E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekord debitorësh te Tatimet. Para zgjedhjeve, 696 të rinj

Muajt parazgjedhorë kanë shënuar një rekord për sa u përket numrit të subjekteve debitorë në administratën tatimore. Deri më 3 qershor, vetëm pak javë para zgjedhjeve parlamentare, listës së subjekteve me detyrime të pashlyera i janë shtuar 696 debitorë të rinj. Numri i subjekteve që rezultojnë debitorë në administratën tatimore ka kaluar mbi 5.500, duke u dyfishuar në raport me muajt e parë të vitit 2012. E dhëna vjen përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e cila ka publikuar në faqen e vet zyrtare listën me 5553 subjektet debitore, ku pasqyrohet emri i secilit subjekt, NIPT-i, administratori dhe drejtoria rajonale që e mbulon. Lista është rifreskuar për herë të fundit më 3 qershor, ndërkohë që në materialin shoqërues, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shpjegon se publikimi i saj bëhet që të njoftojë të gjitha palët që kane interesa me këta tatimpagues se subjektet janë debitorë ndaj administratës tatimore. Nga ana tjetër, “Lista e zezë” e kompanive me detyrimeve të pashlyera bën të mundur që në rastin e parë që subjekti debitor paraqitet për të kryer veprime nëpër institucionet shtetërore, i bllokohet çdo veprim deri në shlyerjen e detyrimeve.
Amnistia
Rritja e ndjeshme e numrit të subjekteve debitore vjen në një çast kur që prej 22 qershorit ka hyrë në fuqi amnistia fiskale për bizneset dhe individët. Më 30 qershor Kuvendi miratoi shtyrjen e Ligjit “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, deri më 31 dhjetor të këtij viti. Ndërkohë që propozimi i të djathtëve për amnisti të plotë ku përfshiheshin përveç faljes së gjobave edhe legalizimi i aseteve, kapitaleve, nuk gjeti konsensusin e opozitës. Amnistia fiskale hyri në fuqi në muajin maj të vitit 2011 e parashikuar fillimisht të përfundonte në fund të po atij viti. Duke parë rezultatet e dobëta të arritura gjatë vitit 2011, qeveria vendosi ta shtyjë edhe për tre muaj të tjerë shtrirjen e saj, deri në mars të vitit 2012.
Çfarë falet
Të gjitha taksat e papaguara nga qytetarët deri në fund të vitit 2010 falen. Të gjitha taksat e papaguara për automjetet si dhe gjobat e vendosura ndaj tyre deri në 2010 falen. Detyrimet doganore të makinave të importuara deri në fund të vitit 2010, falen 50% e principalit të detyrimit si dhe gjobat e interesat nëse paguhet 50% e principalit të detyrimit. Për borxhet e vitit 2009 të bizneseve, nëse paguhet 30% e principalit të detyrimit tatimor, falet pjesa tjetër e borxhit, gjobat dhe kamatëvonesat. Për borxhet e vitit 2010, nëse paguhet 50% të principalit të detyrimit tatimor, falet pjesa tjetër e borxhit, gjobat dhe kamatëvonesat. Të gjitha kompanitë shqiptare që kanë në bilancet e tyre pasuri të paluajtshme dhe makineri e pajisje me vlerë poshtë vlerës së tregut, mund të bëjnë rivlerësimin e tyre duke i pasqyruar në bilancin e vitit. 

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›