E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rektorët kundërshtojnë kancelarin e "superfuqishëm"

Rektorët e universiteteve publike kanë kërkuar dje në një konferencë për shtyp, që Kryeministri Sali Berisha të mos e miratojë projektvendimin e Ministrisë së Arsimit për zgjedhjen e kancelarëve në universitete. Sipas tyre, ky akt nënligjor u jep shumë fuqi kancelarëve të rinj, që për më tepër emërohen nga ministri i Arsimit. Në emër të tyre ka folur rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, dhe rektori i Akademisë së Arteve, Petrit Malaj. "Ky është një nga vendimet e jashtëligjshme dhe me tendencë që nis ministri i Arsimit, Genc Pollo, për universitetet", thanë ata.

Duke u ndalur tek akti më i fundit, ai për "të drejtat, detyrat, procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të kancelarit të institucionit të arsimit të lartë", rektori i Arteve, Malaj, tha se "Ministria e Arsimit duhet të reflektojë për vërejtjet tona para se ta çojë projektvendimin për miratim në qeveri".

Vërejtja kryesore konsiston në kompetencat e mëdha që i lihen këtij punonjësi të administratës universitare. Ashtu siç shkruhet në projektvendim, kancelari ka të drejtë të mbikëqyrë marrjen në punë të stafit akademik dhe jo akademik të një universiteti. Këtë pikë e kundërshtojnë rektorët, të cilët thonë se ligji ua njeh atyre këtë të drejtë dhe jo kancelarëve. Po kështu, kancelarëve u lihet edhe një kompetencë tjetër, ajo për administrimin e truallit dhe pronës publike që ka në përdorim universiteti. Sipas rektorëve, këtë të drejtë e ka Këshilli i Administrimit dhe nuk duhet që t‘i kalojë një personi të vetëm, siç është kancelari i universiteteve.

Por, për rektorët ky akt ka edhe shkelje flagrante të Kushtetutës, përpos që vesh me fuqi kancelarët. Kreu i UT-së, Dhori Kule, citon pikën dy të aktit, ku shkruhet se "kancelari ka të drejtë t‘i kërkojë zyrtarisht ministrit të Arsimit ndërhyrjen për anulimin e çdo lloj vendimi ose akti rregullues të nxjerrë nga autoritetet drejtuese, apo organet kolegjiale të universiteteve, që është në kundërshtim me ligjet në fuqi". Sipas Kules, ky nen është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, kur u denoncua ligji i arsimit të lartë muaj më parë, ndaj është e pafalshme të futet në mënyrë flagrante në aktin nënligjor të arsimit të lartë.

Për sa i përket procedurës së përzgjedhjes së kancelarit, rektorët nuk kanë vërejtje të mëdha. "Ministrit të Arsimit ia njeh ligji të drejtën e miratimit të kandidaturës për kancelar", tha rektori Malaj, ndërsa shtoi se i duket pak i tepërt fakti që ministri, me anë të aktit nënligjor, i jep të drejtë vetes ta rrëzojë deri në dy herë kandidaturën që i propozon Këshilli i Administrimit dhe më tej komandimin e një kancelari të ri deri në zhvillimin e zgjedhjeve të reja". Sipas tij, gjithë kjo procedurë do të bllokonte punën në universitete nëse do të ndodhte. "Në pikën tre të aktit normativ shkruhet se "ministri ka të drejtë të pranojë ose refuzojë kandidaturën e propozuar brenda 10 ditëve nga mbërritja e propozimit. Në rast refuzimi të kandidaturës përsëritet gjithë procedura e zgjedhjes së kancelarit. Në rast se ministri refuzon edhe kandidaturën e dytë, ai ka të drejtë të emërojë një kancelar të komanduar për një vit. Gjatë kësaj periudhe, Këshilli i Administrimit përzgjedh një kandidaturë të re. Procedurat e përzgjedhjes së kancelarëve, qoftë për një rast të përsëritur apo për herë të parë janë këto: Kandidatët paraqesin dosjet në Këshillin e Administrimit të Universitetit dhe ky organ, përpos vlerësimit të dosjeve, mund të bëjë edhe një intervistë, apo test me shkrim për kandidatët. Fituesi zgjidhet me 2/3 e votave dhe i paraqitet rektorit. Ky i fundit e kalon kandidaturën fituese për miratim te ministri i Arsimit. Në bazë të aktit, është ministri ai që ka të drejtë të miratojë dhe të shkarkojë kancelarin e një universiteti.

Vetëm një ditë më parë, rektori i UT-së, Dhori Kule, bëri prezent në gazetën "Shqip" shqetësimet e institucionit që ai drejton në lidhje me aktet e reja nënligjore që po i dërgon Ministria e Arsimit. Ai tha se "shqetësimi për doktoraturat, masterat, kancelarët dhe normën mësimore është edhe i rektorëve të tjerë të universiteteve publike". Një ditë pas kësaj interviste, rektorët dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp dhe vunë theksin kryesisht tek akti normativ për zgjedhjen e kancelarëve, si dhe apeluan për bashkëpunim me ministrin e Arsimit, Genc Pollo.

Projektvendim:

Kompetencat e kancelarit

*Drejton veprimtarinë e gjithë administratës së institucionit

*Realizon administrimin financiar, drejton planifikimin dhe realizimin e investimeve

*Administron truallin dhe pronën publike që ka në përdorim universiteti

*Mbikëqyr gjithë procedurat e marrjes në punë të personelit akademik dhe atij ndihmës akademik

*Drejton procedurat e marrjes në punë të punonjësve të administratës së universitetit

*Përfaqëson rektorin në seanca gjyqësore

*Kryeson sekretariatin teknik të Këshillit të Administrimit

*Mbikëqyr zbatimin e ligjit në të gjitha veprimtaritë e institucionit



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›