Rekordet, Ja blerjet milionere

Ku ofron më shumë? 120 miliardë lireta baras me shifrën aktuale të rreth 76 milionë euro, të nxjerra nga Reali i Madridit për Zinedin Zidan në verën e vitit 2001.
Të gjitha përfunduan në arkën e Juves. Është ai i Zizusë, transferimi më i kushtueshëm në historinë e futbollit botëror. Ishin vitet e portofolave të fryra, në merkato flitej me miliarda, paratë xhironin për të gjithë, dukej se “lumi” nuk do të mbaronte kurrë.
Një vit më parë, Real i “Galaktikëve” i paguante Barcelonës rreth 55,8 milionë euro aktuale për Luis Figon, ndërsa Hernan Krespo kalonte nga Parma te Lacio për 53,6 milionë. Ky është podi i “import-eksportit” të këmbë diamanteve. Në fundin e vitit, 2000 Bufon kalonte nga Parma te Juventus për 49,2 milionë. Në fakt, ka pasur transferime që kanë bërë epokë. I pari që rrëzoi murin e 100 milionë liretave ishte Hase Xhipson në 1952: te Napoli e thërrisnin me shaka “o Banco ’e Napule” (“Banka e Napolit”).
U bë skandal në 1975, ku Napoli dha 2 miliardë lireta për Bepe Savoldin. Por më pas gjithçka ndryshoi, merkato nisi fluturimin. Në 1997-ën Lacio derdhi 93 miliardë lireta për Mendietën. Ishte koha e fenomeneve dhe Interi derdhi 48 miliardë lireta për Ronaldon, për ta shitur në 2002 për 43 milionë euro.
Rio Ferdinand është mbrojtësi më i shtrenjtë në botë: për 43,9 milionë euro nga Lids te Mançester Junajtit. Ky i fundit derdhi 30,2 milionë euro te Evertoni për 17-vjeçarin Uejn Runi. Dukej një çmenduri, por nuk ishte. Goditja e fundit e bujshme ishte ajo e verës së fundit: Robinjo nga Real te Mançester Siti për gati 52 milionë euro.