Rekuiem përpara një fotografie
Para dhjetë ditësh, nga Çikagoja e largët, mora lajmin e hidhur. Xha Suati ndërroi jetë. Nuk vuajti prej ndonjë sëmundjeje. U fik nga pleqëria, u tret si qiriri, deri në flakëzën e fundit.
Të shkruaj për dhimbjen që përjetova, më ngjan e tepërt. A ka njeri në botë të mos përjetojë trullosje përpara një lajmi të tillë? A ka njeri në botë të mos tronditet sadopak, edhe nëse e pret lajmin nga çasti, në çast, edhe nëse hidhësinë e ndien në gojë prej ditësh, prej javësh?... Ishte i fundit që na kishte mbetur gjallë, prej brezit të vet.
Dhashë e mora, por s’i shpëtova dot përlotjes. Ca pika loti, m’u duk se do të ma lehtësonin dhimbjen. Dhe i lashë të vareshin faqeve. Njësh me ta, u shkëputa përfundimisht nga ekrani i kompjuterit, ku isha përqendruar në përgatitjen e shkrimit: “Diskutimet akademike dhe zgjedhja e një presidenti...”. Po i hidhja një sy të fundit, kur mora lajmin e zi. Pa vetëdije, mendja më shkoi te një fotografi e vitit 1938. E nxora prej albumit dhe e vendosa mbi tryezën time të punës.
Katër breza, fiksuar në një copë karton...
Stërgjyshja, Nëna e Babanit, siç e thërrisnim ne, nipër e stërnipër, ngase jetonte në fshatin tonë të origjinës, në Baban. Bri saj, i biri, im gjysh, i miri Mehmet, njohur në Devoll, në tërë Korçën e në rrethina për urtësinë e pashoqe si jurist e si noter. Pas tyre, tre djem të rinj: Suati, Nysreti, Sedati. Një tjetër, Hajreti, ulur pranë këmbëve të dy të moshuarve. Që të katër liceistë të Liceut të Famshëm Francez të Korçës. Që të katër si yje. Që të katër pa i mbushur të njëzetat. Që të katër vëllezër që s’i ndante e s’i ndau asgjë, ndonëse jo prej të njëjtëve prindër. Ja, mes tre brezash, edhe brezi i katërt: unë në hapat e parë të jetës, pa i mbushur ende të tre vjetët. Mbështetur sa te gjyshi, te stërgjyshja, mbase do ta kem ndier mungesën e tim ati në atë eveniment të rrallë. Ai ndodhej në Paris për studime.
Katër breza, shtatë jetë, fiksuar në një copë karton...
Nëna e Babanit, bijë e fisit të madh Kapshtica, me emër e me ndikim në Devoll, thërritej Hanko Haxhire në rrethin tonë familjar e më gjerë. Jetoi gjatë ajo, aq gjatë sa, siç thoshte, i dolën e i tepruan vitet për ta gëlltitur kupën e helmit deri në pikën e fundit. Përcolli në atë jetë plot prej vatrës së saj. Përcolli të birin dhe të renë, që të dy brenda një viti, që të dy në lule të rinisë, duke lënë jetimë dy fëmijë kërthinj: Suatin dhe Sedatin. Ca vite më pas, vajtoi bashkëshortin, Rushanin, kurse në pleqërinë e thellë, i shteri lotët për të nipin 21-vjeçar, Sedatin, edhe për të birin, Mehmetin, pa i mbushur të gjashtëdhjetenjëtat. Të parin e hëngri plumbi i pushtuesve nazistë, më 24 shtator 1944, në Krujë, ku ngrihet lart lapidari përkujtimor. Të dytin, plumbi i të pabesëve “shokë” të Sedatit, më 4 shkurt l948, në Korçë, pas një gjyqi tipik komunist. Gjaku i parë u shpërblye me një të dytë. Dy gjaqe, derdhur njëri për liri, tjetri për demokraci, nuk i shkonin përshtat diktaturës. Përndryshe, si do të endeshim ne, brezi i më pastajmë, në detin e trazuar, sa në stere, për të përjetuar një çast qetësie, aq edhe në dallgët e tërbuara të së mallkuarës luftë e klasave?
***
Sot, i dashur xha Suat, dashkam të përfalem me shpirtrat e të gjithëve ju që s’jeni më në këtë jetë. Prej kësaj fotografie që po më end shtigjeve të një kohe sa të largët, aq edhe të afërt, kam mbetur vetëm unë. Mbase, për këtë rekuiem familjar...
Fati i zi e deshi që ti dhe Sedati të mbeteshit jetimë qysh në moshë të foshnjërisë. Por Zoti, thonë, me një dorë të hedh, me tjetrën të pret. Dashurinë dhe kujdesin prindëror, ju i gjetët te gjyshja juaj, Nëna e Babanit, te xhaxhallarët tuaj, Mehmet e Faik, te gratë e tyre, Qerime e Minire, te Fiqreti, te Nysreti, te Hajreti që i njohët e ju njohën për vëllezër, te ne, brezi tjetër, që ju njohëm për xhaxhallarë e na njohët për nipër e mbesa. Ja pse kjo fotografi më flet kaq shumë. Kush mund t’ju ndante atëherë e t’ju ndajë sot si vëllezër? Koha, jo e jo, me të mirat e të këqijat e veta. Por as kushërinjtë tuaj të afërt, as shokët me të cilët hodhët shtat dhe u ulët në bankat e shkollës, nuk ju ndanë kurrë ndonjëherë. Madje kishte syresh që ju pandehnin të një barku.
