E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekordi i shtatë

Artisti Saimir Strati e theu edhe rekordin e shtatë Guinness. Në Hotel Prishtina, ai ka krijuar mozaikun më të madh në botë të bërë nga kokrrat e fasules. Matjet e mozaikut i bëri përfaqësuesja e Guinness-it, e cila pasi verifikoi madhësinë, ia dha Stratit certifikatën e shtatë të Guinness-it.

Iu deshën 26 ditë, 620 kilogramë fasule dhe një hapësirë prej 63 metrave katrorë për të thyer rekordin e shtatë të Guinness-it. Artisti shqiptar Saimir Strati hyri për të shtatën herë në librin e rekordeve Guinness, me një mozaik të bërë me kokrra fasuleje. Punën e filloi më 1 nëntor dhe e mbaroi me 26 nëntor. Shqiponjën dykrenore, si ajo në flamurin kombëtar, Strati e ka bërë me 1 milion e 350 mijë kokrra fasuleje, duke punuar nga 18 orë në ditë.

Në ceremoninë që u mbajt të hënën në Hotel Prishtina, ku është realizuar mozaiku më i madh në botë me fasule, qe e pranishme edhe përfaqësuesja e Guinness-it, e cila kishte ardhur nga Londra për të bërë matjet e mozaikut.

Blerim Islami, pronar i Hotel Prishtina, tha se artisti Saimir Strati e pranoi ftesën me plot kënaqësi për të thyer rekordin e tij të shtatë dhe të parin në Kosovë.

Ndërkaq, Islam Lauka, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, i tha Stratit se ka bërë mirë që ka ardhur në Kosovë. Ai tha se Kosova kaherë e ka futur vetën në Guinness.

“I dashur Saimir, Kosova është një vend dhe një popull i tillë që e ka futur veten kaherë në Guinness sepse veç Guinness-it që shkruan dhe mban rekorde është edhe një Guinness tjetër që është kujtesa historike e popujve dhe në këtë kujtesë Kosova është regjistruar më kohë për rezistencën heroike, jo për dhjetë apo njëzet vjet, por shekullore, për rezistencën e viteve nëntëdhjetë të presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, për rezistencën e armeve, për kryengritjen e armatosur të mrekullisë, UÇK, dhe këto rekorde Guinness-i janë të paharrueshme dhe është meritë e Kosovës që kombi shqiptar sot në përvjetorin e njëqindtë e mban flamurin të ngritur lartë dhe jo në gjysmë shtizë”, tha Lauka.

Ambasadori shqiptar i tha Stratit se e ka zbukuruar këtë hotel, që mban emrin e kryeqytetit të Kosovës. Ai shtoi se ky hotel tash e tutje do të njihet edhe me emra tjerë, si shqiponja e Stratit apo rekordi Guinness.

“Kur të vijmë këtu do t’i themi njëri tjetrit do të vijmë të pimë një kafe te shqiponja e Stratit, te rekordi Guinnness”, tha Lauka, duke e falënderuar artistin Strati për këtë dhuratë. Ai tha se kjo është dhurata më e mirë në prag të 100-vjetorit të pavarësisë.

Matjet e dimensioneve të mozaikut i bëri Annabel Lawday, përfaqësuese e Guinness, e cila kishte ardhur nga Londra. Ajo tregoi se deri më tash mozaiku më i madh me fasule ka qenë në Kinë, me 60 metra katrorë, i krijuar në vitin 2009.

Pasi i bëri matjet e mozaikut të Stratit, Lawday u shpreh se mozaiku i Saimirit është 63 metra katrorë.

“Më duhet të konfirmoj se nga sot ky është mozaiku më i madh në botë i bërë me fasule dhe është futur në librin e rekordeve Guinness”, tha Lawday dhe menjëherë ia dha Stratit certifikatën e rekordeve Guinness. Kjo është certifikata e shtatë që i jepet këtij artisti.

Strati, pasi e mori certifikatën e Guinness-it, tha se ka ardhur me një mision personal në Kosovë, që të japë diçka nga shpirti i tij për, siç u shpreh, këtë popull që ka dhënë aq shumë për flamurin tonë kombëtar.

“Zgjodha pikërisht 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, për të sjellë një mirënjohje nga Shqipëria për të gjithë kosovarët për sakrificën e tyre. Ky rekord është një dhuratë për gjithë popullin kosovar”, tha Strati.

Ai shtoi për Express se ky është një nga rekordet më të bukur të tij për faktin se është realizuar në Kosovë dhe për faktin se është realizuar me mikpritjen e jashtëzakonshme që atij i kanë bërë artistët e Prishtinës dhe gjithë Kosovës. Tha se e ka ndier veten vërtet si në shtëpinë e tij.

“Do të falënderoja Hotel Prishtinën për gjithë komoditetin dhe ambientin që më vuri në dispozicion që unë të kryej këtë rekord. Ky rekord është dhuratë për popullin kosovar për gjithë sakrificën që ata e kanë bërë ndër vite dhe në këtë 100-vjetor do doja vetëm t’u uroja një festë sa më të bukur dhe madhështore”, u shpreh Strati. Në pyetjen se cili do të jetë projekti i radhës dhe me çka do ta punojë, Strati hezitoi të përgjigjej, por tha se në studion e tij ka materiale të ndryshme me të cilat mund të bëjë eksperimente. Kjo, shtoi ai, varet edhe nga vendi se ku do të realizohet vepra.

“Një artist që krijon nuk mendoj se do të shteret apo do të ndalet. Nuk është se kam bërë një rekord, tashmë jam shtatë herë rekordmen. Në studion time kam materiale me të cilat më duhet të bëj eksperimente, por akoma nuk kam vendosur sepse në varësi të vendit ku do të realizohet vepra ashtu do të gjej edhe materialin”, tha Strati.

Rekordin e parë Guinness, Strati e ka thyer në vitin 2006 me mozaikun ‘Leonardo Da Vinçi’, të cilin e ka ndërtuar me 400 kilogramë gozhda; të dytin rekord Guinnes e ka thyer në vitin 2007, me veprën e tij ‘Shpirti i pakontrolluar’, duke përdorur një milionë e gjysmë kruese dhëmbësh; në vitin 2008 me veprën ‘Mediterraneana’, për të cilën përdori 229,764 tapa; në vitin 2009 krijoi figurën e mbretit të popit, Michael Jacksonit, duke përdorur brusha të pikturës; më 2010 ka thyer rekordin me veprën ‘Monedhat e artistëve’, për të cilën ka përdorur 350 mijë vidha dhe më 2011 theu rekordin e gjashtë me veprën ‘Një botë, një familje, një kafe’, duke përdorur rreth një milion kokrra kafeje.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›