Marrëveshje aleatësh
Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikanë kanë vazhduar nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale.
Të mërkurën në Prishtinë, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe Ambasadori Christopher Dell kanë nënshkruar marrëveshje për parandalimin e armëve të shkatërrimit në masë dhe Memorandumin e Mirëkuptimit lidhur me programin akademik të shkëmbimit “Fulbright”, në zyrat e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Prishtinë, Kosovë.
“Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rrit vazhdimin e bashkëpunimit dhe të partneritetit bilateral në promovimin e sigurisë dhe mbrojtjes së popullit kosovar, dhe do të ndihmojë në avancimin e profesionalizmit dhe efikasitetit të kufijve kosovarë dhe zyrtarëve të rendit për t’u ballafaquar me incidente potenciale që përfshijnë trafikimin e ndaluar të WMD (Armëve të Shkatërrimit në Masë) dhe materiale të ngjashme”, thuhet në një njoftim të MPJ të Kosovës.
“Marrëveshja do t’i hapë Kosovës derën për të marrë pjesë në programet amerikane të dizajnuara për të ndihmuar Kosovën në përforcimin e aftësive të tyre për të kontrolluar kufijtë e vet dhe për të ndaluar trafikimin ilegal të Armëve të Shkatërrimit në Masë si dhe të materialeve që përdoren për ndërtimin e tyre. Kjo zotësi e ngritur, do ta shpërblejë Kosovën ashtu që kjo e fundit t’i arrijë standardet ndërkombëtare, sikurse është Rezoluta 1540 e Këshillit të Sigurimit dhe do të kontribuojë edhe më tepër në parandalimin e shpërndarjes së Armëve të Shkatërrimit në Masë”, vazhdon njoftimi i MPJ’së.
Po ashtu, theksohet se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, pritet të zgjerohet bashkëpunimi i suksesshëm, cili tashmë ekziston mes dy shteteve, ku Shtetet e Bashkuara do të pajisin me një spektër të gjerë trajnimesh dhe seanca edukative institucionet e Kosovës.
Një marrëveshje tjetër është edhe lidhur me programin akademik të shkëmbimit “Fulbright”.
“Ky memorandum mbështetet në vazhdimin e programit. i cili ndër vite shënoi shkëmbim të suksesshëm të dhjetëra bursistëve nga Shtetet e Bashkuara dhe Kosovës. I njëjti përfshin participimin e Kosovës në financimin e shkëmbimit dhe i bën thirrje Qeverisë së Kosovës të kontribuojë me nga 100.000 dollarë në vit, në tri vitet e ardhshme”, thuhet në njoftim. Për këtë, Ambasadori Dell ka përmendur kontributin e Zëvendësministrit të Jashtëm, Petrit Selimi.
“Dëshiroj ta falënderoj zotin Petrit Selimi dhe zotin Engel nga ambasada ime, që së bashku e kanë marrë iniciativën për marrëveshjen për "Fulbright", që të ofrojnë në emër të Qeverisë së Kosovës 100 mijë dollarë në vit për tri vitet e ardhshme për programin "Fulbright", ku amerikanët do të vijnë në Kosovë, kurse kosovarët do të shkojnë në Shtetet e Bashkuara për të punuar dhe studiuar”, ka thënë Dell.
Programi “Fulbright” është program ndërkombëtar i shkëmbimit edukativ, që sponsorizohet nga Qeveria amerikane dhe ka për qëllim të rrisë mirëkuptimin e ndërsjellë në mes të popullit amerikan dhe popujve të tjerë.
Programi është themeluar në vitin 1946 nga legjislacioni i paraqitur nga Senatori i ndjerë, J. William Fulbright i Arkansasit, kurse u sponsorizua nga Byroja Shtetërore e Edukimit dhe e Kulturës, pranë Departamentit të Shtetit.