare dhe ka bërë publike kallëzime penale ndaj disa figurave politike, përfshirë Prokuroren e Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James, guvernatoren e Bordit të Rezervës Federale, Lisa Cook, dhe senatorin demokrat Adam Schiff, të gjithë kritikë të hapur të Trumpit.
Në reagim ndaj lajmit për shkarkimin e Allen, senatorja demokrate Elizabeth Warren deklaroi se “Drejtori Pulte ka disa përgjigje për të dhënë”.
Në faqen zyrtare të FHFA-së, posti i inspektorit të përgjithshëm figuron aktualisht si vakant. Nuk dihet nëse Allen do të vazhdojë detyrat e tij si këshilltar ligjor në zyrë. As FHFA dhe as Shtëpia e Bardhë nuk kanë dhënë ende komente për zhvillimin.
/rtsh.al/