“Në klasën tonë ishin dy nxënës me të njëjtin mbiemër, Sedati dhe Hajreti, – do të shkruante Xhuvi Bino në librin me kujtime Një Mozaik për Liceun Kombëtar. - Në fillim i morëm si vëllezër. Shpejt e kuptuam që ishin kushërinj të parë. Sedatit, i kishin vdekur prindërit herët dhe kishte mbetur jetim që shumë i vogël. E rriti i ungji, i ati i Hajretit, por i trajtoi kaq njëlloj sa edhe ata ndiheshin si i pandehëm ne.” A ka dëshmi më domethënëse për vëllazërinë tuaj të pandarë?
I dashur xha Suat. Me baba në Parisin e largët për studime, unë u mëkëmba e hodha shtat, si thonë, nëpër këmbët e të vëllezërve. Kam plot kujtime prej asaj kohe të largët, Por sot nuk po më shqitet nga mendja një, ndoshta ndër më të largëtit.
...Ishte vjeshta e paharruar e vitit 1944. S’ishin mbushur ende dy vjet që ti dhe Nysreti u kthyet nga Italia, pasi lufta ju detyroi të ndërprisnit studimet e larta. Ti duhet ta mbash mend me përimtësi atë vjeshtë të mallkuar që të goditi drejt e në zemër. Mua nuk më shqitet nga kujtesa zymtësia e atij mes tetori. Sapo pati ardhur lajmi i hidhur për Sedatin. Trimi kishte dhënë jetën për liri, në Krujën e Skënderbeut. Lajmi i llahtarshëm e gjeti familjen tonë të shpërndarë sa në Korçë, në Baban; sa në Kavajë, në Tiranë.
Në Korçë, gjyshja Qerime, unë dhe Tataja, plaka e mirë e fisit të Frashërllinjve, që e ngrysi jetën te ne. Në Baban, ti dhe Nëna e Babanit. Në Kavajë, kishte mbetur vetëm im atë, Fiqreti, i cili ushtronte profesionin e mjekut, qysh se u lirua prej italianëve nga burgu i Porto Romanos. Kurse në Tiranë, bashkë me familjen e xha Faikut, lufta kishte mbledhur të tjerët, mes të cilëve, edhe nënën time, Myneverin. Lajmet për ta ishin të pasigurta. Na vinin me të thëna e të dëgjuara.
Për të kryer ritet tradicionale në kujtim të Sedatit, të këtejshmit u mblodhëm në Korçë. Fëmijë asohere, gjithçka e sjell në kujtesë përmes lodrave thuajse të munguara të brezit tim, si gjatë luftës, ashtu edhe më pas. Ti, me gjithë brengën e humbjes së Sedatit, që s’t’u nda asnjë ditë, as në frymën më të fundit të jetës, gjeje forcë të më zbavitje me diçka. S’do mend, aq sa mund të zbavitet një fëmijë në kohë lufte.
Ato ditë ranë shira të rrëmbyeshëm. Lumi i Korçës u fry me ujëra të turbullta, me drurë e kërcunj, shkulur kushedi nga nëpër Moravë. Unë u mbylla brenda me gramafonin dhe me pllakat që dërgonte im atë prej France. Jashtë, shkreptinte e bubullonte. Brenda, korridoret buçitnin me këngët e Tino Rossit e të Rina Kettyt. Megjithatë, askush nuk ma ndaloi zbavitjen e fundit që më kishte mbetur, ndonëse shtëpia ishte në zi. Pastaj, shirat reshtën, lumi u qetësua, hyri në shtratin e vet dhe ujërat filluan të filtroheshin. U qetësuan edhe korridoret. Secili prej jush iu rikthye zisë, por jo unë. Unë isha fëmijë, doja lodra. Ti sërish nuk më zhgënjeve. Që nga dritarja e dhomës suaj të katit të dytë, “e djemve”, siç e quanim, më hidhje kaike letre, të cilat unë, shend e verë, i lëshoja në ujë. Kur më zhdukej prej syve kaikja që sapo kisha lëshuar, a kur ajo rrokullisej valëve dhe ujërat e gëlltisnin përfund, unë kthehesha poshtë dritares. Kaikja e re më zbriste sakaq, si dhuratë prej qiellit. Kështu do të të kujtoj, i dashur xha Suat, sot e sa të kem jetë. Si atëherë në Korçë, ti lart, në “dhomën e djemve”, unë poshtë duke pritur një kaike, që, si atëherë, koha të na mbledhë sërish të gjithëve në dritën e pashuar të përjetësisë...
...