Zhvillimi ekonomik prioritet
Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka thënë me këtë rast se jam këtu për të përgëzuar këtë ndërmarrjeje, e cila me potencialin e saj po dëshmon se është e suksesshme jo vetëm në tregun e Kosovës por edhe të rajonit. Ai ka thënë se biznesi privat do të vazhdojë të mbetet një nga partnerët kryesor të Qeverisë së Kosovës dhe asaj komunale.
"Unë dëshiroj që të falënderoj për këtë përkushtim, të përgëzoj për suksesin tuaj, në të njëjtën kohë biznesi do të vazhdojë të mbetet një nga partnerët tanë kryesor, në mënyrë që ky partneritet të thellohet edhe më tepër dhe të kemi një sukses", ka thënë Thaçi, i cili nuk la lënë pa zënë në gojë edhe falënderimet në adresë të pronarëve dhe punëtorëve të kësaj firme, për përkrahjen që këta po i japin kandidatit të PDK-së Agim Aliu në këtë fushatë.
"Falënderoj pronarin dhe punëtorët për mbështetjen unike, për ta thelluar apo rritur fitoren e kandidatit të PDK-së Agim Aliu", ka thënë Thaçi.
Ndërkaq edhe kandidati i PDK-së për kryetar të Ferizajt, Agim Aliu ka thënë se komuna e Ferizajt, po bënë hapa konkret në aspektet e zhvillimit ekonomik, duke përmendur krijimin e zonave ekonomike, infrastrukturën, politikat fiskale etj.
"Ne kemi krijuar dhe iniciuar zona ekonomike, kemi krijuar infrastrukturën fizike për këto zona, atë ligjore për politikat fiskale, në nivel komunal. Ne kemi krijuar lehtësira duke ulur taksat komunale dhe ngarkesat për 10 %, kemi ulur tatimin në pronë për 10% dhe për të gjitha bizneset prodhuese kemi hequr taksat", ka thënë Aliu, duke premtuar se do të shikohen mundësitë që këto të bëhen edhe për bizneset tjera, me qëllim që të krijohen lehtësira për hapjen e sa më shumë vendeve të punës dhe zvogëlimit të papunësisë.
"Sot institucionet publike e kanë për detyrë që të krijojnë këso politika, të mundësojnë punësimin ekonomik dhe shembull më i mirë është kjo ndërmarrje e suksesshme, për çka ne i inkurajojmë që të vazhdoj kështu, ngase gjithë herë do ta ketë përkrahjen tonë", ka thënë Agim Aliu.
Ndryshe, ky subjekt ka vazhduar fushatën zgjedhore me takimet elektorale në fshatrat, Lloshkobare, Nerodime, Pleshinë dhe Greme./kosovapress/