Kermabon:Kosova progres në drejtësi

Shefi i EULEX-it, Iv de Kermabon, ka deklaruar se zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë, kanë dëshmuar progresin që është duke u arritur në Kosovë për funksionimin e rendit dhe ligjit. "Dua t'ju siguroj se jemi të vendosur që të vazhdojmë punën tonë në mënyrë që të gjithë qytetarët e Kosovës të mos jenë të kufizuar në sistemin e drejtësisë", është shprehur De Kermabon në takimin e Bordit Koordinues për Sundimin e Ligjit. Bordi ka shqyrtuar punën e Qendrës së Inteligjencës Financiare dhe ecurinë e punës së grupit të punës për hartimin e Ligjit për Pastrimin e Parave në Kosovë, i cili do të jetë në përputhje me standardet europiane. Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka theksuar angazhimin e qeverisë së Kosovës për të bashkëpunuar me misionin EULEX, në shtrirjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës dhe për një sistem të integruar të drejtësisë në Republikën e Kosovës. Në takim është diskutuar edhe fillimi i punës së gjykatave në veri të Kosovës, me fillimin e proceseve gjyqësore të udhëhequra nga gjykatës të EULEX-it. Këtë hap e ka përshëndetur edhe qeveria e Kosovës dhe ka shprehur mbështetjen për vazhdimin e punës. "Fillimi i punës së gjykatave në veri të Mitrovicës dëshmon edhe për ndryshimin e perceptimeve të opinionit për nevojën e funksionimit të drejtësisë edhe në këtë hapësirë", është thënë në këtë takim.