E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekomandimet nuk e kanë fuqinë ligjore

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë sot se rekomandimet që janë votuar në Kuvendin e Kosovës për fatin e personave të pagjetur nuk janë të obligueshme për Qeverinë e Kosovës. Sipas tij, fjala rekomandim është një këshillë, porosi ose mendim se di duhet vepruar dhe si duhet të bëhet diçka. Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka ngritur çështjen e mospagesës së 20 % të për punëtorët e kompanive të privatizuara.

Seanca plenare ka filluar me një minutë heshtje për tragjedinë që ka ndodhur në Himarë të Shqipërisë.

Kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi para deputetëve ka thënë se në një fjalor juridik ka lexuar se rekomandimi një palësh i miratuar nga institucionet e Bashkimit Evropian në kuadër të traktatit themelues të komunitetit evropian, ka veçori të mos jetë detyrues, të mos krijoj efekte juridike detyruese. Sipas Krasniqit, rekomandimi mund të jetë një ftesë për të ndjekur një linjë të veçantë që i drejtohet këshillit ose shteteve anëtare, andaj edhe në fjalorin e gjuhës shqipe, fjala rekomandim është këshill, porosi ose mendim që jepet në mënyrë se si duhet vepruar, e si të bëhet diçka.

"Ne në Kushtetutën e Republikës së Kosovës miratojmë kushtetutën, miratojmë ligje, akte nënligjore, vendime dhe rezoluta e deklarata. Rekomandimet i bëjnë komisionet. Ne në seancën të cilën po flas, kemi miratuar rekomandimet dhe rekomandimet nuk e kanë fuqinë ligjore. Vetëm një mocion është detyrues për Qeverinë, mocioni i mosbesimit, mocionet tjera lexoni në rregulloret e punës së Kuvendit nuk janë", ka theksuar Krasniqi.

Ai ka thënë se nuk dëshiron që në fatkeqësinë e fatit të pagjeturve të ketë përfitime politike dhe as ta ngrit veten e tij.

Krasniqi ka thënë se kryetari i Kuvendit nuk mund të fuqizoj një dokument që nuk e ka fuqinë, por nuk mundem as të shfuqizoj, duke shtuar se dokumentet fuqizohen dhe shfuqizohen nga Kuvendi, por jo nga kryetari i Kuvendit.

Edhe pse kanë dashur deputetët e opozitës të marrin fjalën pas ngritjes së kësaj çështje, kryetari, Krasniqi nuk ua ka dhënë fjalën.

Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri në emër të Grupit Parlamentar ka përgëzuar Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) dhe njëkohësisht FIFA-në për vendimin e fundit që reprezantacionit të Republikës së Kosovës t’i lejohet të zhvilloj ndeshje miqësore.

"Padyshim kjo është për të përshëndetur, njëkohësisht i obligon edhe më shumë institucionet e Kosovës gjithë ne që të përmirësojmë infrastrukturën sportive duke ditur rolin e jashtëzakonshëm të sportit, njëkohësisht sportistëve si ambasador, mund të thuhet lirisht të pazëvendësueshëm edhe të vendit tonë në një mision i cili mund të ndihmon shumë edhe Kosovën dhe padyshim meritë në tërë këtë vendim, merita ju shkon shumë gjeneratave edhe gjeneratave të viteve 90-ta", ka thënë Beqiri.

Ndërkaq kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka ngritur çështjen e mospagesës së 20 % për punëtorët e kompanive të privatizuara.

"Punëtorët ende nuk e kanë realizuar të drejtën e vet që e kanë trashëguar drejtpërdrejt. Mjetet e 20 % që janë pronë e tyre, në bazë të ligjeve në Kosovë ato mjete ju takojnë atyre, nuk janë të ardhura personale dhe nuk janë të ardhura mujore, por janë pjesë e pronës tyre që ju takon me ligj. Këta punëtorë nuk i kanë realizuar këto të ardhura dhe ata mendojnë se të hollat e tyre mbahen nëpër banka dhe dikush nga ato të holla krijon interes. Ajo që kam vërejt është se Agjencioni i Privatizimi i derdh mjetet në konton e sindikatave dhe sindikatat nuk i lëshojnë nëpër kontot e punëtorëve", ka thënë Gjini.

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli ka ngritur një shqetësim për banores e Hasit ku jetojnë 1000 banorë.

Sipas tij, ky rajon po braktiset për shkak të kushteve infrastrukturore dhe se problem themelor, sipas tij, mbetet mungesa e ujit të pijes.

Më pas seanca ka vazhduar me pyetje parlamentare të cilat kryesisht kanë qenë për ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›