E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rehn: Qipro duhet të bashkohet në vitin 2009

Bruksel -Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin Olli Rehn, deklaroi se 2009 duhet të jetë viti për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për ishullin e ndarë të Qipros, duke u kërkuar të gjitha palëve, veçanërisht Turqisë, të vazhdojnë përpjekjet. "Nuk kemi si qëllim të bëjmë presion. Ne kemi si qëllim të krijojmë lehtësira", deklaroi ai për agjencinë Reuters. "Është e rëndësishme për të gjithë, por Turqia është një nga më të interesuarit ... ata e kanë përkrahur procesin, po, por është e rëndësishme që të gjithë të intensifikojmë mbështetjen tonë politike për një zgjidhje për Qipron", shtoi ai.

Zyrtarët e BE-së kanë deklaruar privatisht se përparimi në bisedimet e vitit të ardhshëm për bashkimin e Qipros do të jenë thelbësore për të bërë përparime në procesin e ngadaltë të anëtarësimit të Turqisë në BE. "Shpresoj që viti i ardhshëm do të jetë viti i Qipros dhe i zgjidhjes gjithëpërfshirëse të problemit të tij", deklaroi Rehn. "Ne duhet...të ribashkojmë ishullin në mënyrë që Qiproja të jetë si një anëtar normal i BE-së, në paqe dhe i bashkuar", theksoi ai.

Qipriotët grekë dhe qipriotët turq kanë jetuar të ndarë që nga ndërhyrja ushtarake e Turqisë në vitin 1974, si reagim ndaj një grushti shteti të militantëve qipriotë grekë, të cilët kërkonin të bashkoheshin me Greqinë. Liderët e dy komuniteteve rifilluan bisedimet në shtator pas një ndërprerjeje katërvjeçare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›